Pensionistët mund të përfitojnë 120 mijë lekë vetëm me një veprim.. – Pensionet rriten nëse shkurtohet numri i punonjësve në shtet.
21 Qershor 2021
Eksperti i njohur Kujtim Hoxha ka folur për planin që ka qeveria për rritjen e pensioneve. Në një reagim për gazetën “SOT”, Z.Hoxha i pyetur nëse rritja e pagave në administratë do të ndikojë edhe te pensionet shprehet se kjo gjë shihet si thikë me dy presa. Sipas tij, pensionet rriten nëse shkurtohet numri i punonjësve në shtet.
Ai thotë se çdo pensionist do të përfitonte rritje jo më pak se 120 mijë lekë. Hoxha thotë se pensionistëve do iu bëjnë rritje veç në tetor dhe po e mbajnë për gjashtë mujorin e fundit që do të afrojë me hyrjen në fushatë për zgjedhjet e 2025-ës që t’ju tregojë njerëzve që po bën politikë.
“Kjo gjë shihet si thikë me dy presa pasi administrata në mënyrë të gabuar është rritur nga 91 mijë ka kaluar 157 mijë të punësuar, që d.m.th kjo diferencë e administratës që merr rrogë është e pajustifikuar pasi në praktikë e gjithë puna bëhet në kompjuter me e-Albania. Si shpjegohet që numri i punonjësve është rritur dhe marrin rrogë, është punësim i pashëndetshëm sepse është në administratë jo atje ku del dhe rrjedh prodhimi.
Rrjedhimisht nëse shkurtohet numri i punonjësve, çdo pensionist do të përfitonte rritje jo më pak se 120 mijë lekë, vetëm nga ky efekt do të kishte një pension më të lartë. Nuk do të ketë asnjë ndikim real rritja e pagave të administratës në raport me rritjen e pensioneve, sepse po të kishte ndikim do e kishin bërë rritjen që në muajin Prill. Ato kanë inflacion dhe me ligj takonte që të kishin rritur pensionet por po presin të rritet gropa mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Pensionistëve iu bëjnë rritje veç në tetor dhe po e mbajnë për gjashtë mujorin e fundit që do të afrojë me hyrjen në fushatë për zgjedhjet e 2025-ës që t’ju tregojë njerëzve që po bën politikë”, shprehet eksperti Kujtim Hoxha.
Paradoksi: Rrogat rriten, pensionet ulen
Me mijëra qytetarë po vuajnë mospagimin e plotë të sigurimeve shoqërore apo vitet e punës në të zezë. Aktualisht në vend marrin pension pleqërie 590 mijë qytetarë, por nga këto afro 50% ose 294 mijë marrin pension të pjesshëm, kjo për shkak të viteve të pakta të punës dhe kontributeve të ulta. Bazuar në të dhënat e ISSH pensionet e reja të lidhura në vitin 2023, nuk kanë ndjekur trendin rritës të pagave. Nëse paga mesatare vjet u rrit me rreth 9 mijë lekë krahasuar me vitin 2022, pensioni mesatar është rritur me 991 lekë të reja.
Pasojat e rënda të mos pagesës së kontributeve apo pagesës së pjesshme të tyre kanë nisur të ndjehen në xhepat e moshës së tretë, të cilët po përballen me pensione të ulta, madje edhe më të ulta se pensioni mesatar. Pasi sa më e ulët të deklarohet paga aq më pak kontribute për sigurimet paguhen. Konkretisht vjet pensionet e reja të lidhura ishin në vlerën 15.560 lekë, ndërkohë që mesatarja është 18,341 lekë. Ndërkohë, pensionet e reja dolën 39% më të ulta se paga minimale që ka vendi prej 40 mijë lekësh.
Ky hendek midis pagës e pensionit është e më i lartë nëse marrin si referencë rrogën mesatare. Pagesa mujore e një pensionisti përllogaritet më pak se 21% e rrogës mesatare që është 75.025 lekë, ky hendek është thelluar në vitet e fundit pasi në vitin 2022, pensionet e reja ishin sa 28% e pagës mesatare. Qytetarët që po dalin në pension, nuk arrijnë të marrin as sa është minimumi i caktuar nga INSTAT, për të mos u konsideruar i varfër që është 18.8 mijë lekë.
Logjikisht pensionet e reja duhet të dalin më të larta, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave në dekadën e fundit dhe detyrimit për t’i deklaruar të plota në bankë, e që duhet të sillte formalizim e pagesë të drejtë të kontributeve nga punëdhënësi, por në fakt nuk është dhënë efekti i pritshëm. Për shkak të vlerës së ulët të kontributeve apo të mospagimit fare të tyre, me mijëra qytetarë që do dalin në pension rrezikojnë të kenë të ardhme të varfër. Aktualisht që një grua të dalë në pension këtë vit i duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, dhe duhet të ketë 38 vite punë, po kaq vjetërsi pune duhet të kenë edhe burrat të cilët moshën e pensionit e mbushin 65 vjeç.
Gazeta Shqip