Për një ikonografi shqipfolëse. –
Për një ikonografi shqipfolëse. –
Nga: At Foti Cici. –
Ka mjaft shqiptarë ortodoksë që nuk e kanë dëgjuar ende se ikonat me shkronja shqipe janë tejembanë ortodokse dhe njësoj të hirshme me ato që kemi në greqishte: Të barasvlefshme, të njëzëshme e të barabarta sipas të gjitha sendeve. Në qoftë se ikonat e njohura në mbarë krishtërimin ortodoks përkon të jenë në të njëjtën kohë edhe vepra të mirëfillta arti, admirimi dhe nderimi ndaj tyre nuk ushqehet nga cilësia e artit. Mundësia e të pamundshmes ndodhet jashtë ikonës, tejet ngjyrave, datave, shkronjave, emocioneve kulturore e politike që ato herë-herë mbartin e trashëgojnë dhimbshëm.
Përderisa shqipja ndalohej të përdorej si gjuhë adhurimi në kishën ortodokse, deri në vitet 1920, edhe gjuha e ikonave kishte të njëjtin fat; në kishën ortodokse ajo konsiderohet si shtrirje e gjuhës së adhurimit. Kjo është arsyeja që nuk trashëguam ikona me shkronja shqipe nga e kaluara e largët, sepse shumë thjesht ato do të digjeshin dhe autorët e tyre do të shkungoheshin, shkishëroheshin e ndoshta edhe më keq. Edhe nëse historia e së ardhmes na ruan ndonjë çast të dëshiruar sfidimi, pjesë e ngazëllimit do të jetë çudia ndaj vetë ekzistencës së tyre. Prandaj dhe në këtë pikë formulimet e rajonit ballkanas ndërsillen e shfajësohen: Nuk kërkojmë ikona shqiptare, sepse ato i kemi, por duam ikona shqipfolëse brenda në Kishë!
Duke ardhur nga një sfond i mugët historik, ne i trajtojmë ikonat ekzistuese, pothuaj që të gjitha emërshkruar në greqishte, me drojë hyjnore, por me të njëjtën ndjeshmëri duhet të pranojmë ikonat me emërshkrime shqip, pikërisht me të njëjtën frymë që përdoren në greqishte, sllavishte, anglishte, suahili e në të gjitha gjuhët ku adhurohet në mënyrë ortodokse (E madje pak më ngrohtë në shqipe, se lidhja është pa ndërmjetës, pa përmendur këtu mirënjohjen gjuhësore që i detyrohet krijesa folëse Gjuhëdhënësit). Ne, teologët dhe kishtarët ortodoksë shqiptarë, kemi për detyrë t’iu mësojmë brezave të sotëm të interesuar udhën e drejtë të besimit tonë dhe jo atë të rrëshqitjeve të ortodoksisë në terrin e jashtëkishës. Shtegu i thepisur i besimit fetar nuk mund të zbukurohet me simbole që kthehen në idhuj kulturorë, sepse në vend të realitetit hyjnor këto shenja përçojnë mirazhe tek disa, keqkuptime, sprapsje, rënie e madje urrejtje tek të tjerë, dhe lëbyrje tek të shumtët.
Shpikësit dhe përdoruesit e simboleve, të cilët në rastin tonë kanë dëshira dashamirëse, janë të ndërgjegjshëm se prania e përsëritur e emërshkrimeve greqisht, si për shembull në Tiranë dhe në gjithë vendin, krijon përshtypjen imponuese të një tradite vendase, sidomos tek ai brez që lindet dhe ngrihet gjatë shfaqjes dhe qëndresës së kësaj simbolike greke në Shqipëri. E kaluara e tyre fillon tek e tashmja jonë. E kuptuar në këtë këndvështrim, do të jetë shumë vështirë të zëvendësohen simbolet në fjalë në të ardhmen, sepse ndryshimi i tyre do të sjellë ndryshime të tjera, më të dhimbshme për brezin ortodoks, i mëkuar ky me një didaktikë të tillë vizuale, kaq të fuqishme. Tradita është e tillë për arsye që nuk kanë lidhje kërthize me moshën e saj.
Në Shqipëri vështirësia nuk qëndron vetëm tek misionarët e huaj ortodoksë, të cilët na kanë bindur se e kanë të vështirë të ndijojnë specifikën e kulturës sonë, por më shumë tek vetë ortodoksët, dhe më qartë tek disa njerëz të shkolluar e të etiketuar si “intelektualë Orthodhoksë”. Janë këta që kanë rënë në dashuri me artin ekzotik bizantin, si pjesë e asaj që nuk është shqiptare, duke shpërfillur me ose pa dashje thelbin e besimit ortodoks, i cili ndodhet tej gjuhës e kombësisë. Arti mund të jetë edhe fe, por nuk është në doktrinën e kishës ortodokse të trajtohet nga ana e kundërt, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në të kaluarën e çfarë brumoset sot në Shqipëri.
