‘Paratë e pista’ rrisin ‘cash’-in në vend, 150 mln euro më shumë jashtë bankave
18 Shtator 2024
Pagesat me para në dorë vijojnë të mbizotërojnë në ekonominë shqiptare. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se paraja jashtë bankave nga janari deri në gusht të këtij viti është rritur me 15.5 miliardë lekë afro 150 milionë euro.
Në fund të muajit gusht jashtë sektorit bankar qarkullonin 403.8 miliardë lekë, nga 388.3 miliardë lekë që ishte vlera në nisje të vitit.
Si rezultat i nivelit të lartë të parasë fizike në ekonomi, qeveria pritet të kufizojë pagesat me para në dorë edhe për qytetarët, pasi bizneset aktualisht e kanë të kufizuar deri në 150 mijë lekë.
Kufizimi i pagesave me para në dorë ka qenë edhe propozim i Komisionit Evropian, si metodë për të ulur informalitetin në ekonomi. Kurse shoqata e bankave ka propozuar që ky tavan të jetë 750 euro, dhe përtej kësaj vlere të mos lejohen më pagesa me lekë në dorë. Caktimi i një limiti sesa do të jetë vlera që qytetarët do të mund të përdorin për të paguar mallra apo shërbime në cash do të caktohet brenda 2026-ës.
Në strategjinë afatmesme të të ardhurave qeveria ka listuar 7 arsyet për nivelin e parë të cash-it në ekonomi, ku thelbësore mbeten, kultura jonë për të bërë pagesa, normat e ulta të interesit për depozitat, mungesave e terminaleve POS në dyqane për të paguar me kartë, informaliteti, mungesa e besimit ndaj bankave apo edukimi financiar. Në dokument thuhet gjithashtu se pagesat fizike, përdoren si alternativë për të fshehur burimin jo të ligjshëm të të ardhurave.
Përtej informalitetit e rrezikut të pastrimit të parave që vjen nga volumi i lartë i parasë fizike, ekspertët thonë se po konkurrohen edhe bankat, pasi milionat jashtë bankave po përdoren për biznesin e ‘fajdeve’./ Shqiptarja.com