Patronazhisti drejtor në Lezhë urdhëron admistratën: – “Thërrisni Edi-Edi, duartrokisni pas çdo fjalie”
7 Maji 2023
Deputetja e Partisë Demokratike Lindita Metaliaj ka publikuar në rrjetet sociale disa mesazhe që sipas saj drejtohen nga “patronazhisti drejtor i Pallatit të Kulturës në Lezhë” për administratën.
Në mesazhet e publikuara administratës i bëhet thirrje që të marrë pjesë në takimin elektoral që do zhvillojë kryeministri Rama ditën e sotme me kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu.
Pjesëmarrësve në takim u udhëzohet që të duartrokasin pas çdo fjale të Pjerin Ndreut, duke thërritur “PJE-RI-NI,PJE-RI-NI”, ndërsa fjala e kryeministrit udhëzohet të shoqërohet me thirrjet “EDI-EDI-EDI” si edhe me duartrokitje pas çdo fjalie.
Metaliaj i cilësoi këto mesazhe si tallje dhe arrogancë të rilindjes ndaj qytetarëve që sipas saj trajtohen si dele në këtë mënyrë.