LORENC-VANGJELI

Paralajmërimi i Ramës, analisti: -Vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme. –

29/12/2018,

Pas ndryshimeve në qeveri, kryeministri Edi Rama sulmoi kundërshtarët duke thënë se ai do fitojë zgjedhjet në qershor. Por a bëhet fjalë për zgjedhjet lokale apo për zgjedhjet e përgjithshme. Ja çfarë shkruan analisti Lorenc Vangjel në portali Java

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse basti i Edi Ramës ishte që të habiste gjithkënd me befasinë e ndryshimit të qeverisë, padyshim që këtë bast e fitoi kundër të gjithëve. Gjithkush në Tiranë u habit me kriterin që zgjodhi për largimin e ministrave që i hoqi duke i lëvduar dhe askush nuk gjeti ndonjë kriter që do të bënte bashkë në tryezën e Edi Ramës, zëvendëskryeministrin Erion Braçe me ministren e arsimit Besa Shahini.

Edi Rama e pati shumë të vështirë të largonte dy superministrat, qoftë Damianin, qoftë Arbenin. Me të parin, minimalisht zgjodhi të përmendë stabilizimin e sektorit energjitik, një revolucion i pabesueshëm deri dje që e bëri energjinë mall që paguhet dhe hapjen e kantiereve të rrugëve të reja. Përmendi dhe rezultatet politike, në Vlorë e Dibër, bashkë me kostot e ndeshjeve me opozitën e mundur njëlloj edhe në Vlorë, edhe në Dibër. Për të dytin Rama fajësoi kryesisht median që nuk kishte pasur sy për të parë sukseset dhe rritjen e ekonomisë, por megjithatë e largoi me të njëjtin motivacion: pesë vjet në detyrë.

Në një lloj kuptimi Rama do të duhej të ishte kritikuar për kredencialet e dikurshme të Linditës që e imponoi si ministren e tij dhe padyshim duhet pyetur tani pse e largoi ndërkohë që i vlerëson reformën që ka drejtuar në arsim. Ditmirin e ka konsideruar më shumë se njëherë bashkaksioner të rëndësishëm në politikën e jashtme ku vetë Rama, për shkak të vokacionit individual, shpesh luante si violinë e vetme dhe e parë, por edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme që ministri i jashtëm të kalonte mbi stekën e pesë vjetëve në detyrë. Nikon që e mori në Tiranë dhe e ngriti edhe më lart se vetë Nikoja do të kishte ëndërruar dikur në Korçë, e zbriti shkallë-shkallë duke e larguar fiks në momentin që ai po shndërrohej pa kthim në burokratin serioz, të dobishëm e të nevojshëm të qeverisjes së majtë.

Mbrojti me fanatizëm Mirelën dhe i doli për vetë zot ministrës së tij kur protestonin artistët për teatrin dhe duke mos e lëshuar atëherë kur kishte kuptim ta bënte, e largoi tani kur historia me teatër po ngjan si perde e mbyllur teatri. Për zëvendësen e tij ka pak për të thënë, erdhi dhe iku vetëm si vullnet vetjak i kryeministrit, pa e ditur as Senida dje pse erdhi dhe pa i thënë as Rama sot se pse e hoqi.

Në histori të tilla përmbysjesh, është e kuptueshme që të ikurit janë kasta që harrohet menjëherë dhe diskutohen të ardhurit. Kjo do të ishte një gjë normale sa kohë që këto ndryshime do të shiheshin vetëm nën optikën e ditës. Të veprimit të momentit. Të martesës së vështirë shqiptare mes shkakut dhe pasojës apo dhe të vendimmarrjes nën presion, siç la të kuptohej kryeministri. Që sipas tij, ishte afruar në sacrifice vetjake dhe modesti të epërme si Jezu Krishti: ktheu faqen tjetër kur e qëlluan studentët me shuplakë në fytyrë.

Po të shihen me këtë sy rokadat në qeverisje, ngjan se kryeministri përveç faqes, i ktheu në mënyrë të pakuptueshme edhe shpinën fatit. Të paktën këtë i thanë gjithë ditën edhe kritikët, edhe kundërshtarët e tij. Nëse kryeministri nuk ka gjë tjetër për të fshehur mbas këtyre lëvizjeve, atëherë të gjithë ata do të kishin të drejtë. Hendeku gjithmonë e më i thellë mes mekanizimit politik që prodhon vota dhe zgjedhjeve teknike që i pasojnë, është në fund të fundit, në dëm të vetë kryeministrit. Po kështu, duke hequr të gjitha barrierat njerëzore dhe gjithë siguresat politike që i garantonin distancë qoftë me zemëratën e publikut, qoftë me betejën e kundërshtarëve, Rama tashmë është tërësisht nerv i zbuluar në një dhemballë të thyer.

