Peizazhi historik, një çadër për Tyrben e Kapllan Pashës e një kapotë (pallto) për Kullën e Sahatit. –
Nga: Fatmira Nikolli.
Peizazhi historik ka ardhur vonë si koncept në Shqipëri. Nënkupton në kontekstin tonë: ruajtjen e ravijëzimit të ndërtimeve e hapësirave pa to, që parë në tërësi, përbëjnë një panoramë të ruajtur në kujtesë, në kartolina a në grafika, si identifikuese për zonën ku ndodhen, a simbol i saj (formësuar nga aktiviteti njerëzor).
Nëse flasim për qytete që e kanë ruajtur peizazhin e tyre, përmendim me plus minuse Gjirokatrën e Beratin, Gjuhadolin e Shkodrës a Pazarin e Korçës.
Mandej, nëse flasim për qytete që e kanë zhbërë atë peizazh, më saktë ua kanë zhbërë, e para në radhë është Kruja, Durrësi, dhe para të parave, a primus inter pares, është Tirana.
Po rrimë në kryeqytet, për të dalë te ravijëzimet që ende ruhen, por duket se jo për shumë gjatë, të paktën siç i njohim ne. Një vendim i vitit të kaluar, ka ndryshuar hartën e zonës historike të Tiranës.
Çka do të thotë se për arsye ende jopublike, ndryshimi i kufijve të zonës së mbrojtur historike, i ka hapur rrugë rrjedhimisht, humbjes së këtij peizazhi historik. Ndërkaq, e mban mend njeri Kinemanë “17 nëntori” a ish “Nacionali”? Unë e kam parë vetëm në foto, nuk është më, nuk mbërrita ta shihja.
Po kinema “Republikën”? As atë nuk e kam parë në këmbë, vetëm në foto. Mbaj mend stadiumin “Qemal Stafa” që nuk do të jetë më stadiumi, e për këtë debati i gjatë për fasadën e jo vetëm, ka përfshirë deri edhe batuta të pavend që kryeministri u bëri miqve të vet që e kundërshtuan fuqimisht.
As mbledhja ‘para kamerave’ e Institutit të Monumenteve të Kulturës atëkohë, nuk ndryshoi gjë- si mjeshtra paragrafësh zyrtarët e ministrisë, e interpretuan ligjin në funksion të vendimit të qeverisë, për një stadium me kulla.
Kjo, ishte zhbërje e peizazhit historik. Në këtë vazhdë, radhis edhe ndërhyrjet që po bëhen në kalanë e Tiranës, për çka mjeshtrit e paragrafëve kanë padyshim argumentet e tyre, por, ajo që mund të cilësohet “ligjërisht korrekt” nuk është domosdoshmërisht moralisht korrekt, e në fakt as ligjërisht.
Duke risjellë në kujtesë zhbërjet e peizazhit historik e kujtesës historike në rrugën e Durrësit, Kavajës, bulevardin “Zogu I”, a lagjet e vjetra tiranase, gjithë çna mbetet është qendra, e cila, nuk e ka më një kujtesë. Ajo zhbëhet e bëhet sa herë në bashki ndryshon kryetari. Qendra, tanimë është si fustanet e prezantueseve që bëhet sipas formës e stilit të atij që i vesh.
Kujtojmë këtu që Tyrbja e Kapllan Pashës tanimë ka ‘çadër’, është si të thuash, e ruajtur nën krahët e ngrohtë të një rrokaqielli. Na ka mbetur ende, Kulla e Sahatit të Tiranës. Megjithë patinimet, për të cilat nuk fajtorë, as përgjegjësi, ajo qëndron ende në këmbë.
Por, këtë muaj Këshilli Kombëtar i Terrorit ka vendosur për ndërtime të reja, për rrokaqiej të rinj, që do mbajnë ngrohtë edhe Kullën e Sahatit. Do na duhet të bëjmë kartolina të reja, grafika të reja, fotografi të reja, që të ecim me hapin e kohës, do na duhet një kujtesë e re. Sepse nëse Tyrbja ka çadër, edhe Kulla e do një kapotë krahëve që t’i presë erën.
Ka shumë mënyra për ta zhbërë një kujtesë, ajo më në modë, është zhbërja e lustruar, ose në emër të investimeve moderne, për një Tiranë si Vjena (!) Çështja e Teatrit Kombëtar (godina, aktorët e protesta) nxori në pah se zona përreth tij mund të pësojë ndryshime. Kulla të reja na presin shokë!
Kulla, që si për ironi, bartin edhe izolimin (e vlerave) e konceptit të kullës në veri, e nga ana tjetër, naltimin përballë Kullës e Sahatit. Ka shumë mënyra për ta zhbërë një kujtesë, ti ruan ndërtimet e vjetra, por zë hapësirat boshe.
Dhe një njeri krejt demode, që nuk e kupton nevojën për zhvillim si autorja e këtyre radhëve, meriton me gjasë, një vazhdë leksionesh mbi kujdesin qeveritar ndaj kryeqytetit, vëmendjen e shtuar ndaj trashëgimisë, trashëgiminë si motorr zhvillimi, arkiteturën bashkëkohore, e të tjera si këto.
Në një intervistë të fundit që autorja e mësipërme i ka marrë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro mbi projektligjin e trashëgimisë, anëtarja e qeverisë, është ndalur gjatë dhe ka folur me krenari, pikërisht për peizazhin historik (!).
“Fusim për të parën herë edhe konceptin e peizazhit kulturor, një kapitull i dedikuar për një aspekt mjaft të rëndësishëm. Ne i lidhim trashëgiminë kulturore me peizazhin”, pat thënë Kumbaro.
E pyetur nëse me ligjin e ri, i jepet fund tanimë shpërfytyrimit të qyteteve përmes ruajtjes së peizazhit historik, ministrja pat thënë “se kemi filluar ta zbatojmë de facto, sepse kemi ratifikuar një konventë një vit më parë”.
Tani, na mbetet vetëm të biem dakord se çfarë është konkrektisht peizazhi historik dhe cilat janë këto peizazhe që duhet të ruajmë.
Le të shohim, nëse deri me miratimin e ligjit, do të ketë mbetur ndonjë peizazh historik për t’u ruajtur, po të doni qoftë sa për të provuar nëse do jemi të aftë për ta zbatuar atë ligj, pa pasur nevojë për xhonglime nenesh sipas interesave të çastit.
Le të shpresojmë që deri atëherë, të kemi ende zona të mbrojtura e peizazhe historike që nënkuptojmë të mos jenë nxjerrë nga zonat e mbrojtura historike. Na mjafton një çadër e një kapotë. Jemi veshur mjaftueshëm për ballo me maska!