Pas rikthimit në Kuvend të Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, – Rudina Hajdari kërkon ribledhjen e Këshillit Politik.
Pas rikthimit në Kuvend të Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, – Rudina Hajdari kërkon ribledhjen e Këshillit Politik.
Me anë të një letre, zonja Hajdari thotë se rikthimi nga ana e Presidentit është një mundësi e mirë për të ri mbledhur tryezën e Këshillit Politik.
Presidenti Meta kundërshton veçanërisht pjesën e Kodit Zgjedhor që bën fjalë për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore duke paralajmëruar dërgimin në Komisionin e Venecias.
Në letrën drejtuar Damian Gjiknurit nga PS, Oerd Bylykbashit nga PD dhe Petrit Vasilit nga LSI, zonja Hajdari kërkon që mbledhja të zhvillohet në orën 11:00 të ditës së martë për të arritur një kompromis për t’i dhënë saj “përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve”.
MESAZHI I PLOTË
Të nderuar kolegë,
Presidenti i Republikës e ka rikthyer për shqyrtim Projektligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe në gjykimin tim kjo është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, siç është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interesat e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng.
Kur u bëra pjesë e Këshillit Politik, mendova se kishim një shans që ta ndalonim këtë traditë të shëmtuar dhe për herë të parë të prodhonim një produkt i cili do ti shërbente shumicës së qytetarëve e jo 2 po 3 politikanëve.
Prandaj, duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi i qytetarëve duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve.
Kjo do të ishte një sinjal nga ana juaj, se keni në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia.
Qytetarët shqiptarë janë duke na ndjekur me shumë vëmendje dhe jam e bindur se do ndëshkojnë rëndë ata të cilët vazhdojnë avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit.
Duke shpresuar në një reagim pozitiv, Rudina Hajdari.
Gazeta Panorama