Pas 132 vitesh gjendet një mesazh në shishe. –
Pas 132 vitesh gjendet një mesazh në shishe. –
Një familje në Perth të Australisë ka gjetur mesazhin më të vjetër të njohur në një shishe, pothuajse 132 vite pasi ajo ishte hedhur në det.
Tonia Illman kishte gjetur shishen, teksa kishte dalë për një shëtitje përgjatë dunave të rërës në një plazh në Australinë perëndimore.
Bashkëshorti i saj tregon se e kishin gjetur letrën në shishe, por nuk e kishin idenë se çfarë ishte ajo, derisa kishin shkuar në shtëpi dhe e kishin tharë atë në mikrovalë.
Ekspertët kanë konfirmuar se është një mesazh autentik nga një anije gjermane. Shënimi në shishe, që mbante datën 12 qershor 1886, ishte hedhur nga anija gjermane “Paula”, si pjesë e një eksperimenti në oqean dhe trajektoreve të lundrimit nga ana e Observatorit Detar të Gjermanisë.
Më herët, rekordi botëror “Guinness” për mesazhin më të vjetër në shishe ishte 108-vjeçar. Familja Illman kishte kontaktuar me ekspertë vendas për të verifikuar moshën e shishes dhe, pas kontakteve edhe me zyrtarë gjermanë ishte konfirmuar gjithçka.
Me mijëra shishe janë hedhur në det gjatë eksperimentit 69-vjeçar të Gjermanisë. Familja Illman ia ka huazuar zbulimin e saj Muzeut Perëndimor australian, për dy vitet e ardhshme, e ai do të ekspozohet duke filluar nga e mërkura.