Për ta thënë më thjeshtë, pa Xhafajn e larguar pardje, pa Damianin dhe Arbenin e hequr dje, kryeministri është e vetmja tabelë që duhet të presë shigjetat e sulmeve nga çdo anë që do të vijnë. Nesër do të jetë qesharake, fjala vjen, që studentët të gjejnë vend tjetër për të protestuar, përveç kryeministrisë. T’i kërkosh nesër Ramës që të të japë Besën është tërësisht e kotë. Ai e jep me po të njëjtën lehtësi që e mori dhe e bëri ministre arsimi. Pa përmendur këtu edhe koston e fshehtë me pakënaqësitë zinxhir që ai krijoi me vendimmarjen e tij. Ky ekilibër i ri qeverisës, e shndërron Ramën të paktën formalisht, përballë miqve të mërzitur dhe kundërshtarëve të etur, nga njeriu që premton zgjidhje të problemeve, në problemin e vetëm që duhet zgjidhur.

Duke thënë këtë, të gjitha lëvizjet në qeveri, duket se janë në drejtim të kundërt me interesin e Ramës si kryeministër dhe formalisht, edhe me interesin e publikut që tjetër kënd voton dhe tjetër kënd sheh t’i emërohet nga vullneti i një individi gjithmonë e më të pakontrollueshëm nga askush. Por nëse e sheh gjithçka ndodhi, jo si pasojë e presionit publik nga studentët, opozita dhe protestat e dimrit, por si një shkak për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në qershorin e zgjedhjeve lokale, atëherë gjithë historia mer krejt tjetër kuptim. Një skenar me zgjedhje lokale dhe të përgjithshme të parakohshme në të njëjtën ditë, me një ekip qeveritar të cilit anonimati i shndërrohet në batanije që e mbulon atë vetë, Rama shumëfishon shanset drejt atij që e quan beteja për mandatin e tretë. Për të formalizuar një formule tjetër politike që nxjerr në vijë të parë vijën e dytë të njerëzve me të cilët qeveris dhe duke bërë vetëm gjysmën e mandatit të dytë. Ky do të ishte një akt i guximshëm dhe politik që mund të sillte edhe rithemelimin e klasës politike në vend. Zgjedhjet e parakohshme në qershorin e 2019-ës do të ishte guximi i Ramës për të rrezikuar atë që më pas do ta kishte të pamundur për ta fituar. Në këtë rast, Rama do të bënte atë që hezitoi Berisha ta bënte të paktën dy herë gjatë mandatit të tij të dytë, mbas Janarit të Zi të Bulevardit në 2011-ën dhe mbas marëveshjes Rama – Meta të prillit 2013.

Puzzle I idesë së fshehtë të kryeministrit do të bëhej i plotë edhe me dy detaje të tjerë, në dukje pa lidhje me njëri-tjetrin: ndikimi i reformës në drejtësi mbi mëkatarët në politikë dhe Erion Veliaj.

E para, cili do të jetë ndikimi i reformës në drejtësi, e cila preu praktikisht gjithë kokat më të rëndësishme të sistemit, një gjë e pamendueshme deri dje.

Ky është një fakt e fat që mund të përsëritet dhe me një shpurë deri më sot të paprekshme e të pandëshkueshme politikanësh tradicionalë.

E dyta, cila do të jetë Partia Socialiste nesër, në një skenar postRama?

Kryeministri është ende në dilemë përballë gjithë llogarive që bëhen në heshtje nga të gjitha palët brenda PS-së. Ky është me të gjitha gjasat, çelësi për të kuptuar gjithçka, për të kuptuar dyert që hapen dhe dyert që mbyllen. Dilema thelbësore e Ramës është nëse do të vazhdojë të qeverisë Memaliajn, Malësinë e Madhe, Maliqin apo dhe Mirditën e gjithë politikën e jashtme të vendit apo do të qeverisë direkt bashkinë e Tiranës që është në fakt e realisht pothuaj e gjithë Shqipëria?

Monika Kryemadhi e përmendi diku mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por nuk e mbajti shënim njeri.

Lulzim Basha ende nuk e ka kuptuar këtë fakt dhe shau ata që ikën dhe injoroi ata që erdhën.

Sali Berisha bëri adetin duke u tallur me qytetarin e tij dixhital, një qytetar gjithmonë e më i rëndësishëm i Tiranës, por të cilin as vetë nuk e beson shpesh herë.

Ilir Meta ka folur për filozofi tjetër qeverisje. Duke bërë atë që ka ditur të bëjë më mirë se të tjerët: të presë! Eshtë ende herët për të thënë, por edhe kësaj here, si çdo herë, asgjë nuk është ashtu siç duket. Shkrepëtima është kësaj ane, por krisma është gjetkë. Edhe në pragfestat e ndriçuara si kurrë më parë nga Erioni, Tirana po bëhet një qytet në të cilin gjithmonë e më shumë do të mungojë mërzia. Dhe teatri. Dhe krismat. Dhe shfaqjet. Dhe të fortët e krimit të harruar që tashmë nuk i përmend më njeri si rrezik për ish-Bllokun. Tirana është një vend i mrekullueshëm për të jetuar sa kohë që shahu i politikës është sporti ynë kombëtar. Ku shtohen të luajnë me pasion  gjithmonë e më shumë diletantë profesionistë dhe budallenj të dobishëm. Jo si lojtarë. Por si ushtarë, kuaj, oficerë e torre që i lëvizin vullnete të fshehtë.

Gazeta Mapo.