Pas Bashes – dorzohet dhe Edi Rama. Kur propaganda s’pi më ujë: – Pse e lëshuan nervat Edi Ramën derisa arriti të heqë dorë nga pika e tij më e fortë?
Pas Bashes – dorzohet dhe Edi Rama. Kur propaganda s’pi më ujë: – Pse e lëshuan nervat Edi Ramën derisa arriti të heqë dorë nga pika e tij më e fortë?
– 21.03.22
Në një akt të befasishëm, pra të papritur prej tij, Edi Rama deklaroi sot solemnisht se nuk do t’i përgjigjet komenteve të komentuesve në faqen e tij të “Facebook”-ut.
Deri dje, kreu i qeverisë ishte goxha aktiv në ndërveprimin në rrjetet sociale. Bënte 4-5 postime në ditë dhe argëtohej tek u kthente përgjigje komentuesve që e ngacmonin dhe ndonjëherë, edhe e fyenin. Në jo pak raste, komenti i Ramës mbi atë të komentuesit, ishte më interesant dhe përbënte lajm, më shumë se postimi fillestar.
Por, ç’ndodhi sot që Rama hoqi dorë nga statusi “aktiv” në “Facebook”? A nuk janë dialogu, bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë, propaganda pikat e tij të forta?
Duke ardhur në politike me një “background” artisti dhe publicisti të ndërthurura me një antikonformizëm të lindur, Edi Rama ka ditur të diktojë debatin publik në vend. Që nga koha kur shkruante fejtonet për diktaturën e saporënë dhe jepte intervistat nga Parisi për “diktaturën e re të Berishës”, ai është mësuar që fjala t’i ketë peshë. Kur erdhi në qeveri, pesha e fjalës u shumëfishua për shkak të pushtetit, fushës gravitacionale që ka ai dhe instrumentave.
Një nga këto instrumenta ishte Transparenca.al, një portal qeveritar i cili u përurua me bujë gjatë mandatit “Rama 1” dhe synonte të përgënjeshtronte çdo lajme që sipas kryeministrit, ishte i pavërtetë.
Në fakt, ky portal ishte një mekanizëm “lufte” jo vetëm ndaj shpifjeje, por edhe lajmeve të mirëfillta të cilat nuk i vinin për shtat qeverisë.
Për shkak se ishte një shpikje e panevojshme, Transparenca.al e pati jetën e shkurtër. Fundja, shpërndarja e një përgënjeshtrimi nuk ka nevojë për portal special. Ajo mund të bëhet fare mirë me një e-mail apo status në rrjetet sociale.
Debatin publik në vend, Rama e ka diktuar edhe gjatë krizave të mëdha që ka përjetuar vendi. Që nga debati për armët kimike në vitin 2013, protestat e studentëve, sfidat elektorale, tërmeti 2019, pasojat e pandemisë etj, Edi Rama ka qenë “primadonna” e shfaqjes.
Ai nuk i linte asgjë rastësisë, por vendoste fytyrën, reputacionin dhe karrierën e tij politike përballë çdo kundërshtari e çdo vështirësie.
Sot, që gjendet në vitin e nëntë të qeverisjes, gjërat nuk janë më aq të lehta.
Kritikët e tij në rrjetet sociale janë shtuar. Mbrojtësit e tij në debatet televizive të darkave janë gjithnjë e më pak cilësore. Edhe vetë përfaqësuesit e PS-së nëpër panele, nuk e kanë më zellin e mëparshëm për t’i shërbyer pa kushte drejtuesit suprem.
Afera e inceneratorëve, 2 ministra në burg, rritja e çmimeve, stanjacioni i pagave dhe pensioneve dhe mjaft probleme të tjera të rënda nuk po fshihen dot më.
Këtu duhet kërkuar dhe hapi i madh pas i Ramës, mospërgjigja ndaj komenteve kritike të njerëzve në “Facebook”.
Anija e madhe e shtetit po fut ujë. Sigurisht, fitorja e 6 marsit i dha Partisë Socialiste dhe qeverisë oksigjenin e duhur politik për të ecur përpara.
Por, njerëzit e kanë vështirë të kuptojnë pse duhet të blejnë një litër karburant 2 euro, pse duhet ende të japin rryshfet në çdo zyrë qeverie ku kërkojnë pronat e tyre dhe jo vetëm.
Njerëzit e kanë vështirë të kuptojnë pse 20 milionë euro do të shkonin në parajsat me ndërtimin Unazës së Re, pse një ministër është në burg për inceneratorët, por të tjerët.
Njerëzit e kanë vështirë të kuptojnë pse, në vitin e nëntë të qeverisjes, drejtësia është ende larg standardeve që na u premtuan në 2013.
Na u premtua “sistemi i ri”, jo “aksioni”. Një kryeministër që del vetë inspekton çmimet ditën e diel nuk është shenjë qe qeveria punon, por se “shteti” nuk funksionon.
Pavarësisht se e ka pushtetin hë për he të sigurt, Edi Rama e ndjen se pakënaqësia ndaj tij ka filluar të rritet. Ndaj, për të mos i hedhur benzinë zjarrit ka vendosur të flasë më pak. E ka nisur nga Facebook-u, duke hequr dorë nga komentet e komenteve.
V.O. Titulli eshte i Shqiperia.com
Gazeta Shqiptare