PD kërkesë urgjente Edi Ramës: – Ndërprite menjëherë tenderin prej 411 milionë lekë për rikonstruksion zyrash
PD kërkesë urgjente Edi Ramës: – Ndërprite menjëherë tenderin prej 411 milionë lekë për rikonstruksion zyrash
29 MARS 2020
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj i kërkoi qeverisë të ndërpresë tenderat.
Në një deklaratë për shtyp, ai tha se në kulmin e krizës së pandemisë, qeveria e Edi Ramës tenderon 411 milionë lekë për zyra.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike
Në vend që të shpenzojë çdo qindarkë për të forcuar sistemin shëndetësor, për të garantuar testimin e mjekëve dhe të qytetarëve, Edi Rama ka hapur tender për rregullim të zyrave.
Në kulmin e krizës, kur pandemia po bëhet më agresive, qeveria e ka mendjen të shpenzojë mbi 400 milionë lekë për zyra. Në kulmin e krizës ekonomike, ku mijëra qytetarë janë sot në pamundësi për të siguruar ushqimin e femijëve, Edi Rama planifikon të japë 400 milion lekë për zyra. Në kulmin e krizës, ku mijëra biznese janë gati të shpallin falimentin e të lënë mijëra qytetarë pa punë, Edi Rama kërkon të japë 400 milion lekë vetëm për zyra.
Tenderi 411 milionë lekë për të rikonstruktuar zyrat e administratës së Spitalit të Traumës është unik sot në Europë. Spitalet tani nuk kanë nevojë për kulltuqe të rehatshëm. Mjekët duan së pari të mbrohen vetë dhe të kenë mundësi të gjurmojnë virusin, që sëmundja të mos kapet në momentet e fundit dhe numri i atyre që humbin jetën të mos rritet.
Pas hedhjes të 29 milionë eurove për beton, tenderi i rregullimit të zyrave të spitalit të Traumës është një nga provat e shumta të papërgjegjshmërisë të Edi Ramës.
Prioriteti numër një i buxhetit të shtetit duhet të jetë shëndetësia, pajisja e mjekëve me mjete mbrojtëse.
Qeveria duhet të anullojë menjeherë tenderin prej 411 milionë lekë për rikonstruksion zyrash. Qeveria të ndërpresë tenderat dhe transfertat e thesarit që nuk adresojnë pasojat e koronavirusit.
Buxheti ka para, por ato po përdoren për kolltuqe zyrash, për betonin e klinetëve të qeverisë dhe për koncesionet e miqve okigarkë të të Edi Ramës, jo për qytetarët dhe biznesin, që sot janë në ditën më të zezë.
Gazeta Sot