“Pas zgjerimit me 12 milje në det…”, Mitsotakis: – Qëndrimi jonë ndaj integrimit të Shqipërisë varet…
11 Shtator 2022
…”… ka një marrëveshje paraprake që të shkojmë në Hagë, por pasi ne të kemi zgjeruar kufirin tonë detar me 12 milje”.
Integrimi evropian i Shqipërisë është në favorin e Greqisë, ka theksuar midis të tjerash në konferencën tradicionale para mediave greke me rastin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
“Athina ka mundësinë që gjatë hapjes së kapitujve të imponojë”, ka thënë ai, “mendimet e saj në lidhje me temat e karakterit dypalësh dhe të shkojë në Hagë për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike pas zgjerimit të kufijve detarë me 12 milje”.
“Pra, jemi plotësisht të vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje, por më duket se edhe si nevojë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, të mundemi të zgjidhim problemet e pazgjidhura që kemi nga e kaluara. Dhe dua të referohem konkretisht se edhe për përcaktimin e Zonës Eksluzive Ekonomike , ka një marrëveshje paraprake që të shkojmë në Hagë, por pasi ne të kemi zgjeruar kufirin tonë detar me 12 milje. Është diçka e mirë kjo sepse tregon që çështje të tilla, mund të zgjidhen nga një organ ndërkombëtar perëndimor i drejtësisë, një zhvillim i rëndësishëm, në se do të mund ta arrijmë”,
tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
I pyetur për mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe nëse do ta quante satelit të Erdogan, kryeministrin shqiptar ai është përgjigjur:
“Është një proces që kërkon shumë kohë, dhe për çdo kapitull që hapet gjatë negociatave, kemi mundësinë që me këtë mënyrë të imponojmë mendimet tona dhe të bisedojmë temat të cilat i përkasin karkterit dypalësh të lidhjeve tona. Nga ana tjetër nuk dua të karakterizoj ,kryeministrin shqiptar, personalisht kam një lidhje shumë të mirë me të, dua të jem i sinqertë dhe është në favorin tonë të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe, paralelisht duke njohur faktin se ekziston një minoritet kombëtar grek , i cili duhet të mbrohet. Dhe kjo është një diçka që e kam bërë të qartë tek kryeministri shqiptar dhe kjo do të përcaktojë edhe qëndrimin tonë gjatë periudhës së negociatave integruese”.
Mitsotakis ka sqaruar edhe zërat për rrugën Janinë- Kakavijë ,duke theksuar se nuk do të jetë në nivelin e një autostradë, pasi mungojnë sponsorizimet, por do të jetë gjithsesi një rrugë moderne dhe e sigurt që do të mbulojë nevojat e Greqisë kontinentale dhe të atyre që do të duan të përdorin këtë pikë kufitare dhe të shkojnë në Shqipëri.
Top Channel