Paskal Milo: – Ndryshimet në Kushtetutë janë marrëzi.

14/07/2020

Ish-ministri i jashtëm Paskal Milo thotë se deklarata e ashpër e Bundestagut mbi ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë e vetmja nga faktori ndërkombëtar. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Milo theksoi se me këtë levizje po rrezikohet stabiliteti politik i vendit.
“Unë do të thoja që është deklaratë e paralajmëruar dhe nuk do të jetë e vetmja. Me siguri që sot nesër do të ketë edhe të tjera që do të vijnë nga partnerët ndërkombëtar sepse mënyra se si po zhvillohen ngjarjet në Shqipëri rrezikon jo thjesht vetëm marrëveshjen e 5 qershorit por rrezikon stabilitetin politik të vendit, gjë që për ndërkombëtarët është çështje shumë serioze. Prandaj dhe ata po ndërhyjnë. Ky teksti i CDUS-së është një tekst gati ultimativ që kërcënon dhe thotë që nuk do të hapet konferenca e parë ndërqeveritare në rast se do të ketë ndryshime në marrëveshjen e 5 qershorit.”- tha Milo.
Sipas tij, kjo është një lëvizje politike ekstreme e Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme. “Unë dua të besoj dhe kam një nuhatje që kjo më tepër është një lëvizje politike inekstremis e Partisë Socialiste për të dëshmuar që kërkon të sigurojë lëshime qoftë edhe minimale në krijimin e infrastrukturës elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Nuk besoj se marrëzia mund të arrijë deri aty sa të bëhen këto ndryshime kushtetuese që janë përfolur. Në mënyrë të veccantë mohimi I të drejtës të partive politike për të shkuar në zgjedhje në koalicion.” – theksoi Paskal Milo në Përballë.

Gazeta Koha e Jone.