Paralajmërohet protestë nesër para Kryeministrisë

1 Nentor 2020

Lëvizja për Universitetin ka njoftuar se ditën e nesërme do të mbajnë një protestë para Kryeministrisë, rreth orës 11:00. Kjo për shkak të vendimit të marrë për lidhur me zhvillimin online për këtë vit të ri akademik.

“Lëvizja” kërkon përgjysmimin e tarifës vjetore të studimit, duke marrë parasysh mungesën në auditore, një paketë për qeratë, pas mbylljes së konvikteve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar: Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës. Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri,”-shkruhet në njoftim.

REAGIMI I PLOTË:

Që prej karantinës së muajit mars studentët kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë. Po qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online si pasojë e mungesës së mjeteve teknike dhe aksesit në internet. Mijëra të tjerë mbetën të papunë. Shumë mbetën të pastrehë në pamundësi për të punuar dhe paguar qiratë.

Nëntë muaj më vonë, e njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët.

Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar: Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës. Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri.

Nëse kryeministria vazhdon të mbetet shtëpi e oligarkëve në kohë krize, ne do ta kthejmë në vatër të studentëve, punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia. Kupa është mbushur dhe nuk mban më. #PërUniversitetin #PërShoqërinë.

Gazeta Sot