Për poezinë popullore të dashurisë

Nga Timo Mërkuri

Është e natyrëshme që sot më 14 shkurt (1) , ditën që gjithë të rinjtë flasin e mendojnë për dashurinë, ne krijuesit ta kthejmë vëmëndjen te poezia e dashurisë. Të gjithë e kemi provuar se sa e vështirë është të shkruash një poezi dashurie dhe në këtë moment na vjen ndërmënd fjala e Roberto Benignit kur thoshte: “Mos filloni të shkruani menjëherë poezi dashurie, sepse janë më të vështirat, prisni të paktën nja 80 vjet që të shkruani”. Sigurisht që humoristi i madh e citoi në sens humori periudhën, por gjithsesi këto fjalë mbartin një të vërtetë dhe secili prej nesh kujton “vështirësitë” që kaloi për shkruar qoftë dhe vargun e parë të secilës nga poezitë që do lexojmë sot. Për secilin prej nesh periudha pritëse 80 vjeçare është tepër e gjatë, por në fakt është shumë e shkurtër për poetin popullor, sepse vetëm populli mund të shkruajë pa reshtur poezi dashurie që kanë rininë e përjetëshme, ngjyrën, dritën, gjestin e momentit, sinqeritetin, fjalën e thjeshtë me një metaforë të goditur, ndaj dhe ka krijuar një korpus disa vëllimesh me poezi të tilla, nisur që nga vargu epik: “O po unë Tanushën vet e kam pa” e duke mbritur te krijimi i mundëshëm i ditës së sotme diku. Populli të gjitha momentet e jetes i ka poetizuar me vargje dashurie sepse e ka kërkuar dashurinë në çdo moment dhe ka ëndëruar ta mbushë gjithë jetën me dashuri. Ndaj shkruan:“Në saba pa gdhirë dita/E mora xhoken e ika/Në udhë më doli Vita/Në udhë më doli fati /Pak e shkurtërë nga shtati”…Dikush do ta quajë një takim i rastësishëm, por gjithë dashuritë e mëdha rastësisht nisin. Rasti ynë i mësipërm, edhe aq rastësi nuk është se ai ishte bërë gati edhe për “kurthe” takimi kinse të “rastësishme”: “Do ta shtroj xhoken në udhë /Do bënem si i sëmurë/ Kur të shkoj mikja për ujë”..

Është befasuese poezia popullore e dashurisë, është gjithnjë e freskët si lule e porsaçelur. Mund të dëgjosh një poezi të tillë që të krijon përshtypjen se është këngë e momentit, ndaj dhe befasohesh kur mëson se ajo ka disa shekuj që jehon në iso. Ka disa arssye se pse është gjithmon e freskët poezia popullore e dashurisë, disa nga të cilat po i përmëndim:

1–Poezia popullore e dashurisë flet për dashuritë e mëdha dhe jo për dashuriçka. Ajo flet për ato dashuri që duhen supet e maleve për ti mbajtur. “Kam një brengë në zemër/S’di kujt ti drejtohem/Tu drejtohem maleve/Malet më largohen/Tu drejtohem fushave/Fushat zbukurohen/ Tu drejtohem vajzave/Vajzat zën martohen” rrënkon poeti popullor. Si e tillë kjo dashuri, në mos pastë dasëm të madhe ka tragjeditë e mëdha si të Romeos e Zhuljetës që nga vargu “Nga muri do ngjitem/Ta di që do vritem” e në vijim te kënga: “Te panja me tri qivure/ Aman mike aman nure/ Më thanë që u sëmure./Atë ditë që ma thanë/U ngreç e vajta dyqanë/Tre para bleva zhiv-anë/U helmova po s’më lanë”. Madje edhe ëndrat janë të tejskajëshme; “Vito mu bëre në gjumë/ Sikur mu mbyte në lumë/Pas teje rashë dhe unë/Se të kam dashurë shumë”… Asgjë të stisur nuk ka në këto vargje, madje të duket se janë të vetmet vargje që duheshin shkruar. Kjo ndoshta edhe nga fakti se shpesh herë poezia popullore e dashurisë pasqyron ngjarje e dashuri reale, të realizuara apo të penguara.

