Per çështjen “Xibraka”, ka nje denoncim ne SPAK, Berisha tha se denoncuesi është anonim i vetëquajtur Zaho Koka.
13 Janar 2025
Nga Isa Myzyraj
Sali Berisha ka folur për të tjera detaje të çështjes “Xibraka” e cila u pezullua nga prokuroria. Kryedemokrati tha se në SPAK ka mbërritur një informacion sekret, ndërsa hodhi akuza ndaj prokurorisë speciale por edhe Byronë Kombëtare të Hetimeve.
Duke ju referuar burimeve që ai i quajti “Agjentët dixhital të BKH-së” Sali Berisha tha se me datën 7 dhjetor në SPAK ka arritur një informacion për vëllain e kryeministrit.
Duke ju referuar çështjes “Xibraka”, ndaj së cilës SPAK-u vendosi pezullimin e hetimeve, Berisha tha se denoncuesi është anonim i vetëquajtur Zaho Koka.
Kryedemokrati hodhi akuza ndaj kreut të BKH-së Aida Hajni ndërsa akuzoi edhe SPAK-un për pezullimin e hetimeve të dosjes XIBRAKA.
Gjatë konferencës me gazetarë të hënën Sali Berisha prezantoj edhe planin e PD-së për eksportet duke premtuar lehtësira të shumta për kompanitë eksportuese nga ulja e taksave tek heqja e akcizës për naftën.
FJALA E PLOTË E BERISHËS
Eksportet, të cilat janë motori ndër më kryesor i punësimit të shqiptarëve dhe i prodhimit në Shqipëri, janë në agoni të vërtetë.
Janë në rënie pikiatë, çka do të thotë mijëra e mijëra shqiptarë humbasin vendet e punës dhe kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Edi Rama dhe qeveria e tij, siç keni konstatuar edhe ju, nuk shqipërojnë një herë të vetme fjalën eksporte.
Ai u pushtoi të dielën shqiptarëve, në një akt pacipësie ekstreme, se nuk kam qenë kështu apo kam qenë ashtu, sikur shqiptarët kanë hallet e jetës së tij personale dhe jo hallet e kafshatës, hallet e punës, hallet e jetës, të cilat rëndohen çdo ditë e më shumë nga vjedhjet e mëdha të kësaj qeverie.
Eksportet u mbyllën me një rënie mbi 14 përqind, kurse prodhimi shënoi semestrin e gjashtë në rënie.
Dhe këtu siç e shihni ju, flitet vetëm për turizmin, turizmin, turizmin, nga i cili çdo shqiptar paguan nga taksat e tij 230 euro dhe fiton gjithsej 4 euro. Është absolutisht e vërtetë.
Kurse eksportet, që janë fibra e vërtetë e punësimit, e prodhimit, e shfrytëzimit të potencialeve njerëzore dhe natyrore të vendit, për ato nuk flitet fare.
Kjo situatë katastrofale e eksporteve, në të cilat është shënuar thellimi më i madh prej 430 miliardë lekë i deficitit tregtar.
Kjo situatë ka në bazë para së gjithash aktivitetin kriminal të qeverisë shqiptare dhe bandave të saj.
Kjo situatë, në themel të kësaj goditje tepër të rëndë qëndron narkoeuro e grupeve kriminale, që futet me kontejnerë, futet me automjete, futet me të gjitha mënyrat në Shqipëri dhe investohet e tëra në kullat e Edi Ramës dhe qeverisë.
Pra, narkoeuro është bërë shpata e Damokleut mbi eksportin shqiptar.
Imagjinoni ju, rënia e euros me 35-40 përqind, çfarë do të thotë për këta sipërmarrës.
Është e domosdoshme një ndërhyrje urgjente për shpëtimin e eksporteve dhe nxitjen e tyre
Së pari, qeveria do krijojë bordin e fiksimit të euros.
Nuk mundet që narkoeuro të shkatërrojë në këtë mënyrë ekonominë shqiptare.
Qeveria do kompensojë eksportuesit për të gjithë humbjen që kanë nga rënia e euro dhe kompensimi do jetë nga niveli i euros në treg me nivelin e fiksuar nga qeveria.
Pra, në qoftë se themi një euro me 138 lekë dhe në treg shkëmbehet me 100 lekë, çdo euro do i kompensohet eksportuesit me 38 lekë.
Në këtë mënyrë ne do zerojmë efektin toksik të narkoeurove në ekonominë shqiptare. Të paktën në eksportet.
