Pas Bojken Lakos dënohet edhe një poete pasi rindërtoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti
15 Nentor 2022
Poetja Mimoza Ahmeti është dënuar me 40 orë punë në shërbim të komunitetit pas një gjyqi një vjeçar ndaj saj për ndërtim pa leje. Poetja e njohur është paditur se ka bërë ndërtim pa leje, pasi tërmeti i dëmtoi shtëpinë e ndërtuar në Petrelë, në periferi të Tiranës. Ahmeti ishte pjesë e rreth 30 shtetasve të tjerë që u dënuan këtë vit pse kishin ndërhyrë për të riparuar banesat e tyre pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Dënimi i poetes Ahmeti pason atë të kantautorit Bojken Lako, i cili u dënua në prill të këtij viti nga gjykata e Tiranës me 3 vjet burg për ndërtim të paligjshëm, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u konvertua në liri me kusht. Në vendimin e gjykatës thuhej se Boiken Lako ka kryer punime pa leje në një magazinë të marrë me qira prej tij në zonën e njohur si ‘NRSHRAKU’, të cilën do ta kthente në studio muzikore.
Sipas gjykatës, Lako kishte marrë leje për kryerjen e disa punimeve hidraulike, elektrike, suvatime të mureve dhe tavaneve, shtrim me pllaka dhe restaurime të dritareve dhe dyerve të objektit, por ka ndërhyrë në godinë në hapjen e katër dritareve të reja.
Pak muaj më parë qeveria shqiptare tha se do të ndëshkojë ndërtuesit që kishin ndërtuar pa leje kate shtesë, apo godina të tëra, por asnjë prej tyre nuk u dënua, dhe sipas qeverisë, u detyruan të paguajnë për katet shtesë që kishin ndërtuar nën hundën e autoriteteve.
Kryeministri Rama deklaroi në shtator se ndërtuesit që kanë ndërtuar kate pa leje do të duhet t’i paguajnë ato me çmimin e tregut, por pa paditur asnjërin për ndërtim pa leje.
Gazeta Sot