Pas shout TV dhe hartimeve politike, koha e shifrave dhe punës (që po vonon). –
Pas shout TV dhe hartimeve politike, koha e shifrave dhe punës (që po vonon)
23 dhjetor 2019
Shqipëria gjendet përpara një prej emergjencave më të mëdha kombëtare të dekadave të fundit.
Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit ka prekur rëndë Durrësin, një prej motorëve kryesorë të ekonomisë në vend, sidomos për turizmin; ka goditur Tiranën dhe pothuajse ka shkatërruar qytete të vogla si Thumanën, Shijakun, apo më pak edhe Vorën.
Të dhënat e deritanishme flasin për më shumë se 2500 objekte të pabanueshme, ndërsa janë prishur rreth 500.
Fatura financiare është ende e paqartë, por ajo vlerësohet se do të jetë shumë më e lartë sesa fondi fillestar i alokuar nga rishikimi i buxhetit 2020 dhe donatorët, që nuk i kalon 20 miliardë lekët (rreth 160 milionë euro).
Teksa pasojat e tërmetit sa vijnë e po bëhen më të qarta dhe gërmadhat e objekteve të shembura po pastrohen, sfida më e madhe në afatin e shkurtër, por edhe të mesëm do të jetë rindërtimi dhe kthimi gradual në normalitet.
Ky proces kërkon një strategji të qartë, të bazuar në shifra, plane konkrete veprimi, vlerësime realiste dëmi, alokimin e duhur të fondeve.
Një strategji sa më e plotë dhe me objektiva të qarta do të ndihmonte në fillimin e shpejtë të procesit të rindërtimit, që dhe vetë qeverisë do i ulte kostot e bonuseve të qirave dhe qytetarët do i ndihmonte t’i riktheheshin sa më shpejt jetës normale.
Por ajo që po shohim është një zvarritje e procesit.
Nuk ka ende një vlerësim të plotë të dëmit dhe as një plan veprimi për rindërimin e objekteve të dëmtuara.
Shumë banorë, në fshat e qytet, objektet e të cilëve kanë dalë të pabanueshme, nuk po dinë çfarë të bëjnë, teksa ankohen që askush nuk po i sqaron për procedurat e mëtejshme.
Shumë prej tyre, në mungesë të alternativave, po rrezikojnë duke u rikthyer në banesa, duke shpërfillur si shiritat e kuq ashtu dhe lëkundjet e tërmetit që nuk po kanë të ndalur.
Tregu i qiradhënies ka dalë jashtë kontrollit, me rritjen abuzive të çmimeve, sidomos në zonën e Durrësit, ku pothuajse të gjitha pallatet e reja kanë dëmtime kryesisht në muraturë.
Banorët e prekur duken të zhgënjyer, të pashpresë, teksa zgjidhja duket larg nga njëra anë dhe vëmendja ndaj tyre edhe nga vetë qeveria, (që është shumë e zënë me halle të tjera të mëdha si ligji i medias, apo shkarkimi i Presidentit) sa vjen e po bie.
E në këtë situatë kaotike, ku gjërat po ecin me ritëm tepër të ngadaltë, rreziku i abuzimeve post-tërmet sa vjen e shtohet.
Ai fillon që me vlerësimin, i cili mund të fryhet, duke pasur tendencën që të zmadhohen dëmet, sidomos për entet publike.
Abuzuesit, për faj të të cilëve ka pasur edhe jetë të humbura dhe kosto shembjeje të panevojshme, mund të nxitojnë të shmangin përgjegjësitë nga vetja, duke rritur rrezikun e korrupsionit.
Të tjerë mund t’i vënë fajin tërmetit për të mbuluar dobësitë në tenderat e realizuar keq. Duke u justifikuar me tërmetin mund të prishen objekte që në fakt nuk janë aq të dëmtuara, por synojnë të përdoren për qëllime të tjera.
Po me justifikimin e tërmetit mund të kalojnë me nxitim ligje shtrënguese të pamenduara e të padebatuara mirë.
Marrëdhëniet sigurues-banka-kredimarrës sërish pritet të jetë një pikë e nxehtë, teksa sigurimi është kthyer në pjesën më të madhe për vlerën e mbetur të kredisë.
Edhe vetë individët nga ana tjetër do të tentojnë të përfitojnë nga kjo situatë, siç po ndodh p.sh me qiratë, apo me individë që tentojnë të deklarohen si të pastrehë, kur dhe më parë kanë qenë të tillë.
Vlerësimi i faturës financiare mund të sjellë gjithashtu një mundësi të madhe abuzimi.
Ndërtuesit po tentojnë të përfitojnë nga kjo situatë për të shitur banesat, që u kanë mbetur stok, edhe pse nuk duket se janë shumë të gatshëm të heqin dorë nga fitimet e tyre.
Tenderat e pas rindërtimit sërish mund të jenë të fryrë, siç ndodh rëndom me shpërdorimin e parave publike në vend dhe mund të rrezikojnë që të përfundojnë në një grusht të vogël kompanish që i përfitojnë gjithmonë ato, ndonëse Dhoma e Durrësit ka propozuar që në to të përfshihen sipërmarrje të prekura, si një formë indirekte kompensimi.
Nga ana tjetër, ndoshta mund të ishte më eficiente që të prekurit të kompensoheshin direkt, sepse do të ishin më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre.
Koha, është armiku më i keq në këto ditë të vështira.
E kemi fjalën si për motin, me dimrin që po ashpërsohet dhe po gjen qindra banorë nën çadra, po ashtu dhe për mungesën e veprimeve të shpejta, të qarta e të sakta.
Sa më shumë që të zgjasë amullia aq më të larta do të rezultojnë dëmet, aq më shumë do rritet rreziku për abuzime e korrupsion, duke ndikuar negativisht jo vetëm shpresën e mijëra banorëve por dhe ecurinë e vendit në të ardhme
Monitor
j.l./ dita