Krijimi i bordit do të jetë një nga aktet e para pas inaugurimit të qeverisë së PD-së.
Së dyti, qeveria do të ulë taksat në mënyrë drastike në të gjitha sipërmarrjet e eksportit.
Do të heqë TVSH-në për energjinë.
Do të lidhim direkt marrëveshje me sipërmarrjen energjetike për të blerë energji pa TVSH, për të blerë naftë pa TVSH, pa akcizë.
Përndryshe ekonomia eksportuese po vdes, nuk do kemi më eksporte, do jemi një shtet që vetëm importon dhe qarkullon eurot e baronëve të drogës.
Do t’u jepet mundësi që teprica kreditore, që nuk e marrin ndonjëherë, të përdoret lirisht për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin e sigurimeve shoqërore dhe çdo detyrim tjetër korrent fiskal.
Thashë, përveçse do i sjellë pa TVSH të gjitha investimet kapitale, energjia elektrike do jetë pa TVSH.
Çmimi për energjinë elektrike për eksportet do jetë njëshifror, jo dyshifror.]
Ulje e madhe e kontributit të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit. Po të kemi parasysh se ne tani shpallim rrogën minimale 500 euro, atëherë është e nevojshme disa lehtësira për punëdhënësin. Dhe kjo është një nga lehtësirat që bëhen për të.
Dogana do ndërrojë tërësisht qëndrimin ndaj eksportuesve. Çdo shpenzim i tyre në dogana do mbulohet nga shteti, jo nga eksportuesi.
Do krijohet zyra e mbrojtjes së eksporteve, e cila ka për qëllim t’i mbrojë ato nga çdo lloj arbitrariteti burokratik dhe mafioz, presionet e ndryshme dhe do bëjë çdo gjë për konkurrencë të lirë dhe të ndershme.
Ne kemi besim se me këto masa të shpejta, ne do rikthejmë interesin e sipërmarrësve të huaj dhe shqiptarë për të prodhuar dhe eksportuar në Shqipëri.
Shqipëria mund të jetë një eksportues shumë i rëndësishëm, por këto eksporte kanë njohur një rënie shumë të dhimbshme.
A mund të imagjinoni një shtet oruellian ku flitet nga mëngjesi gjer në darkë për turizmin dhe nuk flitet në një emision për eksportet që punësojnë mbi 100 e sa mijë të punësuar. Është sektori kryesor i punësimit në industri.
Unë u jap sot disa nga rastet e përdorimit të makinës së famshme të krerëve të grupit të Xibrakës me targë AA653DM.
Këtu keni fotografinë e TIMS, e cila tregon disa nga rastet e përdorimit të kësaj makine të famshme të krerëve të grupit të Xibakës për udhëtime jashtë shtetit.
Pas Gentian Gjonajt, ju them unë se trafikanti Olsi Rama është udhëtari më i shpeshtë me këtë makinë.
Olsi Rama, mos harroni se ka deklaruar para jush se e kam përdorur vetëm njëherë këtë makinë, që kam shkuar në Selanik, e vërteta është se këtë makinë e ka përdorur shumë herë.
Ndaj dhe sa del e bën be të rremë para qytetarëve të ngopur me gënjeshtrat e tua, më mirë thuaju pse e ka përdorur kaq shumë herë makinën e grupit të Xibrakës, që e ka përdorur më shumë Gentian Gjinaj, kapoja e grupit në Shqipëri.
Përveç kësaj, i them zotit Rama që del dhe mendon se shqiptarët kanë hallet e tij, i them zotërisë së tij që foli dje, e njoftoj se BKH dixhitale ka njoftuar se me datën 7.12.2024, është protokolluar një letër e nënshkruar nga Zaho Koka, pra, dërgues anonim. Letra ka informacion për Olsi Ramën, Genti Xhixhën dhe Ermal Hoxhën.
Në letër ishte një foto e qartë ku dukej Olsi Rama, Genti Xhixha në makinë në një qytet evropian. Gjithashtu në letër jepej informacion për rrëmbimin e një biznesmeni me iniciale V.B.
Në dhjetor të vitit 2015, tani fati i letrës, letra iu dha për verifikim OPGJ-së me inicialet E.T.
Më datën 11 dhjetor, ky OPGJ u thirr nga drejtuesja famoze Aida Hajno, kjo është një spiune e çmendur e Edi Ramës në BKH, dhe iu komunikua ndërprerja e veprimeve të mëtejshme.
