3 Shtator 2024

Nga Gazeta Sot

Oligarku Samir Mane, një personazh që e quan veten biznesmen të madh, vazhdon të privilegjohet nga pushteti politik, me qëllim që të shërbejë si kanal për të kaluar një pjesë të madhe të parave dhe pasurisë publike, domethënë atë që iu përket të gjithë shqiptarëve tek kryeministri Edi Rama. Në këtë proces ai pasurohet, duke u privilegjuar nga pushteti politik me ndërtimin e gjithëfarlloj skemave për t’ i vjedhur shqiptarët, si koncesione, ndërtime në zona turistike, investime në tregti e shërbime që kreditohen nga Bashkimi Europian, si dhe me një numër të madh ligjesh që në fakt janë privilegje në dobi të tyre dhe padronit të tij Edi Rama, i shtohen bizneset.

I gjithë shteti në dispozicion të Samir Manes

Kryeministri Rama është kujdesur që gjatë këtyre 11 viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të Samir Manes, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij. Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e tij të plotësohet dhe pronat e tij të shtoheshin. Samir Mane ka gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, ka përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, ka futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje është investitor strategjik me firmën e Ramës. Samir Mane është më i përkëdheluri nga ligjet e bëra apostafat nga kryeministri. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tij të lulëzonin edhe më shumë. Më poshtë gazeta “SOT” po rendit të gjitha shërbimet e Edi Ramës ndaj Samir Manes. Në faktet që do të tregojmë fshihen skandale të mëdha. Rama fal pasuritë e shqiptarëve për interesat e Samir Manes dhe në fund ata pasurohen, ndërsa populli varfërohet.

Tuneli i Llogarasë

Po e nisim me aferën e tunelit të Llogarasë, dosje e cila ndodhet në tryezën e SPAK. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe përfundon te Ura e Palasës, duke kaluar përmes Qafës së Llogarasë. Ky është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë. Fillimisht ndërtimi iu dha me tender kompanisë që kërkoi më shumë para, në garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës. Një bashkim i dy kompanive turke, përfituan 170 milion dollarë për këtë projekt, teksa më herët u shpenzuan 7.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit. Përveç se aty del se ka grabitje të madhe, ky tunel më shumë se shqiptarëve të varfër, do t‘i shërbejë oligarkut Samir Mane, për të dërguar në fshatin e tij turistik sa më shumë turistë. Në fund të majës së Llogarasë, pranë Urës së Palasës aty ku del edhe tuneli, Mane ka ndërtuar tashmë prej vitesh një seri vilash private. Fshati nuk quhet më Palasë, por fshati i Manes, pasi vilat po zgjerohen përgjatë vijës bregdetare. Një infrastrukturë e tillë i nevojitej mikut të Edi Ramës, i cili urdhëroi përfundimin e këtij ndërtimi në kohë rekord. Çfarë përfitimi do të ketë nga turizmi, kur në këto “fshatra turistikë” si ky i Samir Manes, Rama nuk rrit numrin e shtretërve por vazhdon të krijojë shtëpitë e dyta e të treta për vetën dhe miqtë e tij në qeveri. Mjafton të trokasësh në çdo vilë në këto zona dhe aty jetojnë të gjithë ministrat e qeverive të majta apo të djathta dhe shpura me deputetë që janë pasuruar nëpërmjet favoreve qeveritare.

Porti i Vlorës

Gjithashtu, Rama me firmën e tij i ka dhënë oligarkut Samir Mane benefite shumë të mëdha, duke përdorur ligjin kontravers të miratuar me debate në vitin 2015, i cili i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Kompanitë e Samir Manes kanë marrë disa statuse investitori strategjik. Janë 5 vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe janë vendosur nga shteti shqiptar për Samir Manen mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Qeveria i transferoi kundrejt çmimit simbolik 57 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Vlorës oligarkut, pa përftime në dukje për publikun dhe shtetin, por kjo kontratë është e mbushur me favorizime për Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në rast konfliktesh. Rama nuk është ndalur me kaq. Qeveria në gusht i hapi rrugë betonizimit të “parajsës” për politikanët dhe vilave të tyre në Palasë ku vazhdon të ndërtojë Samir Mane duke betonizuar bregdetin shqiptar.

