Pensionisti: – Nuk mbrohem! Kur nuk zë kryeministrit, pse të më zërë mua. Në komunizëm e haje një çapë bukë.

… Unë dua të shijoj këto ditë që më kanë mbetur. Dua të marr ajër, të marr diell, të flas me udhët. Të dukem gjë si i shkarë, …

– 08.04.20

Nga: Trëndafile Visha

Trëndafile Visha – Mesditë.  “Rruga e Dibrës” ngjan më e “gjallë” se ditët e tjera. Mbase  koha është e bukur dhe dielli shndrit fort.  Pak metra larg “Selvisë”, has një zotëri të moshuar, i cili po rrinte anës rrugës duke shijuar rrezet, ndërsa nuk kishte as maskë dhe as doreza.  Pyetjes time të beftë se: Çfarë po ndodh kështu, ai iu përgjigj në çast: Asgjë, asgjë zonjë. Edhe pse nuk ishim prezantuar ende, zotëria e kapi fillin e bisedës, duke më sqaruar se nuk është shkelës ligji, por thjesht nuk ka frikë nga koronavirusi që po terrorizon prej muajsh gjithë botën.

“Ne po vuajmë çmendurinë e politikave të çmendura dhe ju më thoni se duhet të mbrohem. Ku të hyj unë, në kafaz? Ky pra është kafazi jonë i ndotur. Pas koronavirusit do të ketë viruse të tjera që do sulmojnë njerëzit, cfarë duhet të bëjmë ne, kur kësaj situate nuk po i bëjnë ballë as shtetet e fuqishme  të botës”, u shpreh 78-vjeçari nga Tirana. Edhe pse pranoi të jepte intervistë për “Gazeta Shqiptare” me portretin e tij të plotë, i moshuari nuk pranoi të tregonte se  cili ishte.  Ai tha se mund ta thërrisja me emrin Agim, meqë shpreson te agimi i së nesërmes, për një agim ndryshe në gjithë rruzullin.

INTERVISTA

Përshendetje zotëri, ditë e bukur sot!

Përshëndetje! Cfarë kishe?

Cfarë po ndodh kështu?

Haha, asgjë, zonjë, asgjë.

Shoh se nuk keni maskë, nuk keni as doreza.  Nuk keni frikë se mos infektoheni nga koronavirusi?

E përse të kem frikë. Nga kush do të mbrohem? Si mund të mbrohem nga një gjë e padukshme, nga një virus që duhet 2 milion herë që ta zmadhosh dhe mezi arrin ta shohësh. Nuk kam frikë fare. Unë jam i moshuar dhe mosha bën të veten. Nëse ka për të ndodhur ajo që thua ti do të ndodh, në mos sot, nesër. Nuk e ndalim dot. Kjo situatë mund të vazhdojë gjatë, dhe është absurditet të rrish brenda, të ruhesh. Unë dua të shijoj këto ditë që më kanë mbetur. Dua të marr ajër, të marr diell, të flas me udhët. Të dukem gjë si i shkarë, si njeri i paditur?

Nuk po të gjykoj zotëri. Është zgjedhja juaj të mbroni veten, familjarët e tu dhe të tjerët.  Nuk ju ngjan se po rebeloheni kot, dhe se po rrezikoni dhe të tjerët?

Të fola qartë më  duket. Unë jam njeri që e zbatoj ligjin, por në këtë rast cdo gjë më duket absurditet.

Ju po shpërfillni realitetin që po prodhon me mijëra viktima, po shpërfillni këshillat e mjekëve dhe urdhërin e kryeministrit Rama, për të qëndruar brenda në shtëpi zotëri.

Po pse do infektohem unë nga virusi, kur nuk infektohet kryeministri. Dhe ata njerëz si ne janë.

Kush tha se nuk prek virusi kryeministrin? E di që kryeministri anglez rezulton të jetë pozitiv?

E di, e di për kryeminstrin anglez. Po çfarë flet moj, hallin e tij ke ti?! Atë e lajnë me qumësht. Ka 5000 veta që e mbrojnë.  Po të them se i bie  të vishemi gjithë si astronaut, gjë që nuk bëhet. Virusi do të bëj punën e tij. Atë e sollën vetë njerëzit që zhvatën planetin, e katandisën  këtë planet të shkatërruar që është sot. Ata që japin urdhëra, dhe nuk po flas vetëm për këta qeveritarët tanë, duhet të kishin menduar më herët. Pangopësia e tyre nuk njeh kufinj. Ne po vuajmë çmendurinë e politikave të cmendura dhe ju më thoni se duhet të mbrohem. Ku të hyj unë, në kafaz? Ky pra është kafazi jonë i ndotur. Pas koronavirusit do të ketë viruse të tjera që do sulmojnë njeriun, cfarë duhet të bëjmë ne, kur kësaj situate nuk po i bëjnë ballë as shtetet më të fuqishme  të botës..

Në të gjitha shtetet e prekura vjen i njëjti apel: Qëndroni në shtëpi, të mbroni veten dhe të tjerët! Ndërsa ti je këtu jashtë dhe “bio”?

Kjo është një luftë zonjë, e luftës nuk i shpëton dot. Shpenzuan miliarda lekë për bombën atomike, dhe tani nuk i hyn askujt në punë. Tani është kohë virusesh. Të gjithë pushtetarët, liderët botërorë që japin mend, janë të sëmurë. Shikojini nga sytë.

Dhe kryeministri Rama?

Po dhe ai, Berisha, Meta, Basha e të tjerë e të tjerë. Po flas për politikë hajdute këtu e gjithandej.

Mendova se ishit i djathtë me bindje.

Jo nuk jam as i djathtë, as i majtë, as i qendrës. Jam thjesht një pensionist. Dikur kam qenë komunist dhe e di mirë punën e partive. Nis si një organizim vullnetar, pastaj partia kthehet në një gjë të gjithpushtetshme. Të gjitha partitë vjedhin dhe njerëzit nuk kanë të hanë as bukë. Mua më kanë vjedhur pronën,  e askush nuk ma kthen.

Meqë ke qenë komunist, cili është mendimi juaj për atë kohë në raport me të sotmen në lidhje me qeverisjen?

Keq apo mirë, në atë kohë e haje një çapë bukë. Tani njerëzit nuk kanë as bukë thatë të hanë.

Sa vjeç jeni dhe nga jeni?

Unë jam tiranas, safi. Jam 78 vjeç dhe gëzoj shëndet të plotë, por kjo nuk do të thotë se nuk do më zërë virusi. Unë kam punuar mekanik.  Kam pirë duhan për 63 vjet. Jetoj në banesë me bashkëshorten, e cila ka probleme shëndetësore.

Po nuk keni frikë, të paktën për tët shoqe?

Po e përsëris, ajo çka për të ndodhur do të ndodhë. Ne jemi shumë të pafuqishëm për të ndryshuar botën.