Nezafete Karaxhiu-Çitaku

Pasurimi i Muzeut Etnologjik, Prishtine me eksponate – shembull i njohjes së vlerave

10 shkurt 2021

Nga: Koha.net, Prishtine

Nga Alberina Haxhijaj

Katër eksponate tekstili që i ka trashëguar prej së ëmës, Nezafete Karaxhiu-Çitaku ia ka dhuruar Muzeut Etnologjik

Njohja e vlerave të trashëgimisë kulturore e vullneti që ato t’u përcillen edhe gjeneratave që vijnë, e kanë shtyrë mësuesen Nezafete Karaxhiu-Çitaku që katër eksponate tekstili që i ka trashëguar nga e ëma dhe po aq që ia kanë dhënë të tjerët, t’ia dhurojë Muzeut Etnologjik. Përtej pasurimit të fondit muzeor, ky është shembulli i radhës i bashkëpunimit të qytetarëve në të mirë të ruajtjes së artefakteve

Mësuesja Nezafete Karaxhiu-Çitaku këtë vit ka hyrë ne dekadën e shtatë. Mësuesja e lindur në Mitrovicë më 1951 njihet nga të gjithë si veterane e arsimit. Por shumë pak e kanë ditur se ajo ka një pasion për gjërat e vjetra dhe trashëgiminë kulturore. Ka ruajtur me fanatizëm veçanërisht veshje të nënës së saj. Por gjersa vitet rëndojnë mbi supet e saj, Karaxhiu-Çitaku, e cila tani është në pension, ka qenë duke menduar sesi të gjejë një mënyrë që thesari i saj të ruhet edhe për gjeneratat që vijnë pas. Kishte qenë duke shikuar televizor kur kishte hasur në një storie për Muzeun Etnologjik në Prishtinë. Kishte kontaktuar stafin e këtij institucioni muzeor dhe tashmë tetë eksponate të saj ia ka dhuruar Muzeut. Ua ka dorëzuar etnologut Bekim Xhemili dhe konservuesit Fadil Krasniqi

Eksponatet e dhuruara janë në gjendje të mirë, dhe shumica i takojnë pjesës së parë të shekullit XX. Karaxhiu-Çitaku i ka ruajtur ato me shumë kujdes e dashuri.

Etnologu Bekim Xhemili taksa ka folur për detajet e eksponateve, ka thënë se katër të parat i kanë takuar nënës se Nezafetes, Nerxhivanes, si pjesë e pajës apo çejzit të saj.

“Një mitan, pjesë e veshjes me dimi të Gjakovës, e dekoruar me fije ari, me motive florale dhe gjeometrike; një jastak, ngjyrë të kaltër, në të dyja anët i dekoruar me ari dhe tel, me motive florale, një bohçe ngjyrë të bardhë e dekoruar me fije ari dhe një pëlhurë e thjeshtë, janë të Nerxhivanes”, ka thënë ai.

E për katër të tjerat ka thënë se i janë dhuruar mësueses nga persona të tjerë.

Nezafete Karaxhiu-Çitaku. Dhurata Muzeut etnologjik Prishtine

Po aq të tjera janë eksponate që Karaxhiu-Çitakut ia kanë dhuruar e të cilat ajo ia ka dhënë Muzeut

“Jaka e dekorume me fije ari, me motive gjeometrike; pështjellak ngjyrë te kuqe me vija te kaltra, dhe disa dekore te vogla me motive gjeometrike; çorape nga leshi, të dekoruara me ngjyra të llojllojshme, të ndara në 7 pjesë, me motive gjeometrike; çorape nga leshi, ngjyrë të bardhë, të dekoruara me motive gjeometrike”, ka treguar ai.

Xhemili ka theksuar se eksponatet ngërthejnë në vete vlera artistike dhe artin popullor të aplikuar të zejes së tekstilit, me motive florale dhe gjeometrike, si segment i kulturës materiale dhe shpirtërore dhe të etnokulturës shqiptare.

“Me dhurimin e eksponateve është pasuruar fondi i tekstilit në veçanti, por dhe fondi i Muzeut në përgjithësi”, ka thënë ai.

Nezafete Karaxhiu-Çitaku në fondin e saj ka pasur edhe të tjera eksponate. Por ka shumë që i janë djegur në luftën e fundit në Kosovë.

