Për të tërhequr punëtor. Hasani: – Do hapim ambasadë në Indi, Indonezi e Kenia
29 Gusht 2024
Ligj i ri për shërbimin diplomatik dhe strukturë e posaçme për shqiptarët e rajonit. Këto janë pikat kyçe që janë diskutuar në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024”, të cilat u njoftuan sot nga ministri i Jashtëm Igli Hasani në një konferencë për mediat.
“Shqipëria është e angazhuar në shumë organizata ndërkombëtare dhe iniciativa që janë realizuar me sukses. Gjatë 3 ditëve të konferencës diskutuam për zhvillimet e brendshme për shërbimin diplomatik. Po përgatisim ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe strukturë të re për shërbimin e jashtëm dhe një drejtori që do të merret ekskluzivisht me shqiptarët që janë në rajon dhe me hartën nëpër botë”.
Ai tha se së shpejti shërbimi diplomatik do të zgjerohet në Indi, Kenia dhe Indonezi.
Hapja e ambasadës shqiptare në Indonezi, Indi e Kenia do të shërbejë edhe për punësimin e tyre në vendin tonë.
Ministri i Jashtëm nuk dha shifra konkrete sesa interes kanë këto vende për të punuar në Shqipëri, por tha se vendi ynë duhet të përgatitet që të mirëpresë shumë të huaj, jo vetëm për turizëm, por edhe për të punuar. Në konferencën me gazetarë ai tha se ka potencial shumë të madh ekonomik, pune dhe bashkëpunimi me këto vende.
“Në vazhdim të bisedave zyrtare me kolegët nga Prishtina një nga temat ka qenë edhe përfaqësimi i Shqipërisë dhe Kosovës nëpër botë dhe kemi rënë dakord që Kosova të hapte ambasadë në Malajazi dhe Shqipëria në Indonezi, që të mbulojmë në mënyrë sa më të mirë vendet e hapësirës së Paqësorit, ku ka potencial shumë të madh ekonomik, pune e bashkëpunimi. Po shohim mundësitë që të lehtësojmë angazhimin e personave që shohin si mundësi edhe Shqipërinë jo vetëm për turizëm, por edhe për punë. Shqipëria e shqiptarët duhet të mendojnë që ne nuk jemi më vend i emigrantëve, por do të mirëpresim shumë të huaj që do t’i bashkohen përpjekjeve tona për të përmirësuar dhe për të punuar në realitetet ku jemi”.
I pyetur për përfaqësimin e Kosovës në këtë konferencë Hasani u përgjigj:
“Në rastin e Kosovës kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe kjo drejtori do të ndihmojë kolegët në Prishtinë për sfidat dhe rrugëtimin që kanë marrë përsipër. Prishtina ka qenë e ftuar ne i kemi pritur për fat të keq të fundpushimeve dhe një situate shëndetësore, përfaqësimi nuk ishte ai që pritej. Por do të takoj ministren Gërvalla për të diskutuar çështjet që kemi pasur në agjendën tonë”.
Ai përsëriti deklaratat e kryeministrit Rama për samitin e NATO-s 2027 që do të organizohet në Tiranë.“Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe aleat i domosdoshëm në aleancën e Atlantikut të Veriut. Në 2025 është mbledhja e komitet politik europian”.
Gazeta Dita