PËRGJIGJE NDAJ TË PAVËRTETAVE QË KOMPANIA ALBCHROME IU KA NISUR MEDIAVE
PËRGJIGJE NDAJ TË PAVËRTETAVE QË KOMPANIA ALBCHROME IU KA NISUR MEDIAVE
Mbrëmjen e djeshme, më 27 dhjetor 2019, kompania AlbChrome sh.p.k u ka nisur mediave një qëndrim publik të mbushur me të pavërteta ndaj Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, të cilat për fat të mirë janë lehtësisht të vërtetueshme.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është themeluar për të përfaqësuar minatorët dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre me çdo kusht. Që prej fillimit e kemi ditur se kë do të kishim përballë: jo thjesht njeriun më të pasur në vend, por edhe më të pushtetshmin, atë para të cilit qëndrojnë gatitu edhe kryeministrat. Megjithatë kjo nuk na tremb e as na step, se me vete kemi të drejtën, vullnetin dhe vendosmërinë për të mbrojtur atë që na është mohuar dhe atë që na takon.
Që prej ditës së parë kur kemi marrë përsipër këtë nismë aspak të lehtë, vendimmarja demokratike, këmbëngulja në mbrojtjen e të drejtave të minatorëve dhe transparenca, kanë qenë shtyllat tona më të rëndësishme. Për hir të së vërtetës ndaj minatorëve dhe anëtarëve tanë, por edhe ndaj mbështetësve të shumtë anekënd Shqipërisë dhe sindikalistëve anembanë botës, po i kthejmë këtë përgjigje paksa të gjatë të pavërtetave të shpërndara nga AlbChrome sh.p.k.
- Ndërsa kompania pretendon që është njohur zyrtarisht me njoftimin për krijimin e sindikatës më datë 16 dhjetor, S.M.B.B vë në dispozicion të gjithë komunikimin që ka pasur me kompaninë që përpara shpalljes së sindikatës në datën 17 nëntor 2019.
Më konkretisht, kompania është njoftuar për themelimin e S.M.B.B-së nga dy takime që kryetari i Sindikatës, Elton Debreshi, ka patur fillimisht me Administratorin Lokal të AlbChrome në Bulqizë (Petrit Cara) dhe pastaj me Drejtorin e Përgjithshëm të AlbChrome (Luan Saliaj), pak ditë përpara shpalljes publike në Bulqizë të Sindikatës, ku u organizua një takim publik në qendër të qytetit më 17 nëntor 2019.
Kryetari i saj Elton Debreshi dhe anëtarët e Këshillit Sindikal, Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi, kanë mbajtur fjalën e tyre përshëndetëse në shpalljen e sindikatës. Gjithashtu krijimi i SMBB-së dhe shpallja e saj në datën 17 nëntor 2019 është bërë publike si në median lokale të qytetit të Bulqizës, ashtu edhe në media kombëtare . Për të gjitha këto arsye është absolutisht e pamundur që AlbChrome sh.p.k nuk ka qënë në dijeni të krijimit të sindikatës dhe të emrave e mbiemrave të krerëve të saj, ndaj të cilëve jo rastësisht u morën menjëherë masa të ndryshme presioni deri në pushimin nga puna.
Komunikimi me kompaninë ka vazhduar dhe është intensifikuar tre ditë pas pushimit nga puna të kryetarit Elton Debreshi. Kështu, më 25 nëntor 2019, Sindikata i dërgoi një shkresë kompanisë për këtë shkelje të të drejtave bazë të punëtorëve të garantuara nga Konventat Ndërkombëtare, Kushtetuta dhe Kodi i Punës. Shkresa kërkonte gjithashtu edhe ndaljen e masave ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit Sindikal, Beqir Duriçit dhe Behar Gjimit. Çdo shkresë e dërguar ka nisur me informimin për vendimin e njohjes nga gjykata të S.M.B.B-së.
Kompanisë i është vënë në dispozicion gjithashtu edhe dokumentacioni i themelimit të sindikatës përfshirë edhe listën me 21 anëtarët e Këshillit Sindikal. Në 11 dhjetor, AlbChrome ktheu një përgjigje ku uronte sindikatën për formimin e saj. I gjithë informacioni i mësipërm hedh tërësisht poshtë pretendimin se AlbChrome ka marrë informacion zyrtar për sindikatën në datën 16 dhjetor dhe se rrjedhimisht i ka hequr sindikalistët nga puna pa e ditur për krijimin e sindikatës.
- Pretendimi i AlbChrome se respekton të drejtën ligjore të çdo punonjësi për t’u grupuar në sindikata bie ndesh kryekëput me aksionet e AlbChrome që prej themelimit të S.M.B.B-së.
Qartazi heqja nga puna e katër drejtuesve të S.M.B.B, Elton Debreshi, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta është një akt flagrant i diskriminimit të sindikalistëve, i cili është i dënueshëm nga Konventat Ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Punës (ILO) Nr. 87 dhe 98. Shkeljet e disiplinës në punë të pretenduara nga AlbChrome supozohet se kanë ndodhur muaj më parë, por AlbChrome i nxori nga sirtari vetëm pas themelimit të sindikatës.
