Përgjegjësi për valixhen atomike dhe sigurinë e Putinit u vetevra

1 DHJETOR 2020

Një plumb i vetëm, i mjaftoi agjentit special Mikhail Zakharov, për t’i dhënë fund vetes. Dhe kur kjo ndodh brenda mureve të Kremlinit, dhe i ndjeri ishte pjesë e njësisë përgjegjëse për sigurinë e Vladimir Putin dhe valixhes atomike që shoqëron çdo president rus, atëherë ngjarja nuk mund të mos ketë një jehonë ndërkombëtare, përtej fatkeqësisë së tij personale.

Sipas disa mediave lokale, në veçanti kanali Telegram Baza, i njohur për lidhje të forta me shërbimet sekrete ruse,  Zakharov ishte pjesë e FSO-së, forcës së sigurisë elitare që ndër të tjerat merret me sigurinë e Kremlinit, qeverisë dhe vetë presidentit. Rreth 20 mijë efektivë,  për një strukturë gjigante që trashëgon famën e “Drejtorisë 9” të KGB-së, që merrej në kohën  e Bashkimit Sovjetik me detyra të përafërta.  Detyra qartësisht delikate, dhe së fundmi me orare pothuajse të papërballueshme edhe për agjentë të trajnuar më së miri.

Sipas burimeve të mediave, kolegët e Zakharov kanë rrëfyer në mënyrë anonime që me fillimin e masave të pandemisë, një pjesë e mirë të personelit është infektuar me COVID-19, dhe ata që mbeten duhet të plotësojnë edhe orarin e punës së kolegëve, shpesh herë pa u paguar për orët shtesë.

Kushtet e punës dhe presioni i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e një prej liderëve më të rëndësishëm të botës e kanë mundur agjentin Zakharov, duke marrë me vete ndoshta edhe shumë sekrete të pallatit simbol të pushtetit rus.

Gazeta Shqip