Për të kuptuar 25 Prillin, shihni çfarë ndodhi në Librazhd sot
Për të kuptuar 25 Prillin, shihni çfarë ndodhi në Librazhd sot
– 13/03/21
Eshtë një paradite me re dhe e lagësht në Librazhd. Disa shtëllunga mjegulle shkojnë e vijnë mbi malet përballë. Bulevardi i vogël ka njerëz megjithatë. Janë dy qendra që bëjnë kontrast e bien në sy teksa jemi 40 e pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Përpara zyrës së PD ka dhjetra njerëz.
Duket se diçka do të ndodhë, ka një event. Mësohet se do të prezantohet kandidati për deputet, dhe Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi do të jetë prezent.
Nja 100 metra më tutje, është zyra elektorale e Partisë Socialiste. E branduar bukur, dhe me ngjyra të forta. S’ka të sharë. Problemi është se njerëzit po rrotullohen ngado, po askush nuk ndalet aty.
Dyert e mbyllura dhe një hapësirë përpara saj bosh. Këmbë njeriu.
Nga godina e PD dëgjohen thirrje të forta dhe duartrokitje.
Fitore, Fitore.
Në këtë moment, shfaqet në qytet edhe drejtuesi politik i PS, për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla.
Ai ka dy vetë anash, të bindur duken, me gjasë funksionarë bashkie.
Ata që e dinë se Librazhdi është bastioni dhe hambari i tij elektoral, habiten se si askush nuk ndalet të shtrengojë duart me të.
Bash në këtë ecje të vetmuar, përballë shfaqet Gazment Bardhi. Një turmë e madhe pas tij, po ndërkohë në çdo hap, dikush e përshendet, dhe dikush tjetër e takon.
Në një gjysëm ore, ti e kupton se çdo të ndodhë me 25 Prill në këtë qytet, që ka mandatuar Taulant Ballën qysh se nuk mbahet mend.
Dhe kur ky kontrast shfaqet këtu, përfytyroni në zona të tjera si qyteti i Elbasanit, apo në komunitete që kanë më pak fanatizëm politik dhe e kanë të fortë racionalitetin në zgjedhje.
Shenjat janë që vota e 25 prillit do të sjellë surpriza të mëdha. Ata që kanë menduar me mendjelehtësi se mund të rrinë në kufinjtë e listës, për shkak se populli marroset pas tyre dhe do u japë mijëra vota, do të marrin leksionin e jetës.
Sikundër, edhe ata që pushtetin e besimin e dhënë me bujari në shumë vite, e kanë marrë për të mirëqënë dhe e kanë përkthyer në favore e privilegje për veten e tyre.
Gazeta Mapo