Dhuratat e Ramës për Samir Manen

Jo vetëm kaq, Edi Rama investoi paratë publike, pra të taksapaguesve shqiptarë në ndërtimin e një piste helikopterësh, një moli jahtesh, hangar për avion privat dhe shërbimesh të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “GreenCoast” në Palasë dhe sipas investigimit që ata bënë institucionet shtetërore bënë një sy qorr ndaj dëmtimit të monumentit të natyrës. Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i drejtuar nga Rama, në mbledhjen e datës 28 Dhjetor 2022, miratoi vendimin për “Leje Ndërtimi për objektin: “Hangar për avion privat në Aeroportin “Nënë Tereza”, me vendndodhje në Bashkinë Krujë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Balfin-Balkan Finance Investment Group sh.p.k”. Kjo do të thotë se oligarku ka aq të ardhura sa t’i lejojë vetes edhe blerjen e një avioni privat. Por, për “parkimin” e avionit kërkohej një leje tejet specifike, të cilën mund ta jepte vetëm Edi Rama.

Rama i plotëson çdo dëshirë Samir Manes

E natyrisht, kryeministri nuk lëkundet asnjëherë në vendimmarrjet pro Samir Manes. Rama ka miratuar lejen përkatëse, që Mane të parkojë në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Në vitin 2014, Këshilli i Kombëtar i Territorit (KKT) i dha kompanisë “Green Cost”, të drejtën për të ndërtuar mbi 500 rezidenca private në Palasë, fillimisht, në një sipërfaqe totale prej 18 ha, si dhe të drejtën e përdorimit, për njëzet vjet, të brigjeve në Plazhin e Dhralesë. Tre vjet më pas, KKT-ja miratoi një tjetër leje. Kompania fitoi të drejtën për të shtuar edhe nëntë vila të tjera, por dhe një hotel njëqind e njëzet dhomash me pesë yje. Sipërfaqja e truallit u zmadhua me tre hektarë, ndërsa koeficenti i shfrytëzimit për ndërtim, me 30%. Numri i kateve mbi tokë, u rrit me një, ndërsa, nën tokë, deri në tre. Një investigim i zhvilluar nga agjencia mediatike “Birn”, në vitin 2021, zbuloi se Fondi Shqiptar i Zhvillimit po ndërtonte një helipad (pistë helikopterësh) brenda territorit ku shtrihen godinat e rezidencës luksoze të Samir Manes në Palasë të Himarës, “Green Coast”. Ndërtimi i pistës së helikopterëve ishte pjesë e një tenderi me vlerë rreth 5 milionë euro të organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me objekt “Rikualifikimi urban në Bashkinë e Himarës-Faza II”. Ky tender u fitua nga kompania “Gjikuria” dhe procedura është shoqëruar me kundërshti të kompanive të tjera pjesëmarrëse.

Ndryshimi i hartave dhe ligjeve

Një shembull edhe më flagrant i vendosjes së shtetit në shërbim të oligarkut mbërrin nga Tirana. Qeveria dy vite më parë është investuar për të ndryshuar hartën administrative territoriale në mënyrë që Samir Mane të shmangte taksat e Bashkisë së Tiranës për ndërtimet e reja. Bëhet fjalë për kompleksin e ndërtimeve që Samir Mane po ngre pranë QTU-së. Deri para nisjes së këtyre ndërtimeve, trualli ishte nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës. Por, për të paguar më pak taksa në infrastrukturë dhe lejen e ndërtimit, përfshirë këtu edhe për të shmangur rregullin e detyrimit të garazheve dhe kateve nëntokë, Samir Mane siç duket ka lobuar në qeveri që këtë truall t’ia kalojë Bashkisë së Kamzës. Kështu ka ndodhur. Edi Rama është vënën në lëvizje dhe me një seri shkresash e vendimesh ka kaluar këtë truall në varësinë e Bashkisë së Kamzës, duke i kursyer oligarkut Mane një shumë të mirë parash, që duhet të paguante si detyrime në rast se do të aplikonte për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, qeveria vuri shtetin në shërbim të Manes dhe në kohën kur ai mori në drejtim biznesin e minierave në Bulqizë. U miratuan ligje që hoqën taksën për mineralet e përpunuara dhe në fund Mane shiti Albchrome tek grupi turk Yildirim, me një çmim më të mirë për faktin se kompania blerëse do të punonte dy vjet pa taksa vetëm nga favorizimi që bëri qeveria.