
Paralajmërimi i frikshëm i ekspertit amerikan: Këto do jenë zgjedhjet e fundit nëse fiton Rama, vendi kthehet në diktaturë
18 Prill 2025
Mediat amerikane vazhdojnë të denoncojnë skandalin se si Departamenti i Shtetit i Antony Blinken dhe administrata e Biden ndihmuan që Shqipëria e Edi Ramës të kthehet në një narko-shtet, me një drejtësi të kontrolluar që godet opozitën.
Jo vetëm kaq, Rubin, analist i lartë në ‘Institutin Amerikan të Sipërmarrjes’ dhe ish-zyrtar i Pentagonit, paralajmëron se këto mund të jenë zgjedhjet e fundit në Shqipëri, pasi nëse fiton Rama, vendi kthehet përfundimisht në diktaturë.
“Ashtu siç Erdogan dikur e krahasonte demokracinë me një makinë — e nget derisa të arrish aty ku të duhet dhe pastaj zbret — edhe Edi Rama duket se është gati të braktisë fasadën se respekton demokracinë.
Ironikisht, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit vazhdon të shënjestrojë Berishën dhe politikanë të tjerë pro-amerikanë për korrupsion të supozuar, provat tregojnë se korrupsioni qëndron tek vetë Rama dhe te ata amerikanë që ai ka komprometuar. Në shkurt 2024, një gjykatë në Nju Jork dënoi Charles McGonigal, ish-shef i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, për marrjen e 225,000 dollarëve nga një agjent shqiptar për të promovuar biznese me Ramën dhe njerëzit e tij. Shumë shqiptarë shpresojnë që një administratë e mundshme e Trump do të auditojë pagesat e USAID për SPAK-un, si dhe mandatin e Yuri Kim në ambasadë, për të zbardhur dyshimet dhe teoritë konspirative që i rrethojnë.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio duhet të kuptojë se synimi i Ramës për të goditur ligjërisht Berishën ka më pak të bëjë me qeverisje të pastër dhe më shumë me dëshirën për të eliminuar përfundimisht 80-vjeçarin Berisha dhe përmes tij, të djathtën shqiptare. Departamenti për Efiçencën Qeveritare (DOGE) ka detyruar grupe si Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) të ndalojnë monitorimin e zgjedhjeve. Kjo është e pranueshme, por kjo nuk do të thotë që Departamenti i Shtetit nuk duhet të ndërhyjë. Pyetja për Rubion është nëse do të mbështetet te ekipi i tanishëm për Shqipërinë dhe ata të vendosur nga Yuri Kim me agjenda të caktuara, apo nëse do të vendosë diplomatë më neutralë përkohësisht për të monitoruar zgjedhjet. Rubio duhet gjithashtu të kuptojë se sanksionet e Blinken kundër Berishës ishin po aq të motivuara politikisht dhe mashtruese sa edhe heqja e sanksioneve ndaj Huthive.
Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë. SHBA nuk duhet t’i tradhtojë. Rreziku i mbajtjes së anës është i dyfishtë: së pari, tradhton demokracinë kur Departamenti i Shtetit përdor mjete të pandershme për të manipuluar ekuilibrin, dhe së dyti, sepse ata që i thurin lavde ambasadorëve amerikanë e bëjnë këtë për përfitime personale dhe jo për interesat e SHBA-së. Koha po mbaron; Rubio duhet të veprojë tani,” shkruan Rubin./1945