Pastrimi i parave dhe PPP, rreziqet që mund të çojnë në kolaps ekonominë.

15/01/2019

Flet Panajot Soko, analist risku.

Zhvillimet ekonomike në vitin 2019 rrezikojnë të cenohen nga shpërthimi i flluskës në ndërtim nga pastrimi i parave të pista dhe angazhimi i projekteve me Partneritet Publik-Privat, thotë Panajot Soko, analist risku.

“Në pikëpamjen e analizës së riskut, shoh si shqetësuese hyrjen e lirshme të parasë së pistë në qarkullim, pasi ekspozon tregun ndaj deformimeve të çmimeve të monedhës, apo të mallrave dhe ‘flluskave’ që krijohen në raste të tilla. Paraja e pistë, kur hyn në sasi të mëdha, zakonisht fokusohet në një ose dy sektorë, duke krijuar flluska në këta sektorë”, tha Soko. Rritja e çmimit të apartamenteve në nivele historike kohët e fundit, ndërkohë që kredia për apartamente nuk është rritur, tregon se apartamentet nuk po blihen nga njerëz që duan një shtëpi për të jetuar, por nga njerëz që pasi t’i blejnë, pas njëfarë kohe të shkurtër, do t’i shesin sërish ato.

“Momenti i dytë ku shoh risk të shtuar është evoluimi galopant i koncesionimit me model PPP. Në vitin 2018 u rrit numri i kontratave PPP dhe natyrisht dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Me shqetësim vihet re përkeqësimi i treguesve kryesorë të këtyre kontratave dhe kryesisht raporti kosto-përfitim”, tha Soko.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2018?

Fillimisht, në një vlerësim të performancës, personalisht e konsideroj 2018-n si një vit stanjativ në ecurinë e ekonomisë. Rritja ekonomike prej 4% që u regjistrua erdhi nga tre faktorë; investimet e Devolli Hydropower dhe gazsjellësit TAP, si dhe sasia e madhe e energjisë elektrike të prodhuar për shkak të reshjeve të bollshme. E zhveshur nga këto tre elemente, rritja ekonomike do të ishte e papërfillshme. Të tre këto elemente, që kanë gjeneruar rritjen ekonomike, nuk janë elemente strukturore, por komponentë të përkohshëm në rastin e Devollit dhe TAP, si dhe fenomene rastësore në rastin e reshjeve.

Kjo do të thotë që në aspektin strukturor, ekonomia po qëndron në vendnumëro dhe kjo është një situatë që vijon prej shumë vitesh. Konsumi gjatë vitit ishte në nivele anemike dhe indekset e besimit konsumator dhe të tregut qëndruan në pjesën më të madhe të kohës poshtë mesatares historike dhe dukshëm në përkeqësim krahasuar me një vit më parë; inflacioni vazhdoi të ishte në nivele të ulëta dhe kredia e ndaj biznesit pësoi rënie. Kjo do të thotë që ekonomia po kalon një periudhë stanjacioni, që po zgjat shumë në kohë. Aktualisht ngjan me një trup të paushqyer që mezi qëndron në këmbë. Konsumi, kredia ndaj biznesit dhe investimet e huaja që do të ishin ushqimi, këtë vit munguan.

Për të kaluar në një vlerësim risku, personalisht do të veçoja dy momentet kryesore që i vlerësoj si ngjarjet kryesore në këtë drejtim.
Së pari, ishte zhvlerësimi i monedhës europiane. U duk qartazi që në qarkullimin ekonomik shqiptar, këtë vit, u futën sasi të jashtëzakonshme të monedhës europiane, të cilat deformuan substancialisht kursin e këmbimit të monedhës. Nëse pjesa më e madhe e analistëve janë të fokusuar te masa e madhe e këtij zhvlerësimi (aktualisht rënia vlerësohet me rreth 10% që nga fillimi i vitit) dhe pasoja që ajo ka në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në pikëpamjen e analizës së riskut, shoh si më shqetësuese konsistencën e saj rënëse (Euro është zhvlerësuar sistematikisht në më shumë se gjysmën e ditëve të vitit) dhe imunitetin që ajo fitoi ndaj ndërhyrjeve që Banka e Shqipërisë bëri në treg, duke i zhvlerësuar totalisht ato.

