27 Dhjetor 2024

Nga: Julia Vrapi

Projekti “Hartografimi dhe Dokumentimi i zonave me potencial arkeologjik të Lezhës (Lissus)” do t’i hapë rrugën planit të menaxhimit strategjik të parkut arkeologjik, Lezhë. Projekti, i cili u prezantua së fundmi është një bashkëpunim midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Bashkisë Lezhë, ku prof. dr. Neritan Ceka drejtues i projektit do të udhëheqë grupin e punës. Paulin Zefi shef i Memorialit të Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe i Muzeut Etnografik Lezhë, njëkohësisht dhe përgjegjës i aktiviteteve arkeologjike në këtë projekt thotë se do ta kthejë qytetin në një qendër të ekspeditave arkeologjike.

“Në bibliotekën publike “Gjergj Fishta”, Lezhë u bë prezantimi i projektit “Hartografimi dhe Dokumentimi i zonave me potencial arkeologjik të Lezhës (Lissus)”, i cili do t’i hapë rrugën “Planit të Menaxhimit Strategjik të Parkut Arkeologjik, Lezhë”, duke e kthyer qytetin tonë në një qendër të rëndësishme për zhvillimin ekspeditave arkeologjike”, shprehet Paulin Zefi, në një postim në rrjete sociale. Më tej ai shpjegon se ky është i pari projekt në Veri të vendit, ku në përbërje të tij janë profesorë e arkeologë të njohur.

“Gjithçka nisi pas një konsultimi të projekt-idesë me kryetarin e Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, Prof. Dr. Neritan Ceka dhe Prof. Dr. Gëzim Hoxha, që më pas vijuam me kërkesën për bashkëpunim drejtuar Akademisë së Shkencave. Ky projekt, i pari në Veri të Shqipërisë dhe i treti në vendin tonë, është një bashkëpunim midis Akademisë së Shkencave, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Bashkisë Lezhë”, shprehet Paulin Zefi përgjegjës i aktiviteteve arkeologjike në këtë projekt.

Dokumentimi i zonave arkeologjike Lezhe

Ekipi i projektit

Ekipi i projektit përbëhet nga Prof. Dr. Neritan Ceka; Prof. asoc. Dr. Edmond Hoxha; Prof. Dr. Përparim Alikaj; Prof.asoc. Dr. Altin Karriqi; Dr. Jeton Pekmezi; Dr. Paulin Zefi; Dr. Elio Hobdari; Dr. Ervin Kujtila; Dr. Elva Leka. Drejtues i projektit është Prof. Dr. Neritan Ceka, ku Paulin Zefi shprehet me falenderime për këmbënguljen e tij dhe thotë se pjesë e ekipit do të jenë edhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Lezhë (Shkollat e Mesme të Përgjithshme dhe Profesionale).

“Krahas prezantimit, ky aktivitet konsistoi edhe në një konsultë të hapur me disa nga intelektualët më të spikatur të qytetit, studentë dhe nxënës. Po ashtu, ishin të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e medias kombëtare dhe lokale në Lezhë, të cilët i falenderoj shumë për gatishmërinë dhe mbështetjen e tyre të pakursyer”, shprehet më tej Paulin Zefi shef i Memorialit të Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe i Muzeut Etnografik Lezhë, njëkohësisht dhe përgjegjës i aktiviteteve arkeologjike në këtë projekt. Për Paulin Zefin ky është dhe aktiviteti i fundit i rëndësishëm në kalendarin e vitit 2024. Sipas tij ka qenë një vit i mbingarkuar me punë, studime dhe projekte, por shumë produktiv.