Kështu thotë BKH-ja dixhitale.
Tani, i thashë zotit Rama dje se do kesh lajme prapë, prandaj mos dil me ua nxi të dielën qytetarëve me hallet e tua dhe të vëllait tënd, lëri të pushojnë.
Kështu që këto kisha unë reagim për interesin publik.
PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Ermal Rizaj, Syri Tv: Shpeshherë SPAK ka reaguar kur ju keni bërë nga kjo foltore me dije denoncimet tuaja. Prisni një reagim sa i takon kësaj cështje të BKH-së digjitale?
Berisha: A mund të bëjmë një marrëveshje, që të themi që të gjitha reagimet janë të Fugës dhe jo të SPAK-ut?
Pse kjo? Normalisht çdo institucion ka të drejtën për të pasur zëdhënës, ky është institucioni i vetëm në botë që nuk ka zëdhënës.
Pra, të bëjmë këtë marrëveshje, të quajmë Fugën zëdhënës të SPAK-ut.
Se sa be të rreme bën SPAK-u, nuk ka institucion që i bën. Gënjeshtra!
Po a e patë ju atë Alfred Shehajn? Ai ka firmosur atë që Olsi është i pastër, po se cili është i paidentifikuari, nuk e dimë.
E dimë që nuk është Olsi, po nga e gjete se nuk është Olsi, se kur nuk thua është Olsi, do thuash se kush është tjetri.
Pra, bë të gënjeshtra, rrena komplet. Kurse zëdhënësi i merr të gjitha nga Fuga, d.m.th i merr nga Rama.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Ju, e keni ndjekur fjalën e z.Rama ku ai thotë se, referuar informacioneve që z.Bardhi ka dërguar në SPAK, ka thënë se është një ccështje ‘Babale 2’. A rrezikohet një funksionar tjetër i PD, si Gazment Bardhi që të dënohet si Ervin Salianji?
Berisha: Historia e dëshmitarëve të rremë është historia e një tashmë e konsoliduar në disa raste dhe Rama mendon se do montojë njëlloj si me Ervin Salianjin me dëshmitarë të rremë, një kallëzim të rremë.
Por kësaj here Rama është në çark sepse Olsi nuk hetohej vetëm nga skapistët, Olsi fatmirësisht ka hetime të tjera mbi të.
Prandaj i them unë Ramës se do kesh lajme. Sot i dhashë disa, të tjera mund t’i jap në kohë të tjera.
Osman Stafa, News24: Për të mbetur te deklarata e së dielës të kryeministrit Rama, ndër të tjera ai tha se nuk ka asnë lidhje me krimin e organizuar. Ndërkohë, ka qenë akuza juaj përgjatë gjithë këtyre viteve për lidhjet e krimit të organizuar me qeverisjet e kryeministrit, Edi Rama. Si i përgjigjeni kësaj deklarate të tij dhe dosjet të cilat keni deklaruar se do të na updeton-i herë pas here, a do mbajnë raste kur kryeminsitri i vendit është përfshirë nnë këto situata?
Berisha: Tani këtu kemi të bëjmë me një dallim themelor.
Ata që unë i quaj dhe ligji i njeh si kriminelë, Edi Rama i njeh për çuna.
Çunat e Londrës, çunat e Dubait, çunat e Meksikës. Kjo është e vërteta.
Ai e pohon që i ka takuar, por këta i quan çuna, nuk i quan krimi i organizuar.
Ai është njeriu me biseda më të shumta nga politikanët me këto Encrochat dhe SKY/ECC. Kam biseduar me çunat, thotë. Ai nuk e konsideron krim drogën.
Këtu kemi të bëjmë me dallimin esencial mes meje dhe çdo njeriu dhe atij. Ata janë normal, thotë, bëjnë ca para. Droga është para, thotë, nuk është krim.
Po të nisesh me këtë koncept, ai është në rregull. Por e vërteta është tjetër.
Isa Myzyraj, Ora News: Ditën e sotme, Adriana Kalaja në emër të PD ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për marrjen e masës disiplinore, deri në shkarkimin e anëtares, Marsida Xhaferllari. Cili është qendrimi i kryetarit të PD në lidhje me zonjën Xhaferllari, edhe në kushtet kur qendrimet e Xhaferllarit në shumicën e rasteve kanë qenë pro PD, por edhe për formën që është duke u bërë sulmi, pra me foto duke pirë kafe, cigare nëpër restorante dhe duke ecur në rrugë, që të kujtojnë një kohë të Sigurimit të Shtetit që, ju e dini më mirë se sa unë, sepse e keni jetuar kohën e komunizmit.
