Pensionistët në protestë para Kryeministrisë
23 Tetor 2024
Nëse fëmijët tanë nuk do të na ndihmonin, këtu do të ishte derdhur gjaku në gju, aq keq është situata me pensionet”.
Kështu u shpreh pensionisti Vladimir Dushniku, para protestës së pensionistëve para kryeministrisë të parashikuar për në orën 10:00. Sipas tij remitancat janë turp i qeverisë, ndërsa akuzon kryeministrin që nuk e njeh situatën e pensionistëve.
“Të ballafaqohet me mua (Rama) dhe jo të largohet kur nuk i pëlqen. Mbi 50% e pensionistëve nuk kanë vite pune se u shkatërruan fabrika e uzina dhe ngelën pa punë.
Nuk është faji i këtyre pensionistëve që nuk kanë dokumente. Duhet t’i njohë se njerëzit kanë vite që punojnë. Siç tha për kooperativistët, ashtu duhet edhe për ndërmarrjet që u zhdukën. Ç’faj kam unë që punoj në këto ndërmarrje që nuk derdhin kontribute? Ku janë tatimet? Pres pjesëmarrje në protestë.
Reagimi dhe nervozizmi i pensionistëve ka vajtur ku nuk mban më. Por ai nuk e njeh realitetin. Ka mbyllur zyrat, nuk ankohet dot njeri. Kur unë kam një ankesë ku ta adresoj? Gjithë këto probleme që kanë pensionistët ç’është kjo online? Edhe në SHBA ka online, po kanë zyra”, tha pensionisti.
Dushniku theksoi ky vend është bërë i pajetueshëm dhe të gjithë, sipas tij, po të mundeshin, do të largoheshin nga Shqipëria.
“Janë tharë rrënjët. Vjen nipi me mbesën, gjyshi nuk u jep dot një akullore. Këtu është bërë ku thërret qameti. Nuk ka as arsim, shëndetësi, as mjedis, të biesh në tokë s’ke një stol, jo këtu në qendër se këtu i ka zbukuruar ai, se vijnë turistët të vijë në Yzberisht e Astir, apo Bregu i lumit. Të ishte për mua të gjithë do të iknin. Këtu nuk është vend i jetueshëm”.
Ai i bëri thirrje përfaqësive diplomatike të mos i besojnë më Ramës.