
‘Patronazhisti tha se vota e parë ishte e jona’. – Kreu i OSBE godet fort Klosin, Zannier: Ku e di ai që vota ishte për PS?
18 Prill 2025
Përfaqësues nga Misioni i OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Kreu i Misionit, Ambasadori Lamberto Zannier, dhe Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, vizituan Parkun Olimpik, ku ndodhet qendra e grumbullimit të zarfeve të votës së diasporës.
Vizita e tyre kishte karakter inspektimi, për të monitoruar punën në këtë qendër, ku ka nisur administrimi i votës së diasporës.
Duke folur për mediat, Ambasadori Lamberto Zannier theksoi: “Procesi për votën e emigrantëve po shkon shumë mirë. Duket se gjithçka është e mirëpërgatitur.”
I pyetur për deklaratën e z. Klosi, i cili tha se vota e parë e mbërritur nga diaspora, nga Dibra, ishte për Partinë Socialiste, Zannier u shpreh: “Nuk e kuptoj se si mund ta dijë z. Klosi se për kë ka shkuar ajo votë.”
Mbrëmjen e së enjtes, kanë mbërritur 735 zarfe të para me votat e emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet e 11 majit. Pas marrjes në dorëzim, administrata e KQZ-së ka nisur selektimin e zarfeve, duke verifikuar nëse ka dëmtime, dhe më pas ka filluar ndarjen e zarfeve sipas qarqeve përkatëse, ku do të administrohen.
Përmes një pajisjeje elektronike bëhet skanimi dhe identifikimi i zarfit, duke përcaktuar nga cili shtet vjen dhe cilit qark i takon fleta e votimit. Zarfi i parë që është futur në kutinë e votimit, pasi është skanuar, i përket qarkut të Beratit, ndërsa votuesi që e ka plotësuar jeton në Gjermani.
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, 36% e zarfeve (përkatësisht 90 mijë fletë votimi) janë shpërndarë tashmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në një konferencë për mediat, Celibashi bëri të ditur se 111 zgjedhësit e parë të regjistruar nga diaspora kanë votuar tashmë, dhe zarfi me fletën e votimit pritet të mbërrijë sot pasdite në Shqipëri.
“Shtetet me shpërndarjen më të madhe të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda 2 ditëve. Sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar, votuesi i parë, i cili i përket qarkut Dibër dhe ndodhet në Gjermani, e ka marrë zarfin në orën 07:15 minuta”, deklaroi Celibashi