2-Struktura e vargjeve të poezisë popullore ( jo vetëm) të dashurisë është tepër solide. Rima nuk lejon asnjë gërmë më tepër apo më mangët, rrokjet janëtë njëjtat nëpër vargje, ka të njëjtin botë figuracioni etj. Ngjan me muret pellazgjikë që, ndonëse pa llaç, mes gurrëve nuk mund të futësh as një gjilpërë. “Dal në breg e vështroj poshtë/Dy shelege në një koshtë/Njera bejkë e tjetra sorkë/Njera me jelek të cohtë/Çka një qën a j’u tërboftë/Që smë lë të hyj në portë”. E gjitha kjo është në funksion të idesë së poezisë dhe jo të vargjeve. “Shkon një vajzë me gërsheta/Tundet si të ish Gjoleka” krahason poeti ecjen e vajzës me ecjen fine të Gjolekës (historikisht dihet që Gjoleka kishte një ecje të lehtë e të bukur) por ndërkohë afron krenarinë e vajzës me atë të kapedanit të kryengritjeve shqiptare. Siç duket edhe te shëmbujt e mësipërm dhe në të gjitha poezitë popullore, rima kryen funksionin estetik dhe strukturor që kryejn edhe qoshet e shtëpive të ndërtuar me gurrë të gdhëndur, funksionin e mbajtjes së “murreve” dhe bukurisë së ndërtimit.

3- Poezia popullore e dashurisë ka një sinqeritet të pashëmbullt në strukturën e saj. Aty flitet me “gjithë shpirt”, pa fshehur asgjë, as shkakun e dhimbjes dhe as madhësinë e saj, etj psh: “Bëj të flë, gjumi s’më zë/Më bënet në ëndërë,/Një si xhinde-femërë./Sikur qesh e loz me të./ Kur u ngreshë s’gjeçë gjë,/Desh të vrasë vetenë”. Askush nuk e pa poetin dhe ëndrën e tij, dhe ca më tepër tentativën për vetvrasje, por ja që ai duhet të jetë i sinqertë me poezinë, me veten e tij pastaj me vajzën që dashuron, e cila rastësisht mund ta dëgjojë këngën “Mike në të kam për mike/Kurt ë vdes të bënesh qyqe/Të më qash brigje më brigje/Jo me lotë por me ligje” rrënkon poeti popullor se e ndjen që po i mbaron jeta. Madje i dëshpëruar një ditë më parë këndonte : “O moj jetë jetë e rreme/Që kur leva më gënjevë/Pleqërinë s’ma rrëfeve”, ndërsa nja dy orë pa perënduar dielli rrënkonte këngën: “Çu plakç e këmba më mbet/Djalërinë kush ma shet/Ta blej

njëmij e dyzet/Vetëmë për një sebep/Për miken që shkon e s’flet”.

4- Poeti popullor i shpreh hapur dhe thjeshtë dëshirat dhe ndjenjat e tij, pa zbukurime dhe pa përzgjedhje frazeologjike. Ai dëshiron:“Të më bën zoti dhe mua/Një dërrasë në virua/ Pllakë të bardhë në krua/Të lan sizeza mbi mua”. Dhe ka si synim jete që vajzës të cilën e dashuron: “Ti rrij gjashtë muaj pranë/Gushtin e vjeshtën e parë/ Shënëndreun e janarë/Dhe muajt që në mes janë”. Sigurisht që, sipas llogarisë s’mbetet asnjë ditë tjetër e vitit për të ndënjur

vetëm. Por poeti këtë nuk e thotë, këtë e kupton lexuesi apo dëgjuesi, se vajza e ka kuptuar me kohë.