Gjithashtu nuk është e vërtetë se AlbChrome ka marrë masa vetëm ndaj 4 minatorëve. Gjatë gjithë këtyre ditëve, në heshtjen dhe mosveprimin e turpshëm të insititucioneve shqiptare, AlbChrome sh.p.k po vazhdon të bëjë presion mbi anëtarët dhe drejtuesit e SMBB-së si dhe mbi minatorët që morën pjesë në tubimin përpara AlbChrome. Janë thirrur për takim dhe u është bërë presion edhe 19 minatorëve të tjerë:
- Hysen Deda, Anëtar i S.M.B.B;
2. Eduart Keta, Anëtar i Këshillit Sindikal të S.M.B.B;
3. Hekuran Talja, Anëtar Themelues i S.M.B.B;
4. Astrit Shehu, Anëtar i S.M.B.B;
5. Albion Kola, Anëtar i Këshillit Sindikal të S.M.B.B;
6. Gani Xhaferri, Anëtar i S.M.B.B;
7. Mersim Koçi, Anëtar i S.M.B.B;
8. Dali Boja, pjesmarrës në tubimin përpara AlbChrome;
9. Roland Debreshi, Anëtar i S.M.B.B;
10. Neki Lica, Anëtar i Këshillit Sindikal të S.M.B.B;
11. Zaim Hidri, Anëtar i S.M.B.B;
12. Rrahman Hoxha, Anëtar i S.M.B.B;
13. Erion Boba, Anëtar i S.M.B.B;
14. Lorenc Gjoka, Anëtar i Këshillit Sindikal të S.M.B.B;
15. Blerim Demiri, Anëtar i S.M.B.B;
16. Ermal Muharremi, Anëtar i S.M.B.B;
17. Staf Çakalli, Anëtar Themelues i S.M.B.B;
18. Vilson Sahiti, Anëtar i S.M.B.B;
19. Bardhul Lukani, pjesmarrës në tubimin përpara AlbChrome.
Arsyetimi i kompanisë se “po të ishte kundër sindikatës mund t’i kishte hequr të gjithë anëtarët e saj nga puna”, mund të bindë vetëm idhtarët e kompanisë. AlbChrome është duke praktikuar format klasike të presionit: bëj shembull disa për të mbajtur nën terrorrin e heqjes nga puna të gjithë punëtorët. Ky presion u shfaq për herë të parë haptazi në prill të 2019, ku katër punëtorëve iu dhanë masa të padrejta disiplinore vetëm për shkak të një peticioni që ndërmorën (që përfshihet te organizimi sindikal), ndërsa dhjetra të tjerë u penalizuan duke u ndryshuar vendet e punës. Dy prej këtyre punëtorëve ishin pikërisht Elton Debreshi dhe Beqir Duriçi, vetëm sepse ngritën zërin për atë që u takon.
- Pretendimi i AlbChrome se ka një kontratë kolektive me Federatën e Sindikatave të Industrisë, ngelet për t’u vërtetuar.
Punëtorët e AlbChrome nuk janë pyetur kurrë për kushtet që janë negociuar me kompaninë dhe Kontratën Kolektive që pretendohet se është nënshkruar dy vite më parë. Asnjë punëtor i AlbChrome nuk e ka parë kontratën kolektive. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, si përfaqësuese e mbi 50% të punëtorëve të AlbChrome në Bulqizë, që prej datës 26 nëntor 2019 ka bërë plot 4 kërkesa që kjo kontratë t’i vihet në dispozicion nga kompania, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe nga Zyra e Punësimit. Deri më sot kemi një përgjigje vetëm nga Zyra Vendore e Punësimit – Bulqizë, e cila shprehet se nuk ka dijeni fare për Kontratën Kolektive, çka na shtyn në dyshime serioze për ekzistencën reale të kësaj kontrate. Pa përmendur shkeljen e të drejtës së informimit të punëtorëve nga AlbChrome dhe Ministria, për të cilën i jemi drejtuar edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Pavarësisht ekzistencës apo jo të kësaj kontrate, S.M.B.B-ja si përfaqësuese e mbi 320 minatorëve i ka dërguar AlbChrome më 26 dhjetor 2019 kërkesën për bisedime për Kontratën e re Kolektive.
- Pretendimi i AlbChrome se trajtimi që i bën punëtorëve është më dinjitozi i mundshëm në krahasim me secilën prej 36 kompanive të tjera të shfrytëzimit të kromit në vend, bie ndesh me eksperiencën e punëtorëve.
Ndërsa AlbChrome gati ua ka dyfishuar normat punëtorëve, pagat kanë mbetur të pandryshuara. Për më tepër, paga e 13-të nuk është ndonjë arritje e kësaj kompanie, por një e drejtë që minatorët e kanë patur që prej periudhës kur miniera ishte në shfrytëzimin e kompanisë ACR. Ndërkaq kushtet e sigurisë në punë, ashtu siç është dokumentuar në përgjigjen që Inspektorati Shtetëror i Punës i ka dërguar Publeaks, lënë shumë për të dëshiruar.
