“Parlamenti perdoret si aset elektoral”. – Ina Zhupa: – Deputetët janë kthyer në firmosës të fondeve publike për votat e PS-së
30 Janar 2025
“Ju jeni duke përdorur parlamentin dhe kartonët e deputetëve për të kaluar ligji që i shërbejnë grupeve të caktuara shoqërore si oligarkët në rastin e ligjit të Klosit apo siç keni futur në një korsi të shpejtë ligjin “Paketa e Maleve” për të dhënë 100 grante elektorale në emër të votës për PS.
Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me akuza nga ana e opozitës kundrejt mazhorancës ndërsa u diskutua kalendari i punimeve të Kuvendit, për të cilin nuk u ra dakord në Konferencën e Kryetarëve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, theksoi në fjalën e saj se deputetët e Partisë Socialiste po fusin në kalendar dhe në programin e punës së Kuvendit, projektligje që reflektojnë ligjvënie elektorale.
“Ju jeni duke përdorur parlamentin dhe kartonët e deputetëve për të kaluar ligji që i shërbejnë grupeve të caktuara shoqërore si oligarkët në rastin e ligjit të Klosit apo siç keni futur në një korsi të shpejtë ligjin “Paketa e Maleve” për të dhënë 100 grante elektorale në emër të votës për PS. Ua bëra me dije dhe e kam rishikuar edhe një herë kalendarin dhe programin e datës 20 janar. Keni futur në projekt program ‘Paketën e Maleve” pa datë sepse kishit parashikuar një datë boshe në protokollin e parlamentit datën 10 janar, sepse sipas jush nuk futet në periudhë zgjedhore. Së pari keni falsifikuar dhe pikë së dyti do ta miratoni brenda 4-mujorit që e ndalon Kodi Zgjedhor”, tha Zhupa.
Deputetja e PD-së theksoi më tej se mazhoranca “po e përdor këtë parlament si aset elektoral. Po kthehen edhe deputetët në firmosës të fondeve publike me qëllim dhënien e votës së PS-së”.
“100 grante parashikon Paketa e Maleve 100 grupe të caktuara të përzgjedhur nga PS për të marrë pjesë nga kjo “Paketa e Maleve” që mund ta quani shumë mirë Rilindja e Maleve sepse do të jetë në funksion të Rilindjes suaj”, tha Zhupa.
Zhupa shtoi se në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar që të kenë prioritet iniciativat e deputetëve, sidomos të opozitës që kanë deri në 2 vite aty dhe nuk e gjejnë kurrë korsinë për t’u shqyrtuar në komisione.
“Ato janë ligje për t’i dhënë minimumin jetik shqiptarëve, janë ligje që anulojnë koncesionet tuaja, janë ligje që u japin dëmshpërblimet të përmbyturve nga përmbytjet. Parashikoni të fusni dhe ne t’i miratojmë. Ligje që do ti përdorni si kartë elektorale për fushatën e 11 majit. Kjo ishte arsyeja që ne ju kemi votuar kundër në Konferencën e Kryetarëve”, tha Zhupa.
BalkanWeb