5-Kjo poezi dallohet për një figuracion të thjeshtë e të kuptueshëm, marrë nga bota ku poetizon poeti popullor. Psh barinjtë i marin figurat nga bota baritore dhe kur përdoren figura qiellore (yjet, retë, hëna ato gjithmon paraqiten në pozicionin e parë nga poshtë lart etj. Poeti qytetar i mer nga vetë ambienti : “Kush mi mori mëntë mua/ Oda me vasilikua/ Manxuranësë çi thua?/Çkanë shoqetë me mua/Që s’më lënë të të dua”. Që të bashkëbisedojë vasilikoi i odasë me manxuranën është tepër e zakonëshme sepse ato i dinë sekretet e dashurisë të çupave të qytetit. ”Pse s’na flet moj “bore” e madhe” i drejtohet poeti vajzës që shkon e nuk i flet, ndonëse e di që ai digjet për ‘të. E quan borë dhe nënkupton që është e bardhë dhe e bukur, por dhe e ftohtë me ‘të dhe ca më tepër e “rrezikëshme” se mund të krijojë orteqe. Se çfarë mund të bëjë orteku “vajzëror”, më mirë mos ta themi se “trëmben” djemtë e rinj. “U fola shoqeve – Dili!/ Ç’bëni o nata që flini/Ju burrat atje si kini” u thotë një grua shoqeve (që i fton të shkojnë të bëjnë dru në pyll), duke i quajtur “nata”, jo aq nga veshja e tyre e zezë se sa nga fakti që janë vejusha apo i kanë burrat me bagëti në mal, pra gjithsesi janë duke fjetur vetëm.

6–Poezia popullore e dashurisë ka një rrjedhshmëri të vargut, si në llogjikë ashtu dhe në figurë. Po qe poezi baritore edhe figuracionin e ka kryesisht të botës baritore. Le ta shohim te kënga e mëposhtëme: “Unë dola, dielli zgjoi/Doli xhindia nga skoloi/Nëpër dhënt e mia shkoi/ Të shkretat seç mi verboi”. Te kjo poezi, e huaj për botën baritore është fjala “skoloi”, por veprimi dhe subjekti e justifikon, sepse vajza që dashuron autori është mësuese në shkollën e fshatit dhe momenti i poetizuar është pikërisht momenti i daljes së saj nga shkolla me nxitim (si një xhinde).

7-Poezia popullore e dashurisë ka një thjeshtësi të “tejdukëshme”, larg fjalëve të ndërlikuara dhe dykuptimësive. Themi të tejdukëshme se ndërsa këndohet vargu i parë, ti e “sheh” (e ndjen, e kupton, e fantazon) vargun e dytë dhe kështu me radhë. Madje po të jesh njohës i poezisë popullore, “shikimin” e vargjeve e ke shumë më të fortë. Le të shohim këngën: “Dy gisht përmbi vetull/Ma mbaje shaminë/Hapu moj bunacë /Bënu suferinë”, ku menjëherë pas vargut të parë, llogjika pyet se çfarë mund të ketë mbi vetulla një vajzë? Istiktivisht të afrohet në kujtesë figura e shamisë. Te kënga “Syzeza vetulla llaja/Po zbret mikja nga kalaja/Sikur vjen nga kasabaja” i krijoni vetë vargjet, mjafton të shihni ecjen serbese të vajzës…

8-Vargjet e këngëve popullore janë plot muzikalitet si hojet e mbushuira me mjaltë, ato më

lehtë këndohen se sa të lexohen. Madje edhe kur flasin për “telashe” fshati: “Udhëve të fshatit tanë/Shkon mikja shamimënjanë/Mos mike se dogje fshanë” pastaj e zbut melodinë që ti zbutë zemrën: “Shkoi shamiverdha shkoi/ Me takëme më verboi”..dhe kur mbetet vetëm poeti popullor , mbyt në fyt një klithmë:“Sevdaja shokë sevdaja/M’e keqe se fukaraja/Kjo sevda që më ka rarë/ Më ka nxirë e më ka tharë/Më ka tretur si longarë”. Në fakt këto vargje janë krijuar për t’u kënduar me gojë pasi u “ligjëruan”, “vajtuan” me shpirt. Realisht ligjërimi, vajtimi dhe kënga nuk janë shumë larg njera tjetrës në poezinë popullore.

