2 Mars 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka sjellë një grup prokurorësh në Ballkan për të hetuar projektet e financuara nga USAID, ku përfshihet edhe Shqipëria. Grupi i dërguar nga administrata e Trump drejtohet nga ish-prokurori federal, Martin De Luca. Hetimet kanë nisur nga Sarajeva, prej ku kanë zbuluar se vetëm në katër vitet e fundit janë shpenzuar me projektet e USAID me organizatat joqeveritare (OJQ) të ngritura nga fondacioni Soros, rreth 402 milionë dollarë, prej të cilave 250 milionë nuk mund të përcaktohen se ku janë zhdukur.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë. Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqpërdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete”.

Mësohet se Martin De Luca bashkë me grupin e tij do të zbarkojë edhe në Tiranë për të përgatitur dosjen me abuzimet e fondeve të SHBA në vendin tonë. De Luca ka shërbyer si prokuror në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, ku ka udhëhequr çështje të korrupsionit publik, mashtrimit, pastrimit të parave dhe shmangies së taksave, shpesh në bashkëpunim me agjenci të tjera federale dhe ndërkombëtare. Ai është gjithashtu i njohur për përfaqësimin e individëve në mosmarrëveshje dhe hetime ndërkombëtare të profilit të lartë, duke zhvilluar strategji për menaxhimin e çështjeve penale dhe civile që lidhen me hetimet qeveritare, siç janë konfiskimi i pasurive, mashtrimi, sanksionet dhe falimentimi. Puna e ekspertëve amerikanë do të jetë voluminoze pasi organizatat jo qeveritare në Shqipëri kanë përfituar 189 milionë dollarë për 4 vite, konkretisht 2020 – 2024 nga USAID.

Kjo e dhënë u bë me dije pak kohë më parë nga i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, i cili ka publikuar në platformën “X” shifrat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vendi ynë qëndron i parafundit, pasi në krye të listës janë OJQ-të e Kosovës, të cilat kanë përfituar plot 537 milionë dollarë në 4 vite dhe pas tyre renditet ato të Bosnjë Hercegovinës me 402 milionë dollarë. Më pas Serbia, 209 milion dollarë Vjen Shqipëria dhe në fund Mali i Zi 77 milion dollarë. Krahas shifrave të publikuara, Richard Grenel akuzon se këto para të taksa-paguesve amerikane janë shpërdoruar duke financuar OJQ të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si shpërndaheshin fondet vetëm mes një grupi?

Por skandali nuk mbaron me kaq. Organizata “Judicial Watch” nxori në dritë fakte të reja përmes një dokumenti me 49 faqe ku tregon se si janë ndarë grantet në vendin tonë, vetëm mes disa personash. Në një kohë kur i gjithë procesi duhej të ishte transparent dhe të merrnin pjesë të gjitha organizatat që mund të përftonin grante, në fakt dokumenti tregon plotësisht të kundërtën. Komunikime të rëndësishme përmes e-maileve, që marrin për herë të parë dritën e botimit duke iu referuar organizatës së mësipërme, nxjerrin në pah rolin e Andro Dobrushit, drejtor i Open Society Foundation-Albania, i cili ka ndikuar në shpërndarjen e fondeve përmes programeve të ambasadës amerikane.

Sipas dokumenteve, Dobrushi ka qenë në qendër të takimeve të organizuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku janë shqyrtuar aplikimet për grante të organizatave joqeveritare. Një nga këto takime u mbajt më 18 qershor 2015, ku ai ishte mes të ftuarve për të dhënë opinion mbi ndarjen e fondeve të USAID-it për organizatat në Shqipëri. Një tjetër emër që del në këto dokumente është Ilva Cuko, specialiste programi në Zyrën për Çështje Publike të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajo ka dërguar disa emaile, mes të cilave një më 28 gusht 2015, ku fton Dobrushin në një takim për rishikimin teknik të granteve që fokusoheshin në projekte për “luftën kundër korrupsionit”. Gjithashtu, një email i datës 22 shkurt 2016 tregon se Dobrushi është ftuar sërish në një takim më 26 shkurt në ambasadë për të dhënë opinione mbi organizatat që duhej të merrnin financim nga fondet e USAID-it.

Dokumentet zbulojnë se ai kishte një rol ndikues në vendimet e marra nga Komisioni i Demokracisë i Ambasadës Amerikane, që kishte autoritetin përfundimtar mbi ndarjen e fondeve. Edhe në email-et e përdorura, Ilva Cuko kishte futur në rrethin e ngushtë të shpërndarjes së granteve vetëm disa persona që i ftonte të merrnin pjesë si Andi Dobrushi, Fiorela Shalsi, Elga Mitre, Rezarta Katuci, Mihallaq Qiro, Kristina Voko, Gerta Meta ndërsa për dijeni e-maili i dërgohej Angjelina Pistolit. Përveç Shqipërisë, Judicial Ëatch ka nisur procese gjyqësore për të zbuluar përdorimin e fondeve të USAID-it edhe në vende të tjera si Maqedonia, Rumania dhe Kolumbia, ku Fondacionet Open Society të Sorosit kanë pasur një prani të fuqishme.

Nga: Gzeta Sot