Ky është një tregues shqetësues, sepse tregon që flukset e kartëmonedhës Euro që e kanë prejardhjen nga aktivitete të paligjshme, kanë hyrë në mënyrë të vazhdueshme në treg, të pashqetësuara nga frika e shtetit dhe forca e ligjit. Kjo tregon brishtësinë e organeve tona ligjzbatuese dhe pafuqinë e institucioneve shqiptare përballë këtij realiteti. Hyrja lirshëm e parasë së pistë në qarkullim ekspozon tregun ndaj deformimeve të çmimeve të monedhës, apo të mallrave dhe “flluskave” që krijohen në të tilla raste.

Paraja e pistë, kur hyn në sasi të mëdha, zakonisht fokusohet në një ose dy sektorë, duke krijuar flluska në ta. Aktualisht paraja e pistë që ka hyrë në Shqipëri duket se është fokusuar te pasuritë e paluajtshme dhe kryesisht apartamentet, duke krijuar një flluskë financiare në këtë sektor. Siç dihet gjerësisht, rreziku i flluskave për ekonomi të brishta si e jona, është shumë i madh, pasi efektet që ajo do të ketë kur të plasë, do të jenë të paparashikueshme. Rritja e çmimit të apartamenteve në nivele historike kohët e fundit, ndërkohë që kredia për apartamente nuk është rritur, tregon se apartamentet nuk po blihen nga njerëz që duan një shtëpi për të jetuar, por nga njerëz që pasi t’i blejnë, pas njëfarë kohe të shkurtër do t’i shesin sërish ato. Qëllimi i tyre është që paratë që kanë jashtë bankës të siguruara me aktivitete të paligjshme, t’i fusin në bankë si para që vijnë nga transaksione të ligjshme.

Momenti i dytë ku shoh risk të shtuar është evoluimi galopant i koncesionimit me model PPP. Në vitin 2018 u rrit numri i kontratave PPP dhe natyrisht dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Me shqetësim vihet re përkeqësimi i treguesve kryesorë të këtyre kontratave dhe kryesisht raporti kosto-përfitim. Termat e kontratave PPP të diskutuara e të bëra publike gjatë këtij viti kanë qenë më të këqija se ato të një viti më parë. Kostot e këtyre projekteve kanë kaluar në nivele gati absurde, me rrugë që ndërtohen me 20 milionë euro kilometri, apo çmim 5 euro për kalim në një aks kombëtar, pa rrugë alternative.

Përveç dëmit që këto lloj aktivitetesh i shkaktojnë publikut dhe financave në periudha afatshkurtra, rrezikun më të madh ato e paraqesin në periudha afatmesme. Risku kryesor që kjo histori me PPP mbart është kolapsi i buxhetit, për shkak të peshës së madhe që pagesat e tyre do të zënë në buxhet, kur ato të hyjnë në fuqi me regjim të plotë. Nisur dhe nga tregues të tjerë, si rritja e madhe e numrit të të larguarve jashtë, apo tendenca e lartë që kanë të rinjtë për t’u larguar nga Shqipëria, çka përkthehet në ulje kontribuuesish për buxhetin e shtetit, personalisht besoj se situata me pagesat e detyrueshme nga buxheti shumë shpejt mund të ndërlikohet deri në pikën që Shqipëria të jetë Greqia e radhës.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë në vitin 2019 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Nisur nga treguesit makro, me të cilët u mbyll viti 2018 dhe bazuar në projeksionet që qeveria paraqiti për 2019-n në prezantimin e buxhetit, nuk parashikoj ndonjë event që do të ndryshonte statusquo-në. Natyrisht, si vit elektoral, pres rritje të shpenzimeve qeveritare në gjysmën e parë të vitit, e shoqëruar dhe me një injektim fondesh të cilat do të lëvrohen po për shkak të fushatës, këtë radhë nga sponsorët, kandidatët apo partitë, siç ka ndodhur rëndom në gjithë këto vite. Këto ngjarje do të mund të ndikojnë disi në stimulimin e përkohshëm të konsumit, por që e gjitha do të korrektohet në gjashtëmujorin e dytë, kur niveli i shpenzimeve qeveritare të ulet shumë dhe paratë e fushatës të mos jenë më.

