Paskal Milo: – “Është vetëm fillimi”, per Ballkanin Perendimor
27 Tetor 2022
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, sheh një interes të shtuar të BE-së në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, falë rrethanave të krijuara muajt e fundit në Europë. Në studion e lajmeve të MCN TV, Milo tha se paketa mbështetëse prej 80 milionë euro për përballimin e krizës energjitike që BE i akordon Shqipërisë do të pasohet edhe nga të tjera, kjo edhe për vendet e tjera të rajonit.
“Është vetëm fillimi. Do të ketë paketa të tjera ndihme që do të vijnë më vonë. Është një projekt i Brukselit i studiuar mirë. Kemi një vëmendje të shtuar të BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vendet e BP duhen konsideruar partnere. Tashmë BE po mendon seriozisht që BP ta mbajë afër dhe ta mbështesë dhe jo t’i japë premtime dhe karamele. Duhen jo vetëm ndihma të karakterit simbolit, por duhet të konsiderohen pjesë integrale e BE.
Fjalimet e presidentes së KE nuk bëhen në funksion të objektivave të partive politike. Ato ndërtohen në raport me Shqipërinë si shtet. Asnjëherë BE nuk ka pasur qasje që të mbështesë një forcë politike të caktuar. BE në radhë të parë, prandaj ka edhe delegacionin e tij këtu”, deklaroi Milo.
Por i pyetur në lidhje me samitin BE-Ballkani Perëndimor që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, Milo theksoi rëndësinë e unifikimit të politikës shqiptare.
“Do të ishte një mesazh pajtues. Për integrimin europian nuk është e interesuar vetëm maxhoranca, por edhe opozita. Të dyja kanë pasur axhendën e integrimit europian. Integrimi nuk është çështje private e një partie politike, edhe pse këto të fundit përpiqen t’i shfrytëzojnë arritjet në procesin e integrimit sikur janë meritë vetëm e tyre. Politika shqiptare nëse do të bëhet europiane, duhet të mësojë si bëhet arti i kompromisit”, tha ish-ministri.
Gazeta Sot