Paskal Milo: – Rusia e fitoi luftën, ky është fakt! – SHBA është tërhequr nga angazhimi prioritar! Ja mesazhi që Trump ka dhënë për Evropën
7 Mars 2025
Paskal Milo konstaton faktin se Rusia e ka fituar luftën me Ukrainën. Sipas tij, duam apo nuk duam ne “Rusia është në avantazh në cdo negociatë që do të bëhet”.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Milo deklaroi se SHBA është tërhequr nga angazhimi prioritar për ta mbështetur Ukrainën.
Sipas tij, tashmë SHBA kërkon të ulë tensionet me Rusinë, duke u angazhuar në një front tjetër, në Kinë. Sipas tij, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka dhënë një mesazh të qartë Evropës, që duhet të marrin përsipër sigurinë e kontinentit të tyre.
“Më lejo të konstatoj një fakt të kryer. Rusia e fitoi luftën. Ky është fakt, sepse tre vjet pas luftës jo vetëm që nuk u tërhoq në territoret që kishte para luftës, por i zgjeroi ato. Rusia është në avantazh në cdo negociatë që do të bëhet. Duam apo nuk duam ta pranojmë ky është fakt. E dyta kemi një tërheqje të SHBA nga angazhimi i tyre prioritar, strategjik edhe në kuadrin e NATO-s për ta mbështetur Ukrainën në këtë betejë të madhe. Kjo nuk duket tani, ka një tërheqje nga ana e Presidentit Trump, e dukshme, e qartë që shtron rrugën për bisedime me Rusinë në një plan shumë më të gjerë sesa përmbyllja e konfliktit të Ukrainës.
Do jetë një përpjekje për të krijuar një ulje tensioni mes Rusisë dhe SHBA për t’i çliruar SHBA-të, për t’u angazhuar në një front tjetër që do jetë lindja e largët Kina dhe jo më Evropa. Prandaj dhe Trump këmbëngul dhe i thotë Evropës që SHBA këtej e tutje nuk do të marrin përsipër sigurinë e kontinentin Evropian, por angazhohuni vetë, rrisni shpenzimet dhe mbani përgjegjësinë për kontinentin tuaj”, i cili tha se “Evropa duhet të shkojë drejt nënshkrimit të një traktati të ri”.
Gazeta Panorama