Partia socialiste humbet zgjedhjet! – Të majtët kundër Ramës dhe pro Veliajt si zëvendësues në krye të PS-së. Ja rezultatet e sondazhit. –
Partia socialiste humbet zgjedhjet! – Të majtët kundër Ramës dhe pro Veliajt si zëvendësues në krye të PS-së. Ja rezultatet e sondazhit. –
5 Prill, 2019
Kryeministri Rama i trembet pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj keqqeverisjes së tij 6 vjeçare, e cila ka sjellë vetëm skandale të panumërta korrupsioni, denoncohet dhe hetimet ndaj ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për bashkëpunim me njerëzit e botës së krimit, papunësia, mjerimi, që kanë bërë që 64 % e shqiptarëve duan të largohen përfundimisht nga Shqipëria, sepse këtu nuk jetohet.
Këto janë arsyet pse kryeministri Rama trembet të bëjë zgjedhje të parakohshme parlamentare, që kryeministri deklaron se do të bëjë zgjedhje vendore edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, sepse vetëm pa opozitën në zgjedhje, kryeministri Rama e ka të …sigurt, që, siç deklaron, mund të fitojë të gjitha bashkitë. Shqiptarët janë të pakënaqur nga kryeministri Rama, i cili tashmë ka përqindje më të ulët sesa vetë PS-ja, ndërsa Partia Socialiste ka humbur 4 % të elektoratit të saj, në krahasim me zgjedhjet e 2017-s.
Partia Socialiste humbet 4 % elektorat, në krahasim me 2007-n
IPR Marketing dhe RTV Ora publikoi sondazhin e parë për këtë vit ku tregohet orientimi politik i votës 3 prill 2019. Në sondazh bie në sy pakënaqësia e shqiptarëve me qeverisjen e socialistëve, 34% e vlerësojnë atë negativisht, por orientimi i votës më 3 prill tregon se 44 % janë orientuar drejt PS kundrejt PD me 38% dhe LSI 15 %. Ajo çka vihet re është se PS ka pësuar rënie me 4% në krahasim me zgjedhjet e 2017, ndërkohë PD ka pësuar rritje me mbi 10% ndërsa LSI ka një rënie fare të lehtë.
62 % e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria
I frikshëm është trendi i shqiptarëve që duan të largohen nga Shqipëria. 62 % e të anketuarve mendojnë se nëse do u jepej mundësia do të largoheshin nga Shqipëria ku problemet kryesore janë papunësia, korrupsioni dhe varfëria. 59.7 % mendojnë se jetohet keq dhe se në tre vitet e fundit kriminaliteti është rritur, ekonomia është përkeqësuar.
34.7 % e gjykojnë negativisht Ramën
Sondazhi tregon se shumica e të anketuarve gjykojnë negativisht veprimtarinë e të tre liderëve kryesorë politikë por dhe të presidentit Ilir Meta. Konkretisht: 34.7 % e gjykojnë negativisht Ramën, 49% Bashen dhe 57.2 % Monika Kryemadhin. Por a do të shkojnë shqiptarët në zgjedhjet e 30 qershorit? 45.6 % thonë sigurisht që po dhe shqiptarët mendojnë se Erion Veliaj do të jetë pasuesi i Ramës në krye të Partisë Socialiste.
TABELAT E SONDAZHIT
Zgjedhjet lokale
Krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, orientimi i votës drejt PS ka pësuar rënie. Nëse në 2017 për PS kanë votuar 48.3 % e shqiptarëve, në zgjedhjet e 3 prillit 2019 do të votojnë 44.0% e shqiptarëve. PD ka pësuar rritje krahasuar me 2017, nga 29.9% në 39.0% në zgjedhjet lokale të 3 prillit. Ndërsa LSI ka pësuar një rënie të lehtë nga 14.3% që ka qenë në 2017, 14.0% e shqiptarëve mendojnë të votojnë për LSI. Ndërsa parti të tjera nga 8.5% në 2017 janë ulur në 3% në 2019.
60.3% duan sistem mazhoritar
60.3% e qytetarëve shqiptarë preferojnë sistemin zgjedhor mazhoritar me lista të hapura. 13.3 % janë për sistemin aktual proporcional, ndërsa 26.4 % kanë thënë se nuk e dinë.
18.9 % e qytetarëve mbështesin opozitën dhe kreun e PD Lulzim Basha në protestë. 21.3% e shqiptarëve ndajnë pjesërisht të njëjtin mendim me kreun e PD, Lulzim Basha, ndërsa 38.1 % e shqiptarëve nuk ndajnë të njëjtin mendim me Bashën dhe opozitën për organizimin e protestave të tyre. 21.7 % janë përgjigjur “nuk e di”.