Pjesa tjetër nuk shoh të ketë ndonjë ndryshim nga viti 2018. Gjatë prezantimit të buxhetit nuk dallova asnjë të dhënë që do të tregonte se nga ana e aktorëve do të kishte nisma reformuese në kuadër të stimulimit të motorëve të rritjes ekonomike që janë konsumi dhe investimet lokale, Investimet e Huaja Direkte apo eksportet. Mendoj se ekonomia do të vazhdojë të performojë po njëlloj si deri më tani.

Rritja ekonomike e projektuar 4.5%, mendoj se nuk është realiste nisur nga fakti që konsumi do të vazhdojë të mbetet në nivele anemike me inflacionin që fle prej disa vjetësh në nivelet 1.8 – 1.9% dhe do të vazhdojë po njëlloj dhe në vitin 2019. Indeksi i besimit është në nivele negative. Kjo do të thotë që niveli i kreditimit do të vazhdojë të jetë i ulët, në mos negativ, gjë që do të reflektohet në investimet lokale. Investime të huaja me peshë që do të ndikonin në mënyrë substanciale rritjen ekonomike nuk do të ketë, sepse nëse do të kishte, projektet do të ishin bërë publike. Eksportet dhe turizmi do të vazhdojnë nivelin e tyre të ecurisë dhe nuk pritet ndikim thelbësor prej tyre në rritje, pasi krahasuar me 2018 nuk do të ketë ndryshime as në infrastrukturën e shërbimeve, as në atë publike.

Edhe projektet qeveritare të të ashtuquajturit Partneritet Publik-Privat, për shkak të kostove të larta që ato mbartin dhe mosleverdishmërisë ekonomike, nuk pritet të ndikojnë në përmirësimin e rritjes ekonomike, pavarësisht çmimit të lartë që do të paguhet për to.
Nisur nga një prognozë e tillë, gjykoj se nuk do të ketë ndryshim thelbësor në ekonominë shqiptare nga viti 2018 dhe niveli i parashikuar i rritjes 4.5% është i pabazë.

Çfarë konsideroni ju si moment risku me nivel të lartë në aspektin ekonomik dhe social, mbi të cilin qeveria duhet të ketë fokus të veçantë në vitin 2019?

Po i qëndroj strikt ndarjes që ju keni bërë dhe po i ndaj në dy grupe. Rreziqe të natyrës ekonomiko-financiare dhe të natyrës social-politike. Nga pikëpamja ekonomike, rreziqet kryesore do të vazhdojnë të jenë po ato të 2018-s, veçse me valencë të ndryshme.

Risku i parë është hyrja e parasë së pistë dhe infiltrimi i saj në treg. Siç e shpjegova dhe më lart, shqetësimi im në lidhje me këtë çështje, nuk është kursi i këmbimit apo zhvlerësimi i Euros. Për sa i përket çështjes së zhvlerësimit të euros, mendoj se Shqipërisë sot, një lek i fortë, i sjell më shumë të mira se dëme. Shqetësimi im është fakti që dobësia dhe paaftësia e institucioneve për të parandaluar apo për të frenuar hyrjen e monedhës së aktiviteteve të paligjshme në treg, përveçse dëmit që sjell në imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve dhe gjithë botës, si vend që pastrohen para, ajo shkakton dhe deformime të tilla në treg, duke krijuar premisa për zhvillimin e flluskave financiare, si flluska aktuale e çmimit të mbivlerësuar të shtëpive.

