Partizanët-guerilë bjellorusë shndërrohen në aleatë të Ukrainës – Rrëzuan në Bjellorusi avionin rus 285 milionë dollarësh
28 Shkurt 2023
Një aeroplan zbulues rus A-50 që kushton 285 milionë dollarë u dëmtua në një sulm me dron në një bazë ushtarake pranë kryeqytetit të Bjellorusisë,Minsk. Përgjegjësinë e këtij sulmi e morën partizanët-guerilë bjellorusë dhe anëtarët e opozitës në mërgim.
Alexander Azarov, kreu i organizatës anti-qeveritare BIPOL, tha se ky sulm dëmtoi pjesën e përparme dhe qendrën e avionit, si dhe radarin së bashku me antenën. Azarov tha se përgatitjet për këtë operacion kishin filluar para disa muajsh. Organizata BYPOL, e cila përfshin ish-anëtarë të policisë që mbështesin politikanët e opozitës, është cilësuar një organizatë terroriste në Minsk.
FranakVijachorka, këshilltar i lideres së opozitës bjelloruse Svetlana Tihanovska, shkroi në Twitter se ky incident ishte akti më i suksesshëm i sabotimit që nga fillimi i vitit 2022. Që para një viti kur nisi pushtimi i Ukrainës nga forcat ruse, ka pasur disa akte sabotimi në Bjellorusi dhe në rajonet ruse në kufi me Ukrainën, veçanërisht në sistemin hekurudhor. Kujtojmë se presidenti i Bjellorusisë AlexanderLukashenko nuk mori pjesë drejtpërdrejt në luftën kundër Ukrainës, por ai lejoi forcat ruse të përdorin territorin bjellorus në fillim të pushtimit. Rusia dhe Bjellorusia krijuan një njësi të përbashkët ushtarake në Bjellorusi dhe zhvilluan stërvitje të shumta. Një numër avionësh luftarakë rusë dhe avionë të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm janë vendosur në tokën Bjelloruse.
Roli i Bjellorusisë në luftën e Ukrainës
Këshilli Atlantik, një organizatë jofitimprurëse që synon të informojë për aleancën e NATO-s, vlerëson se roli i Bjellorusisë është një nga aspektet e nënvlerësuara të luftës kundër Ukrainës. Në përpjekjen e tij për të konsoliduar pozicionin e tij pas protestave masive pro-demokracisë në vitin 2020, Lukashenko e pozicionoi Bjellorusinë si një komponent jetik në përpjekjet për luftë të Kremlinit. Bjellorusia ndihmoi në përhapjen e propagandës dhe dezinformatave për luftën, duke përsëritur shpesh argumente që mbronin vendimin e Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.
Propaganda është aq e përhapur dhe hapësira e informacionit është aq e kontrolluar brenda Bjellorusisë sa që shumë bjellorusë ende nuk e kuptojnë shkallën e vërtetë të luftës,shkruan Këshilli Atlantik. Lëvizja pro-demokratike e Bjellorusisë po lufton, e bindur se humbja e Putinit në Ukrainë do të dobësojë aftësinë e Lukashenkos për të ruajtur hegjemoninë mbi popullin e tij. Duke penguar përpjekjet e Rusisë për luftë dhe duke shteruar burimet e saj, lëvizja pro-demokratike bjelloruse po shkatërron aksin Putin-Lukashenko dhe po gërryen burimet që Rusia i duhen për të mbështetur Minskun.
Liderja e opozitës bjelloruse Tihanovska mendon se ekziston një lidhje e qartë mes fatit të Ukrainës dhe fatit të Bjellorusisë. Ajo pretendon se kur populli i Ukrainës mund Rusinë, bjellorusët do ta shohin Putinin në dritën e duhur dhe do të jenë më të gatshëm të refuzojnë statusin vasal që Rusia i ka imponuar vendit të tyre.Për këtë arsye, aktivistët demokratikë bjellorusë kontribuojnë në aktivitetet kundër luftës. Sabotimi i një avioni ushtarak rus ishte një mesazh i qartë. Nisma e partizanëve kibernetikë prishi infrastrukturën teknike të regjimit bjellorus, ndërsa partizanët hekurudhor ndërlikuan mbështetjen logjistike bjelloruse për forcat ruse gjatë muajve të parë të luftës. Aktivistët punojnë gjithashtu për të luftuar dezinformimin dhe propagandën duke përcjellë të vërtetën për luftën te qytetarët bjellorusë.
Partizanët e hekurudhave kanë zhvilluar një luftë të heshtur kundër Putinit për muaj të tërë, duke sulmuar qendrat hekurudhore në një kohë kur Bjellorusia ishte një pikë nisjeje për një pushtim të Ukrainës veriore. Disa prej tyre vendosën trungje të mëdhenj në traversat e hekurudhës dhe më pas i vunë flakën.Ndërsa të tjerët shkatërruan kabinat elektrike duke penguar kështu kontrollimin e trafikut hekurudhor dhe për të bërë të mundur riparimin e gjithë kësaj duhet javë. Këta partizanë, zgjodhën objektivat e tyre bazuar në bazën e informacioneve hekurudhore nga ku llogariten oraret e trenave ushtarake që mbanin armë ruse me qëllim parandalimin e tyre për mbërritje në destinacion.