10 Maji 2023

Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan, shkruan REL.

Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.