“Mendoj se me dhurimin e këtyre gjërave e kam hequr një obligim nga vetja, pasi që këto janë shumica gjëra të nënës sime, të cilat i kam ruajtur me shumë xhelozi”, ka thënë ajo. Ka kërkuar, sidomos nga të rinjtë, që t’i çmojnë gjërat e vjetra.

“Unë jam e moshuar, dhe disa të rinj nuk ua dinë vlerën këtyre gjërave të cilave unë ua di dhe prandaj ka ardhur ideja që t’i dhuroj. Në këtë formë ato do të ruhen. Jam interesuar dhe kam biseduar fillimisht me Muzeun dhe pasi që kanë thënë se i pranojnë, ua kam dërguar”, ka thënë ajo. Ka shtuar se i ka pasur edhe disa jastëkë të qëndisur me fije ari të cilët i kishte bërë për çejz, por ata i ishin mykur. Mbushjen me kashtë e ka hedhur dhe tani i ka mbetur vetëm pëlhura me qëndisje ari. Ato që ishin në gjendje të mirë e që ia ka dhuruar shtetit, për momentin janë në depo të Muzeut Etnologjik, aty ku ruhen edhe eksponatet e tjera.

Etnologu Bekim Xhemili ka treguar se ende nuk i kanë ekspozuar dhe se janë duke pritur përfundimin e rinovimit të objektit. Ka shtuar se fillimisht duhet të bëhet edhe pastrimi – konservimi i tyre e pastaj ekspozimi.

Shtëpia e mysafirëve, njëri prej katër objekteve të kompleksit të “Emingjikut” – në dy prej të cilëve zë vend Muzeu Etnologjik – që prej vitit 2017 është në restaurim. Në tetorin e atij viti u ndërprenë punimet për të rinisur në dhjetorin e vitit të kaluar e që u kritikuan ashpër, pasi aty po përdoren çimento e hekur. U ndërprenë pas pak ditësh, por jo për shkak të mënyrës së ndërhyrjes. Objekti i shekullit XIX vazhdon të mbetet i zhveshur nga fasada e pa shumicën e dritareve. Ka gati pesë vjet që Muzeu Etnologjik funksionon vetëm me njërin objekt – Shtëpinë e zjarrit të shekullit XVIII.

Gjatë 14 vjetëve të funksionimit si muze, qytetarët i kanë dhuruar eksponate të ndryshme. Vitin e kaluar Muzeut iu dhurua tavani i shtëpisë mbi 100-vjeçare i punuar në drugdhendje, i zhvendosur nga shtëpia në skaj të asaj që njihet si Prishtina e Vjetër. Objekti i moçëm, që nuk mbrohej si monument, do t’u hapë rrugë ndërtimeve të reja, e pronari i mëparshëm, Petrit Riza, e ai i tanishmi, Sokol Shasivari, ishin bërë shkas që të mos humbnin krejt gjurmët e tij, duke dhuruar tavanin që dëshmon mjeshtërinë e dibranëve.

Bekim Xhemili ka thënë se Muzeu është i hapur për bashkëpunime me qytetarë që dëshirojnë t’i dhurojnë gjërat e vjetra.

“Janë të rëndësishme dhe të nevojshme, ndoshta edhe të domosdoshme që ato familje që kanë gjëra të vjetra dhe me vlerë t’ua dhurojnë muzeve, pasi është vendi i duhur për ruajtjen, konservimin dhe prezantimin e tyre për publikun e gjerë dhe gjithashtu për gjeneratat e ardhshme përmes ekspozitave dhe katalogëve. Dihet që fondi muzeor është baza kryesore e një muzeu, dhe për këtë arsye duhet të mbledhim sa më shumë eksponate”, ka thënë ai.

Ka shtuar se zhvillimi ekonomiko – shoqëror dhe teknologjik ka bërë që shumë familje t’i zëvendësojnë gjërat e vjetra me të rejat.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë shkatërruar dhe djegur qindra mijëra shtëpi, kulla dhe objekte të vjetra të trashëgimisë kulturore, dhe bashkë me to shumë eksponate të vjetra me vlera historike, etnologjike, kulturore dhe artistike”, ka thënë ai, duke shtuar se për këtë duhet ruajtur ato që i kanë mbijetuar.