Pergamena më e vjetër, që kalon shekujt. Mesjeta e vjetër në pergamenën e Shkodrës.
Nga Besi Bekteshi. –
Një nga thesaret e rëndësishëm nga shumë të tjera që ka arkivi i Muzeut Historik të Shkodrës, është një pergamenë e rishkruar ose “polimpest” e cila ka ardhur në kohë, duke mos ju ditur ekzektësisht origjina, dhe për më tepër, duke mos u sqaruar edhe përmbajtja reale e një vjetërsie të tillë historike.
Sot në gjëndjen që ka ardhur kjo pergamenë ka dy gjëra të sigurta, të cilat nuk mund të kundërshtohen në saj të vërtetësisë që të jep reperti historik i tillë. E para, është vjetërsia e saj në drejtim të lëkurës së përdorur, e cila tregon qartë se sa do që ta konsiderosh të rishkruar, modeli i shkrimit të parë dhe shkrimi bizantin, dhe më vonë në dyshimin e rishkrimit autentik, qartësojnë se nuk mund të jetë më vonë se shekulli i 14-të. Kjo është më se e qartë, sepse ndërkohë mbas këtij shekulli është në përdorim të kohës tjetër pergamenë. Pra letër, apo thurje e letrave me materiale më të evoluara në kohë. Ka pasur një studim të vitit 1984-të të kësaj pergamene dhe në fakt, është dhënë një përgjigje e përgjithshme mbi rëndësinë e kësaj pergamene të jashtëzakonshme në pikërisht arkivin e qytetit të Shkodrës.
Në vitin në fjalë, kjo pergamenë u dërgua për verifikim në Universitetin e Shkodrës në atë kohë Instituti Pedagogjik te prof Anton Fistani i cili me shumë zell ka sqaruar diçka mbi këtë rëndësi historike në Shkodër. Zoti Fistani duke mos qënë një paleograf, por duke qënë një kimist i sprovuar, ka dhënë disa përgjigje të cilat e kanë çuar edhe hulumtimin e munguar të një prej reperteve të jashtëzakonshëm të arkivit, në një stad më të lartë veprimi. Prof Fistani mbas ekzaminimit të tij të pergamenës së vjetër, ka dhënë zyrtarisht këtë përgjigje: Gjëndja e pergamenit në fillim ka qënë e dobët, disi e brejtur nga mikrorganizmat, por duke u restauruar me kushtet e kohës, është përmirësuar në maksimumin e mundëshëm. Pastaj është vënë nën veprimin e dritës eksituese luminishente UV, dhe aty kanë dalluar edhe shkrimin e parë të saj. Pra është zbuluar, se ajo ka qënë një herë e shkruar dhe pastaj është rishkruar ne një mënyrë dhe trajtë të veçantë. Fistani, vërteton se shkrimi i parë ka qënë në gjërësi dhe tipik i kohës në shekullin e 13-14-të dhe patjetër jo i ndarë në dy kolona. Pastaj rishkrimi është krejtësisht i qartë dhe i ndarë në kolona. Fistani deklaron se : Një gjë e tillë i përket mesjetës së hershme dhe dokumenti është në moshë të thellë. Në atë kohë, fotografimi nuk ka nxjerë gjë të veçantë, sepse teknikat ishin tepër të rezevuara dhe nuk kishte të tilla që të shkonin në thellësi të pergamenës. Por Fistani thotë gjithashtu se, “nuk është specialist i fushës, por nga hulumtimi është i qartë se shkrimi është në një greqishte të vjetër i përzier me gërma sllave, por që duhet ti përkasi një materiali kishtar kanonik sidomos shkrimi i fundit”. Kurse i pari, ka mundësi të jetë pjesë të një ungjilli i cili është fshirë.
Fistani gjithashtu ka zbuluar dhe mendon,se shenjat e kuqe, aksentet me vija dhe pika, janë kohë muzikore të këngës së kënduar. Kjo është një karakteritikë e materialeve bizantine në përgjithësi. Duke qënë një person tepër i rregullt prof Fistani, deklaron në sqarimet e tij për pergamenën e Shkodrës se “ të gjitha më sipër mund të shërbejnë vetëm si pika orientimi që meritojnë saktësim të metejmë nga një specialist i mirëfilltë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e këtij dokumenti me vlerë”. Normalisht që kjo indicie dhe sqarim, është njëra anë, por dokumenti ka qëndruar në muze, i ruajtur me sa është mundur dhe pa u studiuar më tej. Një nga punonjësit e apasionuar të muzeut zoti Paulin Perja, ka bërë edhe një tentativë për tu konsultuar me një profesionist i degës si prof doc Sekularac Bizidar në Institutin Historik të Podgoricës, por nuk ka pasur sukses, edhe pse nuk ka marrë më përgjigje nga profesori në fjalë. Tanimë pergamena është skanuar me rezolucion të lartë, dhe në fakt, unë kam vërjetur rishkrimin e saj dhe thellësitë e vijave të hequra si udhëzuese në pergamenë. Vihet re mirë se shkrimi është një bizantinishte e hershme dhe shenjat tashmë janë të qarta, por edhe përdorimi i bojës së kuqe dhe blu në pergamenë. Në dyshim të madh është përcaktimi i lëkurës së pergamenës, e cila duhet bërë nga specialistë të laboratorëve të caktuar që nxjerrin me këtë rast edhe vjetërsinë ekzakte të copës, dhe pastaj mbi këtë bazë, përcaktohet edhe viti që është prodhuar.
