“Partitë si grup miliarderësh, nuk bëjnë dot pa krimin e organizuar”, reagimi i ashpër i deputetes

4 Shkurt 2020

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar Europian ditën e sotme, kryetarja e tij Rudina Hajdari akuzoi partitë politike në vend se janë kthyer në grupe miliarderësh që nuk bëjnë dot pa krimin e organizuar.

Hajdari shtoi se për të fituar betejën me korrupsionin ky fenomen fillimisht duhet luftuar brenda politikës. “Unë vazhdoj të jem e bindur që partitë politike në vend janë kthyer në një grup miliarderësh të cilët pa lidhjet e tyre me krimin e organizuar nuk mund të mbijetojnë pa njëri-tjetrin. Nëse nuk arrijmë të luftojmë korrupsionin brenda politikës nuk do e fitojmë betejën me këtë fenomen.

Sekuestrimi pasurive duhet të fillojë me atë klasë politike që kanë shfrytëzuar pozicionin e pushtetit për tu pasur dhe për të forcuar pozitat e tyre e për të varfëruar pjesën tjetër të shqiptarëve,”– u shpreh ajo.

Deputetja e opozitës parlamentare u shpreh se në vitet e fundit korrupsioni në Shqipëri ka pësuar rritje të jashtëzakonshme dhe duhet bërë çdo gjë që është e mundur për të luftuar këtë fenomen në të gjitha nivelet.

“Korrupsioni është një nga plagët më të thella të shoqërisë sonë e cila prek çdo aspekt të jetës së shqiptarëve. Ka një impakt të jashtëzakonshëm në jetën e njerëzve dhe sidomos atyre me të ardhura të ulëta dhe vulnerabël.

Gjithmonë e kam munduar se lufta ndaj korrupsionit do të jetë kulturë e gjeneratës së re. Ky fenomen nuk mund të luftohet pa institucione të forta, pa integritet dhe transparencë. Ky fenomen na ka mbajtur mbrapa si shoqëri dhe vend. Kemi shumë punë për të bërë për të zbatuar Reformën në Drejtësi.

Në vitet e fundit korrupsioni ka pësuar ngritje të jashtëzakonshme. Ky fenomen po gërryen Shqipërinë si në ekonomi, jetën shoqërore e kulturore.

Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur jo vetëm për të rregulluar kuadrin ligjor, për të rregulluar klimën politike në vend, por të bëjmë çdo gjë të mundur për të luftuar këtë fenomen në të gjitha nivelet,”- tha Hajdari.

©Copyright Gazeta SHQIP