Berisha: Qëndrimet e mia ndaj kësaj gjykatëseje janë shprehur dhe po i përqendroj në këtë sentencë.
Për PD-në, nuk përbën, nuk ka asnjë problem pse gjykatësja bashkëjeton me atë që do të bashkëjetojë.
Por Shqipëria ka një ligj prej shumë vitesh dhe ky ligj njeh bashkëjetesën.
Ky ligj jo vetëm legjitimon, por njeh bashkëjetesën dhe për rrjedhojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga bashkëjetesa.
Tani, në qoftë se kjo zonjë bashkëjeton me një njeri, mos harro se ajo ka statusin e gjykatëses kushtetuese, dhe këtë e fsheh, ajo është në shkelje të rëndë të ligjit, por edhe më shumë se të ligjit.
Ajo është e detyruar ta deklarojë, në konceptin tim, dhe pas deklarimit të kësaj, këtu nuk ka asnjë lloj problemi tjetër.
Sepse duhet të respektojë ligjin.
Ju kujtohet ju para disa viteve, kjo çështje ka dalë në parlament dhe është bërë ligji.
Dhe ky ligj detyron bashkëjetuesen njëlloj si bashkëshorten të deklarohen për të gjithë aktivitetin e tyre, për të ardhurat, etj.
Mendoj se nuk mund të ketë qëndrim tjetër përveç zbatimit të ligjit për një gjykatëse.
Që në momentin që ajo devijon ligjin, ajo duhet të largohet nga detyra që ka. Nuk ka diskutim. Nuk është vullnetare.
Pra, ajo ka të drejtë të dojë atë që do, por duhet gjithashtu të respektojë ligjin.
Zonja Kalaja ka konstatuar se ajo nuk ka deklaruar bashkëjetesën, ka fshehur bashkëjetesën.
Atëherë kush mund t’i besojë një gjykatëseje si kjo?
Kaq, nuk hy te vendimet unë. Unë hy tek një qëndrim ligjor.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Ju e keni cilësuar bordin e naftës dhe t ëushqimeve, borde komuniste. Ju keni deklaruar se, Shqipëria dhe asnjë vend i lirë nuk mund të ketë borde që kontrollojnë tregun. Pse sot PD, po propozon një bord për fiksimin e euros? A është ky një bord komunist?
Berisha: Nuk ka asgjë të përbashkët.
Qëndrimi komunist në këtë rast do ishte fiksimi. Ose shkëputja fare nga euro.
Në diktaturë, dollari mund të ishte 1 mijë lekë, ai shkëmbehej me 100 lekë dhe vetëm kaq.
Ne nuk e bëjmë këtë, jo.
Ne respektojmë plotësisht luhatjet e tregut, por me bordin tonë ne kompensojmë eksportuesit.
Nëse bordi i Edi Ramës diktonte çmimin e naftës, ne nuk diktojmë çmimin e euros.
Ne kompensojmë çfarë diference mes kursit të lirë të këmbimit dhe një kursi që ne themi se duhej të ishte po të mos ishte narko.
Këto lekë diferencë do u paguhen eksportuesve.
Pra, nuk ka të bëjë më asnjë kontroll çmimi, kjo ka të bëjë me mbrojtje të një sektori që dëmtohet tmerrësisht nga veprimi i narkoeuros në performancën e tyre.
Mariglen Kume, MCN: Në 29 korrik, të vitit 2024 PD dhe PS bashkuan votën në parlament për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që u mundësua vota e emigrantëve, por edhe për pjesën e hapjes së listave që u mbyllën. Ju thatë në konferencën e së premtes që: palët janë në negociata sërish për Kodin Zgjedhor. Normalisht, nuk janë të rekomanduara pyetjet kaq të shpeshta në ligjet që janë të thjeshta. Ndërkohë që për kodin që kërkon dakordësinë e të dyja palëve, a është kjo normale që të ndërhyhet kaq shpesh dhee janë këto veprime të nxituara, ndërkohë që jemi 4 muaj para zgjedhjeve?
Berisha: E drejtë ajo që thoni ju. Nuk duhet të ketë ndërhyrje në ligjin zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve.