Një nga gjërat më interesante të pergamenës është se kush është dallimi në vite apo kohë midis shkrimit të parë dhe atij të rishkruarit, dhe po ashtu edhe të shenjave të veçanta që janë me ngjyra akoma të thekshme, edhe pse mund të kenë kaluar shekuj. Në krye të katër fletët e pergamenës së Muzeut Historik të Shkodrës kanë një shkrim latin, që në të vërtetë përbën edhe interesanten e rastit, sepse në brëndësi shkrimi është thellësisht bizantin, ose greko-bisantin dhe shkronjat janë të tilla, kurse në pjesën prezantues të sipërme teksti është krejt latin dhe diku shkruhet: “GABBTONFI” dhe po ashtu vazhdon edhe rreshti në siprinën e fletëve të pergamenës në fjalë.
Dyshimi është se kjo pergamenë është kaluar në dorë të dikujt tjetër në shekuj më vonë, dhe aty mund edhe ti jetë shtuar shkrimi latin, ose rishkrimi është bërë në bizantinishte duke ruajtur psallmën ose ungjillin, kur në fakt latinishtja e qartë ishte futur në kohë dhe shkrimet e pikërisht asaj kohe.
Tani për pergamenën e tillë e cila nuk është një diçka e “shumtë” në muzetë dhe arkivat tona, që në fakt ju mungojnë të tilla dorëshkrime të vjetra apo shumë të vjetra, që kanë vetëm shkrime në produktin e ri të letrës që është përdorur më vonë e pra kërkohet një rishikim shkencor i mirëfilltë jo vetëm për të ditur rëndësinë e shkrimit, por kryesisht për të gjetur vjetësinë e sigurtë në kohë.
Kur thashë “një diçka e shumtë” fola me kujdes, sepse në fakt nuk është aspak, ka tepër pak ose aspak në të vërtetë. Pergamenat nuk janë një gjë e gjetur kollaj, në arkivat dhe ruajtjen tonë arkivore në përgjithësi.
Kjo të detyron që këtë pergamenë të ruajtur edhe pse me vështirësi në Shkodër, ta quash diçka të rrallë, tepër të rrallë, e cila ka një histori të ardhjes deri në ditët e sotme edhe pse e pa ditur qartë dhe mirë. Unë nuk guxoj të kaloj në përfundime të nxituara, por ka një siguri që materiali, dhe e shkruajtura e parë, janë tepër të vjetra dhe shekulli i 13-të ose fillimi i shekullit të 14-të, mund të jenë edhe momenti që kjo pergamenë është krijuar nga lëkura për tu bërë një libër shkrimi, prej të cilës ka sot në Muzeun e Shkodrës, vetëm katër fletë.
Nga vrojtimi i saktë i zmadhuar i pergamenës, shikohet qartë, se mbi shkrimin e parë janë hequr vija të cilat janë disi të thella në lëkurën e saj. Një karakteristikë tjetër më anën e të cilës mund të zbulohet edhe kush është natyra e shkrimit, është se shkronjat gjysëm greko-bizantine nuk mbështeten me bazë në vijë, por në kokat e tyre. Dyshimi në sa është përdorur në rastin e parë një latinishte të vjetër dhe pastaj në greko-bizantinisht apo edhe një bizantinishte e sllavizuar do të ishte edhe vërtetim tjetër i vjetërsisë së tejskajshme të pergamenës. Por këto janë vetëm supozime, dhe mënyrë e qartë për të pasur konsiderata mbi këtë pjesë të rëndësishme arkivore. Ky do të ishte pastaj një “scooob” në vete i problemit “pergamenë”.
Asnjë dorëshkrim nuk e ka shoqëruar pergamenën e famshme dhe enigmatike të arkivit të Shkodrës, kështu që edhe origjina e ardhjes në arkiv është shumë e diskutueshme. Nuk ka pasur as paleograf, dhe as njerëz të specializuar në përcaktimin e materialit dhe llojit të shkrimit, dhe kjo e bën më akute vëmëndjen për ta çuar në dorë të specialistave të huaj dhe për të marrë përfundimisht vesh se çfarë përmban sot dhe çfarë ka qënë në kohë të hershme kjo pergamenë. Megjithatë përcaktimi ekzakt është laboratorik në saj të metodave të përparuara dhe të shpejta të sotme, që me sa duket, nuk janë akoma në kushtet e historianografisë në Shqipëri. Por ama, laboratore të tillë të natyrës të kërkimit dhe përcaktimit historik janë, dhe për më tepër, janë tashmë rrugët e hapura për ta bërë këtë gjë.
Një pergamenë e tillë, është jo vetëm repert interesant, por edhe një model vjetërsie në shkrim, jo vetëm për një arkiv, por edhe për kulturën në përgjithësi, për momentin e përcaktimit të historisë dhe të veçantat e saj te ne.