Për veprën e Akademikut Vasil S. Tole, “Kadare dhe Muzika”.

Nga Prof. Dr. Klara Klara Kodra

“Arti i fjalës” dhe arti i “mungesës së fjalëve”

-“Studimi i Vasil S.Toles është një hap i vendosur në këtë drejtim që zbulon një anë të re të një vepre të gjerë dhe të fuqishme letrare dhe njëkohësisht mundësitë e “artit pa fjalë”, muzikës të ndërveprojë me “artin e fjalës”.

– “Studiuesi arrin në përfundimin se muzika popullore shqiptare në llojet e saj të ndryshme është një element gjenerues dhe përbërës i brendshëm i artit të Kadaresë. Ky zbulim i tij e mundëson të parit e këtij arti në një optikë të re përtej mundësive që jep shkenca letrare, po të kufizohet thjesht me mjetet e veta.”

Prof. Klara Kodra

-“Ky punim ndërdisiplinor ka rëndësi përsa i përket shkencave tona albanologjike, jo vetëm me arritjet e veta, që janë të ndjeshme, po si udhërrëfyes për punime të tjera, qoftë kadarejane, qoftë në përgjithësi historiko-letrare dhe kritike që ndriçojnë autorë të tjerë”.

ps: lexo shkrimin e plotë të botuar në gazetë NACIONAL, datë 28 korrik, 2019

Nga Prof. dr. Klara Kodra

Letërsia është quajtur për antonomazi “arti i fjalës”, ndërsa muzika përfaqëson një gjuhë të një lloji tjetër, “pa fjalë”.
Kështu në dukje, këto dy arte qëndrojnë në pole të kundërta.
Po ç’do të ndodhte sikur studiuesi të merrte në analizë ato pika që i bashkojnë dy artet e sipërpërmendura?
Këtë udhëtim eksplorues në hapësirën e dy arteve guxon ta bëjë studiuesi Vasil S.Tole në monografinë “Kadare dhe muzika” ku analizohet vepra e një shkrimtari të shquar, ndofta më të madhit shkrimtar bashkëkohor shqiptar në lidhjet e tij me lloje të ndryshëm të muzikës shqiptare.
Ideja e vënë në bazë të kësaj monografie është e guximshme dhe origjinale, po s’bëhet fjalë për një origjinalitet të kërkuar, po për një origjinalitet që ka rrënjët e veta objektive në terrenin e realitetit.
Shekulli i nëntëmbëdhjetë ka qenë një shekull specializimi të disiplinave shkencore në të cilin morën tipare të qarta të tilla lloje të shkencës letrare si historia e letërsisë dhe teoria e letërsisë, krahas shumë llojeve të shkencave të tjera, shekulli i njëzetenjëtë, është një shekull afrimi të shkencave që lind përherë e më tepër studimet ndërdisiplinore.
Ëndrra e romantikëve ishte shkrirja e arteve, studiuesit e sotëm zbulojnë gjithnjë e më tepër pikat që i afrojnë ato.
Studimi i Vasil S.Toles është një hap i vendosur në këtë drejtim që zbulon një anë të re të një vepre të gjerë dhe të fuqishme letrare dhe njëkohësisht mundësitë e “artit pa fjalë”, muzikës të ndërveprojë me “artin e fjalës”.
Para se t’i vihet këtij studimi të gjerë monografik autori e ka analizuar dukurinë që merr në shqyrtim në mënyrë të pjesshme te autorë të tjerë shqiptarë si Konica dhe Migjeni.
Monografia është strukturuar në dymbëdhjetë kapituj ku vihen re kalime nga analiza te sinteza dhe, në të kundërtën, nga sinteza te analiza.
Ndofta ky numër nuk është zgjedhur rastësisht nga studiuesi meqenëse është një numër tradicionalisht domethënës në poezinë tonë popullore.
Autori flet për një formim të shkrimtarit, për një brumosje të tij që në fëmijëri nga këngët dhe vallet tradicionale të krahinës së tij.
Në monografi hidhet mendimi kuptimplotë se pasqyrimi i traditës muzikore te Kadareja është element i qëndresës, pra, mbrojtjes së identitetit shqiptar që, siç dihet, përbën një nga temat qendrore në krijimtarinë e Kadaresë, më aktuale se kurrë.
Pra, ndikimi i muzikës në krijimtarinë e Kadaresë shihet si shenjë e frymës shqiptare të kësaj krijimtarie.
Autori shkruan me kompetencën e muzikologut, po edhe me shijen e lexuesit të përgatitur që përkthen fjalën e shumëngjyrshme të Kadaresë në nota muzike, pra, sheh dy “gjuhë” të veprës së tij që ndërthuren dhe plotësojnë dhe gjithashtu fuqizojnë njëra-tjetrën.
Studiuesi veçon karakteristikat shqiptare të lidhjes së Kadaresë me muzikën dhe zbulon gjithashtu veçori të përgjithshme që e bashkojnë këtë dukuri me traditat e popujve të tjerë të cilat, zbulohen nga Kadareja kritik si origjina e tragjedisë nga vajtimet, madje një përgjigje origjinale e Kadaresë ndaj çështjes homerike.
Vasil Tole e sheh, pra, Kadarenë në lidhjet e tij të dyanshme me muzikën si artist që e shkrin në brendësi të artit të vet dhe si vëzhgues që e kundron së jashtmi duke bërë zbulime teorike.
Studiuesi arrin në përfundimin se muzika popullore shqiptare në llojet e saj të ndryshme është një element gjenerues dhe përbërës i brendshëm i artit të Kadaresë. Ky zbulim i tij e mundëson të parit e këtij arti në një optikë të re përtej mundësive që jep shkenca letrare, po të kufizohet thjesht me mjetet e veta.


Ky punim ndërdisiplinor ka rëndësi përsa i përket shkencave tona albanologjike, jo vetëm me arritjet e veta, që janë të ndjeshme, po si udhërrëfyes për punime të tjera, qoftë kadarejane, qoftë në përgjithësi historiko-letrare dhe kritike që ndriçojnë autorë