Por ka ndodhur një zhvillim i ri, i paqenë, siç është vota e emigrantëve.
U bënë ndryshimet ligjore në emër të këtij procesi, por në qoftë se për shkak të problematikave që dalin, me qëllim që të sigurohet e drejta kushtetuese e tyre sa më mirë, përsëri vetëm për këtë mund të bëhen ndërhyrje në kod, të cilat të lehtësojnë dhe garantojnë këtë proces.
Dhe meqë jam këtu, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë emigrantëve dhe diasporës të aplikojnë në platformën të KQZ-së.
Si platformë ajo parashikon një proces të sigurt dhe të plotë.
Si platformën e parë, natyrisht nuk mund të them se është e përsosur, ndaj dhe në çdo rast mos humbisni durimin në qoftë se në përpjekjen e parë nuk realizoni regjistrimin, ju siguroj se në përpjekjen e dytë apo të tretë do e realizoni 100 përqind atë.
Por nga ana tjetër ka edhe një platformë të PD, tek e cila cilido që do të informohet për procesin e regjistrimit mund të regjistrojë në këtë platformë dhe ai automatikisht do t’i dërgohet në email apo Ëhatsapp e gjithë praktika që duhet të ndjekë për regjistrimin në KQZ.
Mariglen Kume, MCN: Ccfarë ndryshimesh duhen bërë sërish në kod, z.Berisha që kanë lindur nga nevoja për votën e Diasporës. Është publikimi i listës për kandidat më herët, një nevojë?
Berisha: Tani, debate ka, natyrisht u siguroj se pa arsye të forta ligjore, ndërhyrje nuk do bëhen.
Gjer tani nuk ka një gjë të konkretizuar, por sidoqoftë tani që po provohet platforma, çdo lloj pengese që mund të ketë nevojë për amendim apo përshtatje, ne jemi të gatshëm.
Është e drejta kushtetuese e 1.5 milion shqiptarëve, është e paimagjinueshme që t’u themi se për shkak të ligjit nuk do votoni. Jo, do bëjmë gjithçka që ju të votoni.
Anisa Kadesha, TVSH: A ka PD në plan mbajtjen e një proteste kombëtare, ose vijimin e akteve të mosbindjes civile, apo 2025-sa do të fokusohet vetëm në fushatë zgjedhore?
Berisha: PD ka një platformë shumëplanëshe.
Do ecë e sigurt drejt fitores.
Ju e keni parë që ka dy platformë, njëra është ‘unë isha kështu, nuk isha ashtu, nuk kam qenë ky, nuk kam qenë ai’, tjetra është rritja e rrogave, rritja e pensioneve, vendosja e minimumit jetik, mbështetja e eksporteve.
Pra, kjo është e vërteta.
Kjo del në arenë.
Osman Stafa, News24: Një nga personazhet më të folur mendoj në Shqipëri është Nesti Angoni, ndërkohë ju jepni një emër tjetër, Zaho Koka. Z.Berisha, kush është pas këtyre emrave anonim, a keni ju një dyshim. Se i keni deklaruar deri tani, por gjërat lëvizin?
Berisha: Bukur e ke.
A e dëgjuat Lubinë? Ato janë telenovela, Nesti Angonin e quajti telenovelë ajo.
Nuk kisha parë cinizëm më të madh a më kupton apo jo.
Unë e kam mik Erionin, ajo është telenovelë puna e Nesti Angonit, tha.
Ata janë ndaj njëri-tjetrit të gjithë.
Ata po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, nuk kanë ku shkojnë.
Sepse i ka kapur frika e krimeve, ia dinë krimet njëri-tjetrit dhe tani si do shpëtojnë.
A e dëgjove atë apo jo? Mbetet makbethiane në kuptimin e intrigës.
Unë, tha, e kam mik Erionin, se sa telenovela dalin, se sa Nesti Angoni dalin, ç’më duhet mua.
Stafa:Z.Berisha, mendoni se është znj.Balluku pas këtyre emrave?
Berisha: Asgjë nën qiellin e tyre pa miratimin e Ramës nuk lëviz.
Ajo mund të jetë vetëm si mashë, por prapa është Edi Rama.
A e ka zgjedhur emrin Zaho Koka me qëllim apo pa qëllim, unë them se kështu quhet.
Lufta brenda llojit është një luftë shumë e egër.
Ka mundësi shumë të jetë, nuk mund të them.