Pas Lavrovit dhe dy shtete pro-ruse i japin bekimin “Ballkanit të Hapur”. – Kryeministri Rama sulmon BE dhe ngre në qiell Turqinë dhe Kinën
3 Shtator 2022
Ajo çfarë është thënë vazhdimisht dhe është parë me dyshim se në fakt “Ballkani i Hapur” është një nismë që i shërben më shumë Rusisë dhe Serbisë, është konfirmuar hapur tashmë dhe me “bekimin” që i dhanë dy shtete pro ruse, Hungaria dhe Turqia. Zyrtarë të lartë nga Hungaria dhe Turqia morën pjesë në takimin e radhës së nismës së “Ballkanit të Hapur” që u mbajt ditën e djeshme në Beograd. Pra, pasi shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, u shpreh pak kohë më parë se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit, takimi i djeshëm konfirmoi dhe paralajmërimin që gazeta “Sot”, ka raportuar muajt e fundit për këtë nismë se “Ballkani i Hapur”, është një skemë anti-Perëndimore, që po përdoret si një portë shpëtimi nga Rusia lidhur me sanksionet e forta të SHBA-BE.
Turqia: ‘Ballkani i Hapur’, urë mes rajonit dhe BE
Edhe pse amerikanët e kanë bërë të qartë se nismat politike e përçajnë më shumë rajonin, Turqia mendon ndryshe. Mevlut Çavu?oglu, ministri i Jashtëm i Turqisë, i pranishëm në samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd tha dje se Turqia e mbështet këtë nismë dhe e konsideron si një urë mes rajonit dhe Bashkimit Evropian. “E shohim këtë nismë si një urë mes Ballkanit dhe BE. Zgjerimi në të shkuarën ka qenë politika më e suksesshme e BE por tashmë unioni është kthyer me sytë nga vetja. Askush nuk mund të thotë një arsye pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritën kaq gjatë. Unë shpresoj që përvoja e tyre të jetë e ndryshme nga përvoja jonë. Anëtarësimi i Turqisë është politizuar. Shpresoj që më shumë vende t’i bashkohen Ballkanit të Hapur. Ballkani duhet të marrë nën kontroll fatin e tij. Ne do të mbështesim çdo përpjekje për mirëqenien e rajonit. Ju uroj suksese’, tha kryediplomati turk, Mevlut Çavu?oglu.
Hungaria: ‘Ballkani i Hapur’ shkon drejt BE
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto tha DJE se kriza në Ukrainë tregoi se Ballkani Perëndimor definitivisht i nevojitet Bashkimit Evropian dhe se nëse do të varej nga Hungaria, rajoni tashmë do të ishte pjesë e Unionit. Në Samitin e iniciativës “Ballkani i Hapur” në Beograd, Szijjarto tha se me krijimin e kësaj nisme janë bërë hapat e nevojshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe se është koha që Brukseli të veprojë. Ai theksoi se lufta në Ukrainë, ndikimi i saj ekonomik dhe kriza shkatërruese në furnizimin me energji, krijuan një mjedis në Evropë që përfundoi me një dobësim katastrofik të BE-së. “E vërtetë është se liderët e BE-së nuk mund të parandalonin që banorët e Evropës të paguajnë çmimin e luftës për të cilën nuk janë përgjegjës. Në këto rrethana, ne besojmë se mund të shmangim problemet e mëtejshme dhe ndikimin e luftës”, shtoi Szijjarto.
Rama sulmon BE
Nga ana tjetër, kryeministri Rama nga Beogradi ka shtuar sulmet ndaj Bashkimit Evropian. Në fjalimin e tij ai është shfaqur i pakënaqur me ndërkombëtarët dhe ka konsideruar Rusinë dhe Kinën si partnere të besueshme. Rama ka ngritur në qiell presidentin Erdogan, por edhe Pekinin, të cilët i cilësoi si shpëtimtarë të Shqipërisë në kohët e saj më të vështira. Ai theksoi se pa Turqinë, nuk do të kishim pasur vaksina për luftën ndaj koronavirusit. Sulmet e tij vazhduan në momentin kur Rama e vuri theksin e fjalës së tij te kriza e energjisë. Ai i kërkoi BE-së që të ndihmojë Ballkanin dhe të mos bëjë gabimin që bëri me vaksinat. “Gjëra që kemi për t’i zgjidhur t’i zgjidhim me durim dhe mirëkuptim. Ky dimër ka gjasa të jetë më i vështiri që kemi hasur. Dhe këtu në Ballkan nuk është se kemi pasur dimra të lehtë. Sot në Kosovë ka orë të tëra ndërprerje energjie. Ky është fakt. Por edhe në Britani dhe Francë apo Gjermani po paraqiten plane shkurtimesh të energjisë. Mbyllje e jetës si në kohën e pandemisë për të kursyer energjinë. Kemi diskutuar se çfarë po na kushton mos çuarja e kësaj krize mbi shpatullat e qytetarëve tanë duke bashkëpunuar. Ne në Shqipëri kemi marrë një vendim për të mos e prekur çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Ia drejtoj përsëri BE-së apelin e përsëritur ndoshta, që të mos bëjë me ne turpin që bëri me ne në kohën e pandemisë. Liderët e BE-së e pranuan se ky ka qenë një turp” tha Rama. Por sa është fatura? Edi Rama foli shifra konkrete. “BE-së do i drejtohemi me shkrim për t’i kërkuar një mbështetje financiare ekstra. Parashikimet që kemi ndarë për shpenzimet janë marramendëse. Kemi përpara 7 muaj shumë të vështirë dhe për Shqipërinë kjo do të thotë afro gjysmë miliardi euro për të mbajtur sistemin me energji dhe mbështetur konsumatorin” tha ai.
Gazeta Shqip