“Pas Beogradit qëndron ‘Ariu i madh’”- Pandeli Majko flet për situatën politike: Jam përgatitur. Do shkojmë në zgjedhje nëse…
“Pas Beogradit qëndron ‘Ariu i madh’”- Pandeli Majko flet për situatën politike: Jam përgatitur. Do shkojmë në zgjedhje nëse…
4 tetor 2019
Ish-kryeministri Pandeli Majko ka deklaruar se në rast se Gjykata Kushtetuese hedh poshtë legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, atëherë maxhoranca do shkojë në zgjedhje.
Majko është pyetur në “TopTalk” nëse do shkonte në zgjedhje të parakohshme, por politikani ka përsëritur disa herë, “do shkojmë në zgjedhje”.
“Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë legalitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit në esencë shteruese. Jam përgatitur edhe për opinion pozitiv edhe kjo është 88% e balancës. Në parlament kur fola për rezolutën e BE-së thash që nëse Gjykata Kushtetuese do të hedhin poshtë rezultatin e 30 qershorit, atëherë ne do shkojmë në zgjedhje. Do shkojmë në zgjedhje. Në zgjedhje të parakohshme? Ne zgjedhje, në zgjedhje. Sikur nesër të shprehet Gjykata Kushtetuese, pasnesër do shkojmë në zgjedhje”, tha Majko.
Pandeli Majko, foli edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Prishtinë, të cilat zhvillohen të dielën. Majko theksoi se do të tregohej i kujdesshëm pasi “gjërat që fliten në Tiranë kanë një konotacion të caktuar në Prishtinë”.
“Zgjedhjet kanë të bëjnë me një matematikë që ndryshon goxha shpejt në Prishtinën politike dhe që sollën edhe zgjedhjet e parakohshme. Jo vetëm thirrja e Haradinajt në Hagë, por edhe zhvillimet e brendshme brenda koalicionit që ai drejtonte qeverinë, sollën këtë rezultat. Në thelb ishte një gjest shtetari, pastaj nuk mund t’i shmangemi faktit që koalicioni nuk kishte atë vokacion me të cilin kishte filluar”, tha Majko.
Ministri i Diasporës në Qeverinë shqiptare komentoi gjithashtu edhe ndërhyrjet që bëhen nga Tirana drejt Prishtinës dhe anasjelltas. Sipas tij, duhet të marrë fund historia e “kompetentëve” që flasin se çfarë duhet të ndodhë në Tiranë apo Prishtinë.
“Nuk më pëlqen që nga Tirana të dalin kompetentë për çfarë ndodh në Prishtinë. Dhe nuk më pëlqen që nga Prishtina të dalin disa kompetentë që të flasin me kompetencë të plotë se çfarë ndodh në Tiranë. Mendoj se jemi ende herët që të flasim me kompentecë se çfarë po ndodh në Prishtinë. Kjo historia e “kompetentëve” duhet parë me shumë kujdes. Mendoj që kë më shumë mund të prishë punë sesa të rregullojë punë. Sa i përket çështjes së kufirit ishte një çështje që shqetësoi të gjithë klasën politike, por jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën, por edhe më gjerë. Mendoj se ishte një mënyrë që nuk vinte nga Prishtina, por nga Beogradi zyrtar. Kur të gjithë në Bruksel dhe në qendrat e rëndësishme të Evropës e shohin Beogradin me kujdes, kjo nuk orientohet nga pesha e vërtetë gjeopolitike që ka Beogradi, por pas Beogradit qëndron “Ariu i madh”, u shpreh Majko./TCH