Kur simbolet fetare përkthehen, intelektualët ortodoksë reagojnë, sepse reagon intuita e tyre, teksa rrënohet kulla e besimit, gjë që gjithsesi një ditë do të ndodhë, kur feja e tyre është ngritur mbi një ngrehinë sentimentale, apo nën trysninë e viteve të pasdiktaturës, sesa në një jetë hyjthirrëse, jashtë mjedisit dhe personave të sotëm.
Një debat i tillë, mbi mospërkthimin shkrimor të viseve hyjnore, është i hershëm në përkthimet kishtare dhe është dokumentuar i tillë dhe në botën shqipe. Le të kujtojmë polemikat e intelektualëve shqiptarë ortodoksë mbi përkthimin e teksteve liturgjike. Kur këta intelektualë panë nocionet e ngurta hyjnore të përkthehen mjeshtërisht nga një prift i ri, u skandalizuan dhe, për të mos e thënë shkakun e vërtetë, u kapën tek gabimet në përkthim. Institucionalizimi i shqipes kishtare provoi se reagimi i intelektualëve kishte të bënte me cilësinë e vetë mendimtarisë së tyre, dhe jo me atë të përkthyesve.
Edhe të zgjuarit e të shkolluarit e sotëm nuk flasin kot, por ja që ikonat janë quajtur e pranuar nga mendësia ortodokse dhe si “Bibla e analfabetëve”. Ikonat janë, pra, libri i leximit për të paditurit. Në një farë mënyre, ikonat janë dhe mjeti i informimit për ata që nuk janë marrë me punët ortodokse, por duke i kundruar ato, dallojnë disa ngjarje të ikonizuara, e ndonjëherë syri, pa dashje fare, mund të mos ngulet tek portreti i ikonizuar, por të shkojë e të mbetet në ndonjë hollësi të parëndësishme të ikonës, për ta regjistruar atë përjetësisht në kujtesë. Ndoshta tek përdredhja e ndonjë sigme…
Veprat bizantine që i kanë shpëtuar prishjes dhe zhdukjes, janë pasuria e ortodoksisë shqiptare dhe pjesë e thesarit të vendit tonë, prandaj dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, pavarësisht se në çfarë gjuhe janë përjetësuar. Reagimi ndaj përdhosjes së tyre është reagim ndaj prishjes së pasurisë shqiptare dhe jo indinjatë ndaj pacënueshmërisë ortodokse. Është mëkat të personifikohet arti i një populli të tërë… Në të njëjtën kohë duhet të ndihemi njësoj përgjegjës për të ardhmen e ortodoksisë në Shqipëri dhe duhet të sjellim tek brezat e sotëm frymën e saj fetare, e cila nuk mund të jetë plotësisht ortodokse, pa pranuar gjuhën shqipe në plotërinë e saj.
Por si dhe deri kur mund të justifikojë KOASH-i emërshkrimet greke në ikonostasin e ri të kryekishës shqiptare në Tiranë, dhe në të gjitha kishat e ndërtuara e të rindërtuara në gjithë Shqipërinë? Si mund të këndirren mozaikë dygjuhësh, vepra të këtyre viteve në Shqipërinë e mesme, për të mos përmendur Shqipërinë jugore? Në qoftë se ajiografët tanë të sotëm nuk krijojnë vetëm ikona në greqishte e në anglishte, përse të mos përdoren ikonat e tyre shqipe nëpër kishat tona shqiptare, por po përdoren si dhurata midis një klase të re aristokratësh, a si mjete joshëse për të mbledhur ndihma jashtë, apo si relika pahitëse në atdhe, si alternativë e dorës së dytë për zbukurime nëpër kënde, korridore kishash, banesash e zyrash?
Duke pranuar këtë arsyetim legjitim, çfarë mund të themi për destinin e ikonave të reja me emërshkrime të huaja, apo dhe dygjuhëshe, të cilat nuk mund, e nuk duhet, të shkatërrohen? Bukur fort ato e kanë vendin në kishat e pakicave ortodokse jo shqipfolëse.
Shqiptarët ortodoksë kanë nevojë për “verë të vjetër në fuçi të re”, dhe jo anasjelltas. Sa më shumë të vonohemi në këtë shërbesë të ngutshme, aq më shumë ngadalësohet plotësimi i imazhit të KOASH-it, sipas shëmbëllesës së kishave simotra autoqefale. Trashëgimia e pasur ortodokse, nuk lë vend për mëdyshje.
At Foti Cici
Koha Jonë, 20 korrik 2003