Risku i dytë dhe më kërcënues është zgjerimi i projekteve PPP. Parashikimet për vitin 2019 flisnin për projekte në masën rreth 260 miliardë lekë, ose diku afër 2.2 miliardë. Pra rreth 16% e PBB-së që varen në qafën e Shqipërisë së varfër brenda një viti, janë një gur shumë i rëndë që mund ta tërheqë poshtë atë. Është e nevojshme që qeveria të heqë dorë menjëherë nga një orientim i tillë, sepse skenari që na pret të gjithëve, nëse qeveria vazhdon dhe shton borxh të tillë, për projekte me raporte kosto-përfitim totalisht joeficente, është as më shumë e as më pak, por skenari grek.

Në momentin kur ne kemi flukse të tilla largimi të popullatës, ku rreth 350 mijë persona janë larguar për 5 vjet, kur 79% e të rinjve mendojnë të largohen jashtë, atëherë do të vijë një ditë që këtu s’do të kenë mbetur njerëz për të paguar për koncesionet. Ata që do të kenë mbetur, do ta kenë të vështirë të shtrëngohen aq shumë sa të përballojnë rritjen e taksave dhe s’do të paguajnë dot për të gjitha. Dhe aty skenari grek do të përsëritet në vendin tonë këtë radhë.

Nga pikëpamja social-politike, sfida është më e thellë dhe më komplekse. Gjeneza e së gjithës është pabarazia. Pra në vendin tonë pabarazia është rritur kaq shumë, saqë ajo është kthyer në burimin kryesor të mungesës së shpresës, e cila më pas, së bashku me mungesën e një oferte të besueshme politike, gjeneron largimin e shqiptarëve dhe boshatisjen e vendit.
Pabarazia përpara ligjeve dhe rregullave, në përfitimin e burimeve natyrore, në pagesën e taksave dhe përfitimeve nga to duket se janë kthyer në një lajtmotiv dëshpërues për një pjesë të mirë të shqiptarëve.

Kur dikush që sforcohet për të paguar taksat, shikon që paratë që ai ka paguar me aq shumë sforco shkojnë për projekte me kosto të larta që bien erë korrupsion dhe që presupozojnë faktin që një individ, i afërm me pushtetin po përfiton për t’i futur në xhep një pjesë të mirë të atyre parave të taksave, kjo pabarazi në detyrimin dhe përfitimin e së mirës së përbashkët natyrisht që shkakton dëshpërim dhe dëshirë për t’u larguar.
Kur dikush shikon që këtu një individ i varfër shkon në burg për lidhje dritash, që ia kanë prerë pasi nuk ka para për të paguar, ndërkohë që për dëme kolosale që i bëhen shtetit, për tenderë të manipuluar, për praktika korruptive miliona dollarëshe askush nuk mban përgjegjësi dhe prokuroria dhe gjykata as nuk e vënë ujin në zjarr dhe kjo natyrisht që perceptohet si pabarazi përpara ligjit dhe shkakton dëshpërim dhe dëshirë për t’u larguar.

Fakti është që faktori shtet është një ndër aktorët kryesorë që ushqejnë pabarazinë dhe po fakt është që qytetarët e shohin këtë çdo ditë, por ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka prandaj preferojnë më mirë të largohen nga vendi.
Burimi i plagës më të madhe dhe që është duke u rritur eksponencialisht, në trupin e këtij vendi është pabarazia mes shtetasve. Mendoj se kjo është sfida e të gjitha sfidave dhe që kërkon një rikonceptim të ri të të gjithë filozofisë, pikëvështrimit dhe natyrisht dhe elitës politike. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, bazuar në ato çka kanë ndodhur më parë, shifrat e njerëzve që pritet të largohen nga ky vend do të jenë shumë më të larta nga ç’mund të imagjinohen dhe falimentimi i tij do të jetë një ngjarje e sigurt.

Revista MONITOR.