Për vite me radhë Inspektorati ka konstatuar shkelje të rënda të sigurisë në punë. Për më tepër, fakti që nga 19 punëtorë të vrarë në Bulqizë që prej vitit 2013, 8 janë vrarë në minierën ku operon AlbChrome, nuk tregon ndonjë arritje të madhe. Pagat dinjitoze e kushtet e sigurisë për jetën dhe shëndetin e minatorëve, nuk janë çështje mundësish për një kompani që investon miliona euro. Ato janë para së gjithash çështje prioritesh dhe AlbChrome ka treguar qartazi që prioriteti i saj nuk janë as minatorët e as familjet e tyre.
- Teoritë konspirative se kush qëndron prapa kërkesave legjitime të minatorëve për kushte pune dinjitoze e paga të drejta për gjakun e djersën e tyre, janë në rastin më të mirë qesharake e në rastin më të keq dashakeqe.
Prapa 4 minatorëve që AlbChrome i ka pushuar në mënyrë të paligjshme nga puna, qëndron vetëm angazhimi në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e drejta e tyre për t’u organizuar sindikalisht dhe për të negicuar kushte e paga më të mira për punëtorët. Është për të ardhur keq që kompania, ashtu si Federata Sindikale e Industrisë, mendon se minatorët nuk kanë sy e mendje për të parë sesi me djersën e gjakun e tyre kompania po investon miliona euro për të rritur kapacitet shfrytëzuese të minierës, por nuk ka para për t’i dhënë minatorëve hakun e punës së tyre.
Nënvlerësimi që i bëhet aftësive të punëtorëve për të kuptuar kush pasurohet në kurriz të tyre, është sa ofendues aq edhe zemërues.
- Pretendimi i AlbChrome se “sipas Kodit të Punës, kur punonjësi braktis vendin e punës dhe nuk njofton brenda 7 ditëve arsyen e mungesës, konsiderohet si zgjidhje e njëanshme e kontratës nga punonjësi (madje sipas kesaj dispozite, nenit 156, punëdhënësi gëzon të drejtën e dëmshperblimit). Gjithashtu në kontratën individuale të punës, palët kanë parashikuar që kur punonjësi bën më shumë se 7 mungesa pa arsye në një vit, punedhënësi gëzon të drejtën e zgjidhjes se njëanshme të kontratës së punës. Kjo ka ndodhur edhe në rastet tona, megjithatë duam të theksojmë se largimi i tyre është bërë për shkelje të ndodhura përpara se ata ta vinin në dijeni kompaninë për krijimin e sindikatës.”
Kjo është një alibi e ngritur nga AlbChrome vetëm ditët e fundit, pas grevës në të cilën u detyruan të hidhen shumica e punëtorëve pas shkeljes së ligjit nga AlbChrome me largimin nga puna të kryetarit Elton Debreshi. As Elton Debreshi, as Beqir Duriçi, as Behar Gjimi dhe as Ali Gjeta nuk kanë “braktisur punën” dhe as nuk kanë kryer ndonjë shkelje të ndonjë lloji tjetër. Këtë AlbChrome sh.p.k e ka shumë të qartë. Në fakt as në procesverbalet e takimit që ka mbajtur me këta minatorë, procesverbale të cilat janë shkruar nga AlbChrome sipas dëshirës së vetë dhe pa pasqyruar komentet e minatorëve të thirrur, AlbChrome nuk ka qënë në gjendje të përmendë ndonjë rrethanë konkrete shkeljeje.
Sa i përket kontratave individuale të punës, nga njëra anë AlbChrome sh.p.k refuzon t’u japë minatorëve kopje të kontratave të punës, gjë që është shkelje e rëndë e Kodit të Punës. Nga ana tjetër kërkon nga minatorët respektimin e kontratës së punës. Edhe për këtë kompania AlbChrome duhet dhe do të mbajë përgjegjësi.
- “Ftojmë të gjitha mediat që të vijnë të investigojnë nga pranë ngjarjen, për të parë se si qëndron e vërteta.”
Na duhet të pranojmë që kjo është pika e vetme që ndajmë të njëjtin qëndrim me AlbChrome sh.p.k. Pasi i ka detyruar mediat për javë me radhë që të heshtin për ngjarjet në Bulqizë, më në fund ka “reflektuar” dhe iu bën thirrje që të investigojnë dhe të zbulojnë të vërtetën. Të njëjtin apel bën edhe Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ndaj mediave: ejani e dokumentojeni paligjshmërinë në të cilën zhytet përditë e më shumë AlbChrome sh.p.k!
Ndërkaq, i bëjmë me dije AlbChrome dhe të gjitha mediave se për të gjitha shkeljet e AlbChrome, ne jemi në kontakt me të gjitha sindikatat botërore, por edhe me organizata ku AlbChrome bën pjesë, si International Chrome Development Agency (ICDA), e cila po informohet ditë pas dite për shkeljet e të drejtave themelore të garantuara nga Konventat Themelore të Organizatës Botërore të Punës, Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Punës.