16 Dhjetor 2023

Në një përmbledhje sistematike të botuar së fundmi në revistën “Psychophysiology”, studiues nga Universiteti Monash në Australi, u përpoqën të kuptojnë se si ndryshon struktura e trurit gjatë jetës sonë.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se në dekadën e pestë të jetës (pra pasi një person mbush 40 vjeç), truri fillon që t’i nënshtrohet një “rilidhjeje” të gjerë, proces që gjeneron rrjete të ndryshme që janë më të integruara dhe më të lidhura në dekadat në vijim, duke pasur efekte të drejtpërdrejta mbi aftësitë njohëse të njeriut.

Që nga fillimi i këtij shekulli, neuroshkencëtarët e kanë parë gjithnjë e më shumë trurin si një rrjet kompleks, i përbërë nga njësi të ndara në rajone, nën-rajone dhe neurone individuale. Këto njësi janë të lidhura në mënyrë strukturore, funksionale ose të dyja bashkë.

Me teknikat gjithnjë e më të avancuara të skanimit në dispozicion, neuroshkencëtarët mund të vëzhgojnë pjesët e trurit të subjekteve që “aktivizohen” në përgjigje të stimujve, ose kur thjesht janë në pushim, duke kryer një vështrim sipërfaqësor se si sinkronizohet truri ynë.

Ekipi i Universitetit Monash shqyrtoi mbi 144 studime, të cilat përdorën këto teknika imazherie për të analizuar trurin e dhjetëra mijëra njerëzve. Nga kjo analizë, studiuesit gjetën një prirje të përgjithshme se si rrjetet neurale në tru ndryshojnë gjatë jetës sonë. Që në fillim, në vitet tona të adoleshencës dhe në moshën e rinisë, truri duket se ka rrjete të shumta, të ndara me nivele të larta të lidhjes së brendshme, gjë që reflekton aftësinë për një përpunim të specializuar.

Dhe kjo ka kuptim, pasi kjo është koha kur mësojmë se si të luajmë sport, të flasim gjuhë të huaja dhe të zhvillojmë talente në fusha të ndryshme. Por rreth mesit të të 40-ave, kjo gjë fillon të ndryshojë. Truri nis të bëhet më pak i lidhur brenda atyre rrjeteve të veçanta, dhe më i lidhur në gjithë strukturën celebrale.

Kur arrijmë të 80-at, truri priret të jetë më pak i specializuar rajonal, duke qenë më i ndërlidhur dhe i integruar. Kjo “rilidhje” ka efekte të prekshme tek aftësitë njohëse. “Të moshuarit priren që të tregojnë një mënyrë të menduari më pak fleksibël, sikurse është formimi i koncepteve të reja dhe të menduarit abstrakt.

Por ashtu, ata kanë një shpejtësi reagimi më të vogël dhe një arsyetimi më të zbehtë verbal dhe numerik. Këto ndryshime të funksioneve zbatuese, mund të shihen fillimisht te të rriturit në dekadën e tyre të pestë të jetës, në përputhje me gjetjet e rishikimit sistematik të studimit, që arriti në përfundimin se ndryshimet funksionale të lidhjes së rrjetit arrijnë pikun në dekadën e katërt dhe të pestë të jetës”- shkruajnë studiuesit.

Por lajmet nuk janë të gjitha të këqija. “Detyrat që mbështeten mbi procese kryesisht automatike ose të mirë-praktikuara, ndikohen më pak nga mosha ose madje mund të rriten pak gjatë gjithë jetëgjatësisë, si fjalori i përdorur dhe njohuritë e përgjithshme”- shkruajnë autorët e studimit në fjalë.

Po pse ndodhin këto ndryshime të rrjeteve të trurit? Studiuesit ofrojnë disa hipoteza. Ata vunë në dukje se truri është një organ i uritur për burime, që nuk ngopet vetëm me glukozë (sheqer). “Truri i të rriturve përbën afërsisht 2 për qind të peshës totale të trupit, por kërkon afro 20 për qind të furnizimit total me glukozë”- shkruajnë ata.

Megjithatë teksa plakemi, trupat tanë priren të ngadalësojnë funksionimin e tyre, prandaj truri bëhet më pak efikas. Pra, truri jo vetëm që merr më pak glukozë, por ai nuk po e përdor energjinë si duhet. Kështu, ndryshimet në rrjet ka të ngjarë të shkaktohen nga riorganizimi i trurit për të funksionuar aq mirë sa mundet me burimet në pakësim, dhe me një “hardware” të vjetruar.

Dieta e duhur ushqimore, stërvitja fizike e rregullt dhe një mënyrë jetese e shëndetshme mund ta mbajnë mendjen në gjendje të mirë pune dhe të vënë në pritje ndryshimet e rrjetit, ndonjëherë edhe në pleqëri. Struktura e brendshme e trurit është vërtet misterioze. Por me këtë studim të gjerë, që përfshiu qindra studime të zhvilluara më herët dhe dhjetëra mijëra skanime të trurit, ne po fillojmë të kemi një panoramë të përgjithshme se si ndryshon truri gjatë gjithë jetës sonë.

“Gjatë viteve të para të jetës, ka një organizim të shpejtë të rrjeteve funksionale të trurit. Më pas ndodh një përsosje e mëtejshme e rrjeteve funksionale deri në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës. Gjatë plakjes mund të pasojë një ndërveprim i shumanshëm i ndryshimeve potencialisht të dëmshme dhe kompensuese”, përfunduan studiuesit.

Gazeta Dita