Për herë të parë ekspozohen fotografi të rralla nga vrasjet në kufi në korrik të vitit 1990. –
Për herë të parë ekspozohen fotografi të rralla nga vrasjet në kufi në korrik të vitit 1990.
Fotografi të rralla nga vrasjet në kufi apo edhe ish – të burgosurve politikë janë ekspozuar tek Instituti i Krimeve edhe Pasojave të Komunizmit. Kuratorja e ekspozitës Luljeta Lleshanaku rrëfen arsyen e ekspozimit të këtij realiteti, që pak kush e njeh sa duhet në vendin tonë.
Nga: Valeria Dedaj
16 Dhjetor, 15:19
Në oborrin e jashtëm të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit janë ekspozuar fotografi të realizuara për vrasjet në kufi, fotografi të ish- të burgosurve politikë gjatë hetuesisë apo dhe në burgje; fotografi të klerikëve të burgosur dhe atyre të ekzekutuar; fotografi të fëmijëve në ambasadat e huaja në ngjarjen e 2 korrikut 1990 edhe foto qytetarësh të huaj të burgosur në Shqipëri. Kuratorja e ekspozitës, poetja edhe shkrimtarja, Luljeta Lleshanaku, na rrëfen se nëpërmjet kësaj ekspozite, njerëzit mund të kuptojmë më shumë mbi realitetin edhe propagandën komuniste.
“Ekspozita tregon realitetin komunist, ndërsa me voice-over jepen kolona zanore nga filma dokumentarë të komunizmit. Janë fjalime të krerëve të shtetit shqiptar, që i shërbejnë propagandës. Kontrasti mes asaj që shohim edhe dëgjojmë përbën esencën e komunizmit”, shpjegon Lleshanaku .
Fotografitë origjinale që shfaqen për herë të parë shoqërohen edhe përmes zërit me copëza fjalimesh, nga dokumentarët të ndryshëm, që i kanë shërbyer propagandës komuniste, deri në eksodin e 2 korrikut në vitit 1990.
“Nëse realiteti shqiptar në komunizëm ishte i atillë siç propagandohet, atëherë nuk kishte një arsye, që shqiptarët të iknin, sikundër ndodhi në eksodin e 2 korrikut 1990. Ishin shumë shtrëngesa, mungesa e lirisë, ekonomia shqiptare, një formulë e dështuar që e bën modelin komunist sa jo human aq edhe të dështuar njëkohësisht”, vijon Lleshanaku.
Ende edhe sot, ish të përndjekurit nuk janë dëmshpërblyer për çka kanë kaluar.
“Në dëgjojmë vazhdimisht përmes medies për kompensimin e ish-të burgosurve politikë, aq sa krijohet ideja, që taksat e shqiptarëve shkojnë për ish- të burgosurit politikë. Por sot e kësaj dite nuk është realizuar kompensimi i të gjithë burgosurve politikë”, shpjegon më tej kuratorja.
Ekspozita “Komunizmi shqiptar: propaganda dhe realiteti” qëndron hapur për publikun tek Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
v.d./b.ha./Shqiptarja.com