49% gjykojnë negativisht punën e Bashës
Punën dhe veprimtarinë e kreut të PD, Lulzim Basha shumica e shqiptarëve e kanë gjykuar negative. Janë 49.3% e tyre që gjykojnë negativisht veprimtarinë e Bashës, ndërsa 13.7% e shqiptarëve mendojnë pozitivisht për veprimtarinë e PD dhe liderit të saj. 28.6 % mendojnë se puna e Bashës është as pozitive dhe as negative. Ndërsa 8.3% janë shprehur se nuk e dinë.
34,7% e shqiptarëve vlerësojnë negativisht kryeministrin Rama
Pyetjes: Si e gjykoni veprimtarinë e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama?29.5% e tyre mendojnë se veprimtaria e kryeministrit Rama dhe qeverisë është pozitive, ndërsa 34.7% janë shprehur negativisht. 28.5% e shqiptarëve janë shprehur asnjanës, për punën e qeverisë. Një grup prej 7.2% janë shprehur se nuk dinë të gjykojnë veprimtarinë e qeverisë.
Sondazhi: 62 % duan të ikin nga Shqipëria
Pyetjes: Nëse do të jepej mundësia, a do të largoheshe nga Shqipëria? Emigracioni është një fenomen që në Shqipëri ka ardhur në rritje. 62.2% e shqiptarëve që duan të largoheshin nëse do t’i jepej mundësia. 35.1% janë përgjigjur se do të qëndrojnë në Shqipëri dhe 2.8 % kanë thënë: “nuk e di”.
53.4 % e shqiptarëve: Krimi është rritur
Krimi si një çështje që ka trazuar shoqërinë, por edhe klimën politike vazhdon të jetë problem për qytetarët shqiptarë. Krahasuar me 3 vitet e fundit, 53.4% e shqiptarëve mendojnë se krimi në vend është rritur. Të paktë janë ata që mendojnë të kundërtën, ku 17.0% mendojnë se ky fenomen ka pësua rënie. Janë 23.6% e shqiptarëve që mendojnë se krimi është po në të njëjtat nivele si para 3 vitesh. Ndërsa 5.9 % thonë se nuk e dinë nëse është rritur apo ka rënë.
43,3 % e shqiptarëve: Ekonomia është përkeqësuar
Shqiptarët mendojnë se ekonomia shqiptare nuk është përmirësuar në 3 vitet e fundit. Sipas sondazhit të IPR Marketing, 20.9% e shqiptarëve mendojnë se ekonomia është përmirësuar, ndërsa 43.3 % mendojnë se ekonomia shqiptarë është përkeqësuar. 34.7% e qytetarëve mendojnë se ekonomia është njësoj si para 3 vitesh. Ndërsa 1.1% janë përgjigjur nuk e di.
60.1 % e shqiptarëve: Papunësia është problemi urgjent
Pyetjes: Cilat janë 3 problemet më urgjente për tu zgjidhur në Shqipëri? Nga sondazhi rezulton se shqiptarët janë të shqetësuar për papunësinë. Me 60.1% ata e kanë renditur papunësinë si problemin urgjent që duhet të zgjidhet. Më pas vjen korrupsioni, ku 53.2% e shqiptarëve mendojnë se kjo çështje është urgjente për tu zgjidhur. Në vendin e 3-të si problem për tu zgjidhur shqiptarët kanë renditur varfërinë me 45.4%.
49 % e shqiptarëve: Shqipëria po shkon në drejtim të gabuar
Janë 40.8% e qytetarëve shqiptarë që mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. Ndërsa 49.0% thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. 10.2% thonë se nuk e dinë.
80 % e shqiptarëve, jetojmë njësoj dhe më keq
Duke bërë një krahasim me 3 vite më parë, 18.5% mendojnë se jetohet më mirë, ndërsa 39.7% mendojnë se në Shqipëri jetohet më keq. Janë 40.5 % e shqiptarëve që mendojnë se jetohet njësoj si para 3 vitesh. 1.2 % janë përgjigjur “nuk e di”.
59.7 % mendojnë se në Shqipëri nuk jetohet mirë
Pyetjes sesi jetohet në Shqipëri, 34 % e shqiptarëve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 59.7% mendojnë se në Shqipëri nuk jetohet mirë. Ndërsa 5.5% janë përgjigjur nuk e di.
Nga: Gazeta Telegraf