Pas 90 vjetësh, rikthehet në Shqipëri koleksioni i diplomatit Quaroni. –

Ato imazhe u kthyen sërish në vendin e origjinës. Gati 90 vjet më pas, si një amanet të gjyshërve, Cristina Quaroni sjell në Shqipëri fotografitë që ata shkrepën gjatë kohës që shërbyen si diplomatë në vendin e vogël fqinj.

Një vend, që prej vetëm pak vitesh kishte fituar pavarësinë dhe përpëlitej për t’u ngritur në këmbë; një vend që Italia do ta pushtonte jo shumë larg. Kur shkrepën fotografi nëpër Shqipëri e veshën kostumet popullore vendëse, ata nuk e dinin se ato do të riktheheshin sërish këtu, por kësaj radhe nga e besa, që edhe ajo me apo pa dashje është bërë pjesë e diplomacisë, por jo më të Italisë, por Spanjës. Nga data 14 maj deri më 29 qershor, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës, do të prezantohet një koleksion i arkivit personal fotografik të Pietro dhe Larissa Quaroni-t.

 

Fotografitë janë bërë nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në ambasadën e Italisë në Shqipëri në periudhën 1928– 1931 dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohet për herë të parë për publikun. Në ekspozitë do të shfaqen përreth 85 fotografi të përmasave të ndryshme, të shoqëruara nga dy dokumentarë të së njëjtës periudhë dhe për herë të parë jepet mundësia të shihet në tërësinë e tij arkivi i pasur (mbi 750 fotografi) i dixhitalizuar për këtë rast.

Vizitorit i jepet mundësia të zbulojë ngjarjet, personat, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat shqiptare, të para e të jetuara nga çifti Quaroni në një kontekst historik dhe social, i cili paraqet shumë interes: pamje befasuese dhe autentike, një vështrim i mirëfilltë dhe jo fort i zakontë, në mënyrë të veçantë mbi figurat politike dhe personazhet që kanë dominuar skenën shqiptare përgjatë viteve ’20 dhe ’30. Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshort ja e ambasadorit të Spanjës.