PD thirrje SPAK të hetojë: – Arben Ahmetaj firmos tre ditë pas shkarkimit nga posti i zv/kryeministrit
13 Gusht 2022
Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja tha sot në një deklaratë nga selia blu se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka firmosur 14 vendime të qeverisë 3 ditë pas shkarkimit të tij nga detyra.
Kalaja u shpreh se një nga këto vendime është edhe ai që mban datën 27 korrik ndërsa thekson se në këtë datë nuk ka pasur asnjë mbledhje dhe shton se Ahmetaj ka konsumuar dy vepra penale.
Ajo e krahasoi shkeljen në fjalë me atë të bërë nga ish-kryebashkiaku i Vores Agim Kajmaku. Kalaja i bën thirrje SPAK të nisë hetimet.
Deklarata e plotë
Është bërë e modës, që Edi Rama jo vetëm që nuk firmos vetë, por i ruan Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për pikun e verës.
Gjatë korrikut, ndryshe nga muajt e tjerë, kanë dalë shumë VKM dhe 14 prej tyre janë firmosur nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj më datë 27/7/ 2022. Do të thotë 3 ditë pas shkarkimit të tij.
Një nga 14 VKM-të që ka firmosur ish Zv. Kryeministri Ahmetaj është ai me Nr.512, më datë 27 korrik.
Së pari, duhet të sqarojmë publikun se nuk ka patur një mbledhje të Këshillit të Ministrave në këtë datë.
Së dyti, VKM-ja e firmosur nga zoti Ahmetaj, duke mos patur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar), jo vetëm është absolutisht i pavlefshëm nga pikëpamja civile, por është edhe konsumim i 2 veprave penale.
Atyre të “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, parashikuar nga neni 249 i Kodit Penal.
Kjo shkelje është e njëjta me atë për të cilën u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, gjë që do të thotë se precedenti ekziston.
Në këto kushte, Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të veprojë menjëherë dhe të nisë hetimet për veprat penale të konsumuara nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj.
Gazeta Shqiptare