Para protestës, Basha paralajmëron qeverinë: Populli do marrë në dorë institucionet…-
Para protestës, Basha paralajmëron qeverinë: Populli do marrë në dorë institucionet…-
7 shkurt 2019
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh sot se Kuvendi nuk ka asnjë lidhje me krizën dhe situatën aktuale të vendit dhe zgjidhja që i duhet vendit, është një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
“Zgjidhja politikë që ua ofroj jo kukullave të krimit, është një qeveri tranzitore pa këtë kryehajdut të kapur në flagrancë, që jo vetëm do të zhbllokojë pengmarrjen e demokracisë, por është shansi i vetëm të zhbllokojë edhe integrimin, hapjen e negociatave. Nëse nuk arrihet me marrëveshje politike, po ju them, populli do vijë ta clirojë këtë sallë dhe institucionet, do t’i fshijë ministrat dhe deputetët e politikanët e lidhur me krimin, por nëse keni një fije ndërgjegje thirrini arsyes, kujtoni çfarë ju thanë në Berlin që të keni një shans sado të vogël, mos ta humbim përsëri hapjen e negociatave për herë të tretë.
Jua bëj këtë jo si kërcënim por si thirrje, atyre që e ndjenë këtë edhe pse janë kundërshtarët tanë, sepse nuk do i lini asnjë rrugë qytetarëve përveç se të marrin fatin e tyre në duar e tyre, të marrin institucionet e tyre në duart e tyre se në dorë të krimit, oligarkëve, hajdutëve nuk kanë për të qëndruar më çfarëdo të bëni e të thoni”, u shpreh Basha
“Është një Parlament kukull i kapur nga krimi”, u shpreh Basha.
“Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm ekonomike dhe sociale. Të gjitha simptomat e një krize totale që ka mbërthyer vendin.
Zgjidhja është zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore. Ne shteruam çdo alternativë politike. As Shqipëria dhe as europa nuk do ju lërë ta vazhdoni këtë maskaradë. Disa prej jush i keni marrë mesazhet në Berlin këtë javë.
Në qershor nuk do të ketë hapje të negociatave, e morët mesazhin nga Berlini. Faji është vetëm i kryeministrit. Thirrini mendjes, dëgjoni edhe socialistët e ndershëm…
Thirrini mendjes dhe jepini rrugë politike sepse prej 16 shkurtit qytetarët do ta marrin fatin në duar dhe do ta spastrojnë këtë sallë nga njerëzit e krimit që e kanë vendin prapa hekurave të drejtësisë”, u shpreh kreu i opozitës.
Gazeta Panorama.