Paralizohet jeta kulturore, Shqipëria mbyll muze, teatro e galeri, etj

11.03.20

Prej së hënës së 9 marsit kur tashmë ishin konfirmuar rastet e para me Covid-19 në Shqipëri, në zbatimin e protokolleve shëndetësore si masa kujdesi, është paralizuar jeta kulturore. Për shkak të ndalimit të grumbullimeve të mëdha, institucionet kulturore kanë pezulluar të gjithë aktivitetet.
Teatri Kombëtar ka bërë me dije se bazuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe urdhrin mbi: “Anulimin e grumbullimeve masive, aktiviteteve sportive, kulturore, konferencave dhe dëgjesave publike deri në datën 3 prill”, njofton të gjithë publikun për pezullimin e aktivitetit artistik deri në këtë datë. Duke shpresuar në mirëkuptimin e publikut, ata ftojnë që secili të ruajë biletat që ka për shfaqjen “Don Zhuan”. Të gjitha biletat janë të vlefshme për shfaqjet e mëvonshme të “Don Zhuan” ose mund t’i rimbursoni në një periudhë të mëvonshme. I njëjti vendim është marrë nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i cili po ashtu ofron rimbursim të biletave duke anuluar të gjitha aktivitetet artistike që ishin paraparë të mbaheshin deri me 3 prill.

Një njoftim i ngjashëm është bërë edhe nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, i cili ka njoftuar se opera “La Boheme” dhe baleti “Carmina Burana” nuk do të zhvillohen. Duke filluar nga data 10 mars 2020 nga ora 09:00 deri në orën 16:00, kushdo që ka blerë një biletë për këto shfaqje të paraqitet në sportelet përkatëse për të dorëzuar biletat që kanë blerë dhe për t’ju kthyer lekët. Faleminderit për mirëkuptimin!

 

Edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në faqen e saj zyrtare ka njoftuar se “kemi shmangur çdo aktivitet publik që mbledh shumë njerëz në respekt të vendimit të qeverisë, po kemi vendosur që sheshi nuk do braktiset duke shtrënguar rregullat e bashkëveprimit. Siç ia dolëm me tërmetin, besojmë se mund t’ia dalim, megjithëse kontekstet janë shumë të ndryshme”. Sipas AMT-Zyrtare, kjo është sfidë e fortë për të gjithë, institucionet kanë pa diskutim fjalën e parë, por dhe lëvizjet e koordinuara komunitare ndihmojnë. “Mos lexoni andrallat e çdo aventurieri, po lexoni burimet më autoritare që vijnë nga institucionet serioze. Nuk ka vend për t’u demoralizuar, ky shesh na ka mësuar që të mos dorëzohemi, duhet kurajë dhe mençuri. Ruaj tjetrin, jo thjesht veten! Një përqafim i ngrohtë si ngrohtësia e rrezeve që bekojnë sheshin”, shkruan Aleanca, e cila aktivitetin e ditës së hënë me titull “Rezistencë” në bashkëpunim me galerinë “Zeta” e zhvilloi me dyer të mbyllura e pa publik.
“Rezistencë”, me Edmond Budinën dhe Lindita Komanin në orën 18.00 në sallën “Gëte” të Teatrit Eksperimental u mbajt vetëm mes folësve dhe artistëve, pa publik të ftuar.

Gazeta Shqiptare