Pavioni Ikonografik_ Muzeu Historik Kombëtar. –

Cilido prej vizitorëve, vendas apo i huaj, që kërkon të njohë më shumë nga historia e Shqipërisë, nuk duhet të ngurojë t’i drejtohet dyerve të Muzeut Historik Kombëtar. Temperaturat e larta dhe vetë sezoni i pushimeve, nuk kanë të bëjnë me reduktimin e orëve të punës në këtë institucion.

 
Numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm, gati me dyfishim, gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë.
Një ndër pavijonet më të pëlqyera nga turistët është Pavijoni i Ikonave Postbizantine, i cili u ngrit në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Koleksioni prej 70 objektesh ikonografike të pavijonit i përket periudhës nga shekulli XVI deri në fillimi të shekullit XIX. Në Pavijonin e Ikonave është ekspozuar ikona “Hyrja e Shën Marisë në Tempull” e ikonografit Onufri. Në pavijon gjenden edhe disa ikona të Onufër Qipriotit (shek XVI-XVII), si “Krishti Pantokrator”, “Shën Maria me Krishtin” e të tjera. Në pjesën ballore të pavijonit është ekspozuar ikonostasi i kishës së manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan, i cili daton në shekujt XVIII-XIX dhe është punuar nga mjeshtri Dhimitër Koleci. Gjithashtu, gjenden ikona të autorëve të shekullit të XVIII-XIX si: Kostandin Jeromonahu, Kostandin Shpataraku, David Selenica, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, të vëllezërve Çetiri (Katro) etj.