Për herë të parë qeveria kineze pranon se numri i vdekjeve dhe rasteve të Covid është i madh
3 Janar 2023
Një kthesë vjen nga Kina pasi zyrtarët më të lartë shëndetësorë të vendit pranuan sot për herë të parë se numri i vdekjeve nga sëmundja Covid është “i madh” dhe 70% e 25 milionë banorëve të Shangait janë infektuar. Në të njëjtën kohë, Pekini po paralajmëron vendet perëndimore për “hakmarrje” pas kufizimeve të vendosura ndaj atyre që udhëtojnë me ajër nga territori kinez.
Kujtojmë se, muajin e kaluar, qeveria kineze lehtësoi papritur masat drakoniane të strategjisë së “tolerancës zero” për t’u marrë me sëmundjen Covid, duke rezultuar që spitalet të mbushen me pacientë me simptoma të rënda të koronës dhe krematoriumet me kufoma. Por tani zyrtarët kinezë kanë thyer heshtjen e tyre dhe kanë pranuar se kanë një numër të madh rastesh Covid dhe se numri i përgjithshëm i vdekjeve është “i madh”.
Në të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë kinez pretendon se 70% e 25 milionë banorëve të Shangait mund të jenë të infektuar me koronavirus. Siç komenton në mënyrë karakteristike gazeta “Daily Mail”, çuditërisht zyrtarët shëndetësorë të Kinës deklaruan në televizionin kinez se vendi i tyre po përballet me një rritje kritike “përsa i përket numrit të rasteve dhe vdekjeve” nga Covid.
Megjithatë, ata nxituan të zvogëlojnë seriozitetin e situatës, duke theksuar se rritja e madhe e rasteve është regjistruar në vendin më të populluar në botë.
Qeveria e Pekinit ka dënuar gjithashtu masat e reja të shpallura nga vendet perëndimore për të detyruar pasagjerët që udhëtojnë jashtë vendit nga toka kineze t’i nënshtrohen testeve të Covid, duke paralajmëruar se mund të përballen me hakmarrje.
Dje, siç shkruan Daily Mail, Presidenti i Kinës Xi Jinping pranoi gabimet e politikës së tij drakoniane të tolerancës zero në trajtimin e sëmundjes Covid që nuk ka arritur të përmbajë virusin dhe ka ndezur protestat e para masive të përhapura në vend prej dekadash.
Pas trazirave masive sociale, Xi Jinping tërhoqi masat e rrepta kundër koronës më 7 dhjetor, megjithatë, strategjia e tij e re ka shkaktuar një rritje të mprehtë të rasteve me Covid kryesisht në kryeqytetin e vendit.
Për 20 ditët e para të dhjetorit, komisioni i lartë shëndetësor i qeverisë kineze vlerëson se 248 milionë qytetarë – ose 18% e popullsisë – ishin të infektuar me koronavirus.
Nga ana e tij, Jiao Yahui, një zyrtar i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, tha sot në televizionin shtetëror të vendit: “Kemi një numër të madh rastesh me simptoma të rënda, si dhe një rritje të madhe të vdekjeve. Megjithatë, në krahasim me pjesën tjetër të botës, rastet e koronës me të cilat po përballemi në të gjithë vendin nuk janë të pazakonta”, tha ai, sipas “Times” të Londrës.
Gazeta Shqiptare