9-Anonimati dhe kolektiviteti janë gurthemeli të poezive popullore të dashurisë. Ato nuk kanë autor të cilësuar, ndonëse dikush i ka krijuar fillimisht. Ato nuk kanë emër vajze të cilës i kushtohet, ato u këndohen të gjitha vajzave. Fakti që pas krijimit të tyre fillestar mbi ‘to kanë “vënë” dorë rapsodë të tjerë, të krahinës apo krahinave të tjera, qoftë edhe duke krijuar motërzime të reja, përbën kolektivitetin e kësaj poezie. Duhet të themi se është pikërisht ky faktor “ndërhyrjeje” te vargjet dhe krijime motërzimesh arsyeja që kënga popullore është e re, e freskët, aktuale, sepse bashkë me melodinë ajo “udhëton” në kohë, si një çupë që ka ikur nga shtëpia, në kërkim të dashurisë: “Gjiton e zeza gjitone/Sapo vjen e zbukurone/Këto vetullat e tua/Si qiri më tretën mua” këndon djaloshi i qytetit (por ne nuk e dimë se i cilit qytet, e jo më të dimë emrin e djalit), ndërsa në fshatin pranë bariu i dhënve “lëngon” në vargje: Kjo gjitonia në mëhallë/Ta marë o lumi ta mare/Pse ma mba kokën mënjanë/Sikur i kam vrarë babanë /As baban e as vëllanë/Po i kam hedhur dy fjalë”. Këtu është shkaku dhe arsyeja që shumë këngë të herëshme popullore, balada e legjenda kanë mbritur në kohën tone të “freskëta” sikur janë aktuale, falë motërzimeve dhe “këngëzimit” të tyre me melodinë popullore.

Mund të rimë e të citojmë poezi popullore dashurie njërën më të bukur se tjetrën, nga një krahinë apo nga një tjetër. Ne krijuesit shqiptarë jemi vërtet fatlumë që kemi një folklor kaqë të pasur e të bukur, kaq të hershëm e të ri, gjithmon të freskët dhe gjithmon të këndueshëm. Në “bangat-vargje” të kësaj shkolle-folklori morën “mësimet” dhe frymëzimet e para korifejt e poezisë shqipe, që nga Naim Frashëri, Çajupi, Gjergj Fishta, Ali Asllani, Lefter Çipa për të ardhur të Lasgushi, Dritëro Agolli e Ismail Kadare. Ende vijon të marim mësime te folklori, të pimë ujë në burimet e tij dhe të thithim ajrin e pastër të atyre qiejve, duke u ndjerë të lehtë në krijimin e një vepre letrare të suksesëshme. Mund të përmëndim shumë e shumë emra të poezisë së sotme shqipe, por unë do tju ftoja miqësisht të lexoni baladat e Petrit Rukës, i cili në “ringjalljen”e tyre ka përdorur gjithë elementët e jetës së herëshme, doket zakonore e mardhëniet e familjes, fisit dhe shoqërisë, ambientin natyror etj., të kohës kur hidhte shtat balada në krijimin të saj, me elementë të ka marrë nga folklori, të përpunuar artistikisht dhe na ka dhënë epokën e tyre në atë mënyrë, sa që mund të “hamëndësojmë” se baladat janë krijuar nga Petrit Ruka, i cili paskësh jetuar në një jetë tjetër, në kohëra të mëherëshme. Do t’ju ftoja të lexoni poezitë e Ymer Nurkës, vargjet e të cilit janë mbushur plot me pranverë folklori. Ndërkohë unë, me lejen tuaj, do tju lexoj një poezi të poetit Kristo Çipa të krijuar si një shtëpi e re, ndërtuar me gurë të “vjetër”, nxjerrë nga gurroret e “malit” folklorik, me të cilën ai më ka porositur t’ju përshëndes sot, ditën e Shën Valentinit:

NAFORA E KUNGIMIT

Shkallët si i ngjite?/Me këmbë a më thua?!/Pse shpresën ma grise?/Me ato që s’thua!

Mos m’a fik mëngjezin/Të më kthesh në hije!/Kur hapat të zbresin/Ktheu pa trokitje!

Eja, moj të rimë!/Qoftë dhe një sekondë!/Nëpër psherëtimë/Të shoh, atë botë!

Bota kanakare!/Qetësim dafine!/Flakërim , pa zjarre/Dredhia, pa hile!

Naforë e kungimit!/Pashka u afrua/Dy vezët e gjirit/T’i përpjek, unë, dua!

1- Materiali u pregatit për tu referuar në aktivitetin e Klubit të Krijuesve Jonianë me Qëndrën Kulturore “Dea” në Ksamil, më datën 14.02.2021, por për shkak të keqësimit të situatës pandemike në Sarandë, aktiviteti u shty për kohë tjetër. Ndërkohe e vë në dispozicion të lexuesve këtë material.

Sarandë, më 11.02.2021