Parlamenti Europian voton 15 kushtet për Ramën, para nisjes së negociatave
Parlamenti Europian voton 15 kushtet për Ramën, para nisjes së negociatave
– 19/06/20
Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime Parlamenti Europian, miratoi mbrëmë, amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian, që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës së parë Ndërqeveritare, me shtetet antare”.
Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler, erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve.
Në fillim, kryeministri u bishtnoi, ndërsa edhe dje, duket se i ironizoi, kur tha, nuk janë 15, po mijëra kushte që do kemi rrugës. Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.
Grupi Social Demokrat formalisht nuk u shpreh pro-amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit. Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët, votuan pro PPE, siç e tregon edhe rezultati. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra.
Taulant Balla paraqiti një lutje në kryesinë e PSE, për votim kundër në bllok, por kjo nuk u mor parasysh.
Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë, por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.
Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqësimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.
Njëri prej kushteve është edhe dënimi i politikanëve që kanë blerë vota në zgjedhjet e Dibrës e Shijakut. Kujtojmë se Rama i ka marrë ata vazhdimisht në mbrojtje.
Nga: mapo.al